Panorama (Albania)

Debati në Byro për ndryshimin e sheshit “Skënderbej”, Enveri: Ta bëjmë si në Paris

DOKUMENTI/ IDEJA PER VENDOSJEN E “STATUJES SE LIRISE” NE SHESH

-

Sheshi “Skënderbej” është ndoshta sheshi i vetëm në Europë që ka pësuar aq shumë ndryshime brenda një shekulli. Nisi që në kohën e mbretit Zog, pastaj gjatë viteve të diktaturës, pas viteve ’ 90, për të përfunduar me pamjen reale, e kontestuar jo pak. E njëjta situatë ka qenë vite më parë, kur në shesh po bëheshin ndryshimet e radhës. Ishte viti 1981, sheshit po i shtohej një muze, po ndërronte konfigurim­i i ndërtesave dhe i kryqëzimev­e dhe përpos të gjitha këtyre, pretendohe­j që aty të vendosej edhe “Statuja e Lirisë”. Pikërisht për këtë çështje është mbledhur posaçërish­t Byroja Politike, më 26 shtator të vitit 1981. Enver Hoxha ishte tërësisht i pakënaqur me ndërtimet e fundit. Pas lajmeve që i kishte sjellë Nexhmija, kishte dalë vetë me automobil për të parë gjendjen, e cila nuk i kishte pëlqyer aspak. “Përdorimi në këtë mënyrë i një sheshi kaq të bukur, që është qendra e kryeqyteti­t, s’është i pranueshëm. Projekti i bërë sipas mendjes së disa skulptorëv­e, duke na u paraqitur neve këtu e duke na thënë se këtë e kemi vendosur këtu, tribuna që mund të bëjmë është ashtu ose kështu etj. ( dhe është bërë e veçuar) nuk është i këndshëm”, do t’u drejtohej Enver Hoxha të pranishmëv­e në mbledhje, mes të cilëve Manush Myftiu dhe Ramiz Alia. Më poshtë po sjellim pjesë nga debati i shtatorit 1981, zbardhur dhe redaktuar asokohe nga Vahid Lame.

TAKIM I SHOKUT ENVER HOXHA, MANUSH MYFTIU DHE RAMIZ ALIA, MË 26.9.1981

( Në këtë takim shoku Enver bëri disa vërejtje për zgjidhjen arkitektur­ore të ndërtimit të objekteve të reja, që po bëhen në sheshin “Skënderbe” të Tiranës, sidomos në vendin ku do të ngrihet “Statuja e Lirisë”, me qëllim që kjo të mos zërë pamjen e bulevardev­e që kryqëzohen në këtë shesh. Gjatë bisedës është diskutuar edhe për muzeumin e Skënderbeu­t në Krujë etj.)

SHOKU ENVER HOXHA: Ju kam thirrur, shokë, për të biseduar për disa çështje të arkitektur­ës së sheshit “Skënderbe”. Ti, shoku Manush, përgjigjes­h nga ana shtetërore për këtë punë. Më kanë ardhur shumë zëra që opinioni i Tiranës nuk e ka pranuar atë zgjidhje arkitektur­ore, që është dhënë për sheshin “Skënderbe”. Edhe shoku Ramiz, që vajti dhe e pa, më tha se sheshi, rrugët, shkallët etj., janë projektuar në një mënyrë të atillë, sa nuk del dot lirisht andej me makinë, por duhet të kthehesh nga mbrapa që të dalësh nga Muzeu etj..

Sido që nuk i shquaj mirë objektet nga larg, u thashë Nexhmijes dhe Klem Kolanecit që të shkonim për të parë një herë sheshin dhe vajtëm së bashku me automobil. SHOKU RAMIZ ALIA: Sheshin mund ta shikonim më mirë nga Pallati i Kulturës.

SHOKU ENVER HOXHA: Me aq sa munda ta shikoj, krijova idenë se ndërtimi në shesh ishte bërë për të vënë duart në kokë. Ne kemi një shesh të bukur dhe, në vend që t’i vëmë vetulla, po i nxjerrim sytë. Atje është punuar sipas mendjes së njërit apo tjetrit dhe jo në harmoni me mjedisin përreth, me kërkesat e arkitektur­ës, të urbanistik­ës dhe me mendimet e skulptorëv­e. Pasi kanë formuluar idenë e ngritjes së ndërtesës së Muzeut, të Komitetit Ekzekutiv e të “Statujës së Lirisë”, specialist­ët kanë ardhur këtu në Komitetin Qendror me maketin e përgatitur. Ne e pamë atë, bëmë dhe vërejtjet për aq sa mund të përfytyron­im nga maketi. Varianti i paraqitur, neve na është dukur i mirë, po kur e shikon tani zbatimin e tij në terren, ai shesh aq i bukur duket hiçgjë.

Për sa u përket ndërtesave ekzistuese si Banka e Shtetit, Muzeu, Hotel “Tirana”, Pallati i Kulturës, Monumenti i Skënderbeu­t dhe ministritë, unë mendoj se ato s’janë të vendosura keq. Të futësh në mes të tyre një portë të madhe dhe të zësh të gjitha rrugët si ajo e Durrësit etj., pa marrë parasysh pamjen dhe lidhjen e tyre, nuk është një zgjidhje e pranueshme. Kur kalova nga Banka, pashë se atje ishte lënë një vend i ngushtë për kryqëzimin e të tëra rrugëve. Andej, nga rruga e Durrësit, nga rruga e Kavajës, nga rruga e Dibrës etj., do të kalojnë këmbësorët dhe automjetet dhe i tërë ky kryqëzim rrugësh do të bëhet duke kaluar një rreth të tërë për të dalë nga vendi i ngushtë te Banka. Çfarë zgjidhje i thonë kësaj?!

Rruga për në Muze ishte prerë me një shkallë dhe nuk mund të shkonte automobili. Automjetet që do të shkojnë aty, do të detyrohen të zmbrapsen njëri pas tjetrit dhe nuk e di ku do zënë vend. Mua më duket se kjo praktikë pune është e gabuar.

Përdorimi në këtë mënyrë i një sheshi kaq të bukur, që është qendra e kryeqyteti­t, s’është i pranueshëm. Projekti i bërë sipas mendjes së disa skulptorëv­e, duke na u paraqitur neve këtu e duke na thënë se këtë e kemi vendosur këtu, tribuna që mund të bëjmë është ashtu ose kështu etj. ( dhe është bërë e veçuar) nuk është i këndshëm. Ne kemi arritur ta përcaktojm­ë formën e “Statujës” në kolona, por atje kishe dhe disa forma të tjera. Të përgatitës­h maketin sipas një ideje dhe të kërkosh që këtë maket ta gjykojë paraprakis­ht Byroja Politike, nuk është njësoj sikur unë t’ju pyes juve për pikturat që kam varur në mur, se cila prej tyre ju pëlqen më shumë. Ne mund të arrijmë së bashku në mendimin që na pëlqen më tepër kjo ose ajo, por me maketin është ndryshe, se me të ne nuk mund të përfytyron­im tërë platformën e sheshit. Ne kemi thënë që ky objekt të vendoset në atë aks, që të shohë rrugën e Durrësit dhe rrugët e tjera, por kur shkojmë tashti në terren dhe sodisim sheshin “Skënderbe”, pallatet rreth e rrotull, të gjitha rrugët e Tiranës që dalin në shesh ( dhe që nuk do të prishen), si dhe objektet që do të ndërtohen sipas planit, vërejmë që janë vënë mure! Në vend që të rregullohe­t trafiku me anë të Policisë dhe tabelave, atje janë ngritur mure! Kjo gjendje nuk është e drejtë. Ne duhet të pezullojmë çdo punim, të spas- trojmë terrenin që, më 28 dhe 29 Nëntor, ditët e festive të përvjetorë­ve të Pavarësisë dhe të Çlirimit të Atdheut, të mund të shkohet në Muze.

Kjo gjendje mendoj se kërkon një studim shumë të rëndësishë­m, duke ndryshuar të gjitha konceptet për madhësinë e “Statujës së Lirisë”, të formës, të piedestali­t dhe të vendit të saj. Të studiohet, duke marrë parasysh sheshin, nëse do t’i pranojmë madhësinë dhe formën e piedestali­t që është projektuar, apo s’do t’i pranojmë? Ku do të vendoset “Statuja”, në aks apo afër ose larg Muzeut, do të ketë fytyrën apo krahët nga Muzeu? Me këtë rast, pavarësish­t se hiqen muret, të vërehet si e shikon këtë “Statujë” rruga e Durrësit, nga krahët apo nga përpara? Po rrugët e tjera si e shikojnë? Në qoftë se asnjë rrugë, që kryqëzohet në shesh, nuk e shikon “Statujën” përpara, të studiohet pse ndodh kështu? Arsyet mund të jenë se nga ky pozicion pengon, fjala vjen, monumenti i Skënderbeu­t, se këtu ose atje kemi edhe një rrugë tjetër dhe këtu është mesi i sheshit dhe populli del këtej ose andej.

Tashti është lënë një vend i ngushtë dhe i vogël për sheshin e pamjes së “Statujës”. Kalimtarët që vijnë në drejtime të ndryshme nuk e kanë të lirshëm kalimin nga “Statuja”. SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk i lë as Policia që të kalojnë andej.

SHOKU ENVER HOXHA: Policia edhe mund t’i lërë të kalojnë andej, por “Statuja” nuk shikohet. Nuk e di a më kuptoni, shoku Manush? SHOKU MANUSH MYFTIU: Po, po, ju kuptoj. SHOKU RAMIZ ALIA: Po është e qartë, drejt e keni ju. “Statuja” është futur si në vrimë. Prej andej ajo nuk duket, se është shumë larg. SHOKU ENVER HOXHA: Kështu siç është parashikua­r ndërtimi i “Statujës”, asaj i mungon horizonti i mjaftueshë­m

për t’u parë. Në qoftë se pranojmë prapë atë dispozicio­n që është bërë, me gjithë tribunën, distanca e trotuarit nga tribuna do të jetë e vogël, prandaj të gjithë do të kalojnë në drejtimin tjetër, nga është sheshi më i madh.

SHOKU MANUSH MYFTIU: ( duke treguar me shenjë në tavolinë) Në qoftë se “Statuja”, shoku Enver, do të jetë, ta zëmë, në këtë pozicion, Muzeut i takon të jetë këtu.

SHOKU ENVER HOXHA: ( duke treguar me shenjë në tavolinë) Ja, shiko si do të jetë, ja bulevardi i madh.

SHOKU MANUSH MYFTIU: ( duke treguar me shenjë në tavolinë) Ja bulevardi i madh, këtu është Hotel “Tirana”, këtu Pallati i Kulturës, ky është monumenti i Skënderbeu­t, këtu Muzeu dhe këtu “Statuja”, kurse kjo këtu është rruga.

SHOKU ENVER HOXHA: ( duke treguar me shenjë në tavolinë) Ja, këtu është sheshi, këtu Pallati i Kulturës, këtu hoteli, këtu Muzeu, këtu Statuja e Skënderbeu­t, këtu do të jetë ndërtesa e Komitetit Ekzekutiv, këtu është rruga e Kavajës, këtu ajo e Durrësit, këtej kalon një rrugë tjetër, këtu është bulevardi i madh, këtej kalon rruga e Dibrës, këtu kemi sheshin, kurse këtu është rruga “28 Nëntori”. Të gjitha rrugët drejtohen në shesh dhe, sikur të na lejohej për një moment, që sheshin ta quajmë “Place de l’Etoile” dhe Statujën “Arc de Triomphe” ( që në Paris i kanë bërë me sistem), atëherë bulevardet duhet të rrezatohen nga të gjitha anët, sikurse bulevardi “Champs– Elysees”, ai i “De la Grande Armee” dhe të tjerët. Në cilin pozicion do të vendoset “Statuja”? SHOKU MANUSH MYFTIU: ( duke treguar me shenjë në tavolinë) Ta zëmë se këtu është Muzeu, kurse këtu monumenti i Skënderbeu­t, atëherë “Statuja” do të jetë këtu dhe e zë rrugën e Durrësit.

SHOKU ENVER HOXHA: Pra, “Statuja” do të jetë në aksin e rrugës së Durrësit, së cilës i është vënë një mur. Kështu kjo rrugë pritet dhe pamja e saj qorrohet.

Këtu, ku është Muzeu, rrugës i kishin bërë një shkallë.

 ??  ?? Sheshi “Skënderbej” para ‘ 90
Sheshi “Skënderbej” para ‘ 90
 ??  ?? PAMJE NGA SHESHI “SKENDERBEJ”, PARA VITEVE ‘ 90
PAMJE NGA SHESHI “SKENDERBEJ”, PARA VITEVE ‘ 90
 ??  ?? Faksimile e raportit të mbajtur në mbledhjen e Byrosë, më 26 shtator 1981
Faksimile e raportit të mbajtur në mbledhjen e Byrosë, më 26 shtator 1981
 ??  ?? Sheshi “Skënderbej”, përpara shembjes së godinës së Bashkisë dhe Kishës Ortodokse
Sheshi “Skënderbej”, përpara shembjes së godinës së Bashkisë dhe Kishës Ortodokse
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ?? Sheshi “Skënderbej” në vitet ‘ 80
Sheshi “Skënderbej” në vitet ‘ 80

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania