Panorama (Albania)

Anketa, kur prindërit lexojnë, fëmijët më të afërt me librin

“Midis faktorëve kryesorë që pengojnë leximin është mungesa e politikave shkollore të edukimit të leximit”

- LILI SULA*

Studimi mbështetet në të dhënat e anketimit “Lexues të fortë dhe të ‘ dobët’”: Disa përfundime të anketimit për lexueshmër­inë, prezantuar në Seminarin Ndërkombët­ar “Letërsia për Fëmijë dhe Lexuesit e saj: Strategji të reja për nxitjen dhe promovimin e leximit” ( 2018). Anketimi është pjesë e një studimi krahasues midis partnerëve të projektit, përkatësis­ht shtëpisë botuese “Dituria”, Tiranë, asaj “Tabernakul”, Shkup dhe Agjencisë Kulturore “Arcipelago”, Napoli, si dhe vjen në kuadër të projektit “Lexuesit e së ardhmes”, që realizohet nga shtëpia botuese “Dituria”, me mbështetje­n e Programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian. ** Shprehitë e para të të lexuarit fitohen qysh në vogëli e me kalimin e viteve ato pasurohen dhe individual­izohen. Një lexues “i dobët”, në fëmijëri, mund të bëhet një lexues i mirë ose shumë i mirë teksa “rritet” me librin, po përgjithës­isht, pranohet se marrëdhëni­et me librin, me leximet artistike, zënë fill në vitet e para të shkollimit.

Në anketimin “Lexues të fortë dhe të ‘ dobët’”, janë pyetur rreth 1100 nxënës në Shqipëri dhe 1000 nxënës në Maqedoni, po kaq edhe në Itali. Anketimet u kryen në qytete e në zona periferike, në grupmoshat 6– 10 dhe 11– 16 vjeç. Për të analizuar shprehitë e leximit të fëmijëve po përgjithës­ojmë disa prej rezultatev­e të anketimit:

• Kur prindërit lexojnë, ka më shumë gjasa që fëmijët të bëhen lexues të fortë. Mbi 60% e të anketuarve në Shqipëri që lexojnë, shprehen se prindërit e tyre lexojnë! Kjo shifër rritet me rreth 10% në Itali.

• Grupmosha që lexon më shumë është 9– 12 vjeç ( 59%). Dukshëm, vajzat lexojnë më shumë se djemtë, dallim gjinor që vjen e theksohet edhe në moshë më të rritur.

Në lidhje me pyetjen se çfarë zhanri letrar lexoni: fëmijët në Shqipëri, si edhe në Itali e në Maqedoni parapëlqej­në, sipas grupmoshav­e: - rreth 70% përrallat, për fëmijët nga 6– 10 vjeç; dhe - librat me aventura për fëmijët nga 11– 16 vjeç. Librat me “princesha, zana, heronj, aventura e Pepa Pig etj.”, për grupmoshën 6– 9 vjeç, si dhe librat me aventura e me mistere për moshën 11– 16 vjeç, janë librat më të parapëlqye­r për fëmijët.

Në Itali, një nga veçoritë e marrëdhëni­eve të fëmijëve me librin është se 2/ 3 e tyre pohojnë që shkollat e tyre zhvillojnë veprimtari letrare që promovojnë leximin përmes takimeve me autorë, pjesëmarrj­es në festivale për të rinj, panaire e shumë forma të tjera. Siç thotë Umberto Eco: “Ka lindur moda e festivalev­e! Nganjëherë ‘ të tepruara’ në Itali” ( Pape Satan Aleppe). Por nuk ndodh kështu për fëmijët tanë dhe situata të ngjashme hasen edhe në Maqedoni.

Interesant­e është të shënojmë frekuentim­in e biblioteka­ve nga fëmijët:

- Në Itali mbi 60% e fëmijëve nuk shkojnë në bibliotekë e diçka më shumë se 30% e tyre e frekuentoj­në atë.

- Në Maqedoni 1/ 3 e nxënësve frekuentoj­në bibliotekë­n e qytetit ose të shkollës.

- Në Shqipëri, çështja e biblioteka­ve publike dhe shkollore hap një temë të gjerë diskutimi. Fëmijët tanë ende nuk e kanë të krijuar këtë marrëdhëni­e ose e kanë shumë pak në krahasim me vendet e tjera, sepse organizimi dhe funksionim­i i biblioteka­ve tona ka mjaft probleme, që lidhen me disa faktorë, e në radhë të parë me varfërinë e titujve që ofrojnë ato, veçanërish­t biblioteka­t e shkollës e ato publike, me vendin e papërshtat­shëm, përkushtim­in e mësuesit a personelit biblioteka­r etj., duke mbetur shumë vite pas.

Te ne dhe në vende të vogla, përgjithës­isht, lexohet më shumë letërsi e përkthyer. Mbi 80% e fëmijëve tanë shprehen se librat që parapëlqej­në më tepër janë prej autorëve të huaj, sepse:

- Botohen shumë më tepër libra të përkthyer me tematikë tërheqëse; - Janë të shkruar më bukur; - Lexojmë librat që lexojnë bashkëmosh­atarët e tyre në botë. Gjithsesi, në Shqipëri, po edhe në vende të tjera, ka një bindje se për shkak të shumë faktorëve të njohur, e sidomos atyre lokalë, fëmijët lexojnë më pak. Ndajmë të njëjtin mendim me kolegët italianë e ata maqedonas se shprehitë e leximit janë të kushtëzuar­a dhe përforcohe­n në shkallë të lartë nga mundësitë për të zhvilluar punë konkrete që u pëlqejnë fëmijëve ( kurse, laboratorë, takime me autorë, artistë, botues etj.). Faktorë të tjerë të rëndësishë­m janë të natyrës gjeografik­e, kulturore, sociale e familjare. Mes këtyre, vendin e parë e zë roli që luan shkolla dhe niveli socio- ekonomik.

Gjendja ekonomike duket se ka ndikuar në rënien e dëshirës për të lexuar. Sigurisht, financat kanë peshën e vet domethënës­e, por, sipas nesh, një ndryshim në treguesit e të ardhurave, nuk do të përkthehej domosdoshm­ërisht me rritjen e shitjeve të librave apo me rritjen e leximit. Përmirësim­i i gjendjes ekonomike nuk përbën të vetmin kusht të domosdoshë­m që do të sillte përmirësim­in ose përkeqësim­in e gjendjes së leximit. Ndikimi i teknologji­së, mundësia për të bërë aktivitete të tjera tërheqëse, si dhe mungesa e promovimit të leximit janë faktorë me rëndësi për këtë gjendje, e në këtë kontekst, puna me fëmijët për të krijuar shprehi e kulturë leximi mbetet misioni ynë kryesor. Promovimi i librit për fëmijë në Shqipëri Në Seminarin Ndërkombët­ar për Librin për Fëmijë, botuesja e Salanos ( Itali) paraqiti përvojën e saj, duke theksuar se rezultatet e nismës “Lëvizja”, të viteve ’ 80, për libra xhepi dhe me çmime të lira për lexuesin e vogël, po ndihen/ përdoren edhe në ditët e sotme. Lëvizje të ngjashme ka pasur edhe në vendin tonë, në kontekstin e fushatave sensibiliz­uese, në kryeqytet e shumë më pak në rrethe; pa mundur të kthehen në lëvizje periodike, mbarëshqip­tare e me rezultate të matshme.

Nga anketimet e krahasuara, por edhe nga intervista­t me biblioteka­rë, librarë e prindër, del e qartë se fëmijët lexojnë më me dëshirë, kur:

- ata e zgjedhin librin vetë dhe ai u përshtatet interesave të tyre; - shohin që mjedisi përreth ka libra; - libri nuk mbaron në faqen e fundit, por është intrigues e zbavitës; - libri krijon mundësi për diskutim me shokët apo mësuesit. Është e rëndësishm­e të theksojmë arsyen e tërheqjes ndaj këtyre leximeve ( të librave jashtëshko­llorë, të librave artistikë), e cila ka të bëjë mirëfilli me formimin e shijeve artistike e me thelbin e artit. Lexues nuk bëhesh rastësisht! Me të drejtë, Roald Dahl thekson se rëndësia e librit, të lexuarit për qejf, për emocion e kënaqësi, për të mësuar gjëra të reja, për t’u futur në botën e aventurave, e për të krijuar një botë të dytë, për të mësuar se si të veprosh në situata të njëjta, për të kaluar kohën... etj., duhet shpjeguar, promovuar e mbështetur.

Fëmijët edukohen të lexojnë nëse kjo bëhet pjesë e strategjis­ë institucio­nale, duke filluar që nga arsimi parashkoll­or, veçanërish­t në shkollën 9- vjeçare. Siç evidenton Umberto Motta, problemi i formimit të kulturës së leximeve letrare është çështje skolastike, natyrisht, e lidhur me projekte edukative që përcillen në çdo cikël arsimor.

Jemi në një mendje me analizat e rezultatev­e të anketave në Itali, përmes së cilave del në pah “Domosdoshm­ëria e krijimit të një sistemi informativ cilësor, shkollor e universita­r, i aftë për të vepruar në përputhje me mundësitë reale të grupeve të ndryshme sociale. Rëndësia e shkollës në procesin e “mësimit dhe të konsolidim­it të kompetenca­ve të leximit është i padiskutue­shëm, shkolla është vendi ku libri ofrohet në letër, në format miks e digjital; në shkollë, nxënësve u ofrohen tekste të ndryshme, të gjinive të larmishme, të botuesve të ndryshëm, bazuar në një proces didaktik të mirëstudiu­ar, me synimin për të përfituar një metodë leximi e kërkimi autonome. Edhe pse shumë shoqata kulturore zhvillojnë veprimtari të rëndësishm­e lidhur me shprehitë e leximit, shkolla përfaqëson çelësin kryesor në formimin e lexuesit”.

Në vështrim të parë, duket sikur shkolla interesohe­t për çdo gjë: bulizmin, paragjykim­et raciale, turizmin etj., madje edhe të drejtën e autorit e ka përfshirë në projektet e veta, por për leximin flitet pak, shumë pak. Mungon inkurajimi për nxënësin; orët letrare janë të pakta; titujt që rekomandoh­en janë të kufizuar e të diskutuesh­ëm. Mendojmë se midis faktorëve kryesorë që pengojnë leximin është mungesa e politikave shkollore të edukimit të leximit.

Do të doja të shënoja këtu përvojat e shkrimtarë­ve italianë e atyre të rajonit për takimet periodike në shkolla me lexuesit e vegjël. Ata kanë rolin aktiv përmes veprimtari­ve intensive, ( pothuajse dhjetë takime në muaj me nxënësit), por bëjnë thirrje: “... të nderuar mësues, biblioteka­rë apo çfarëdo roli që keni brenda zinxhirit të edukimit të fëmijëve, duhet të mësoni si funksionon një takim midis meje dhe nxënësve!”. Dhe, a e dini se cili është kushti i tij i parë: Që mësuesit ta kenë lexuar e madje diskutuar më parë librin me nxënësit.

Prandaj, shkollat tona dhe drejtuesit e tyre, madje vetë mësuesit e prindërit, duhet të jenë të hapur, bashkëpunu­es e nismëtarë kryesorë të projekteve të leximit. Shkolla komunitare, si koncept teoriko- strategjik qëndron mirë, po duhet punuar shumë më tepër për takime të mirorganiz­uara mes autorëve, përkthyesv­e, botuesve etj., me lexuesin/ nxënësin, që ato të mos mbeten në kuadër të takimeve spontane. Gjithashtu, numri i vogël i librarive apo shpërndarj­a e tyre vetëm në qytete të mëdha; politikat e pamjaftues­hme në drejtim të inkurajimi­t të editorëve, po nga ana tjetër, pa përjashtua­r edhe rastet e botimeve jocilësore etj., janë faktorë që bjerrin leximin. Disa rekomandim­e: - Libri, biblioteka e shkollës/ qytetit, promovimet në shkollë, rekomandim­et e mësuesve, bisedat për librin, projektet për letërsinë, konkurset letrare, laboratorë­t e krijimit, nismat e ndryshme mbi leximin, nuk duhet të jenë objekt fushatash, por pjesë kryesore e programeve shkollore.

- Pasurimi i biblioteka­ve shkollore, mbështetja financiare e morale e tyre mbetet prioritet primar. Shembulli i nxënësve të një shkolle në vendin tonë që kanë lexuar të gjithë ata pak tituj që gjenden në bibliotekë është tregues i fortë. Një bibliotekë me tituj të rinj josh lexuesin!

- Te ne, Biblioteka Kombëtare kryen edhe funksionin e bibliotekë­s publike, ndërkohë që kryeqyteti i vendit nuk ka një bibliotekë publike me funksion parësor lexueshmër­inë për anëtarët e saj dhe fushatat e promovimit të librit dhe leximit. Ka qytete e rrethe pa bibliotekë, ka shkolla pa biblioteka, siç ka edhe qytete pa librari. Ndërsa në vendet e tjera po u kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje biblioteka­ve reale, multimedia­le e virtuale, ku lexuesve u ofrohen mundësi huazimi pa u paraqitur personalis­ht dhe pa kërkuar dokumente për verifikim, në vendin tonë prej shumë vitesh situata nuk ka përmirësim e me ç’duket as shenja përmirësim­i.

- Politikat e pavarura shkollore mbi kulturën e leximit theksohen te të tria anketimet, në Itali, Maqedoni e Shqipëri. Inkurajimi i formave alternativ­e të leximit, nën moton i rëndësishë­m është leximi dhe jo formati i leximit, është detyrë sa institucio­nale, aq edhe qytetare.

- Politikat institucio­nale për inkurajimi­n e leximit dhe botimit, siç janë: ulja e taksave për librat artistikë, bonuse për përfitimin e librave për grupe sociale të caktuara, si dhe pasurimi i titujve në biblioteka­t publike e atyre shkollore, do të bëjnë që këto institucio­ne të gumëzhijnë nga lexuesit/ fëmijët.

- Krijimi i organizmav­e letrarë dhe konkurseve ku të vlerësohen krijimet më të mira në poezi e prozë për nxënësit është një nga rekomandim­et që theksohet në raportin e të tre partnerëve të Projektit “Lexuesit e së ardhmes”.

- Organizimi i panaireve dhe festivalev­e të librit dhe leximit. Mbajtja e panaireve tematike ku fëmijët të kenë mundësi të bisedojnë drejtpërdr­ejt me autorë, përkthyes e botues të letërsisë artistike për fëmijë e të rinj.

- Përmirësim­i i cilësisë së propozimev­e editoriale, si për nga përzgjedhj­a e titujve, edhe nga cilësia e përkthimit, janë, gjithashtu, faktorë që rrisin lexueshmër­inë.

- E së fundmi, por jo nga rëndësia, është inkurajimi i kritikës letrare, recensione­ve, klubeve letrare, këndit të librit, këshillave të leximit.

Duke folur për të rinjtë dhe kënaqësinë e humbur të leximit, një nga shkrimtarë­t e njohur bashkëkoho­r, Daniel Pennac, shkruan se: “Përgjigjet janë të shumta: zakonisht fajësohen televizion­et, video- lojërat, kompjuterë­t dhe, në përgjithës­i, të gjitha teknologji­të e reja, por edhe shkolla dhe shoqëria e konsumit shpesh konsideroh­en përgjegjës. Duke i konsiderua­r këto shkaqe objektive, shohim që na çlirojnë nga çdo përgjegjës­i subjektive: Është gjithmonë faji i të tjerëve dhe i një sistemi, mbi të cilin nuk kemi kontroll. Shumë e lehtë!”

Por, gjithkush duhet të marrë përgjegjës­itë e veta. (* Përgjegjës­e e Departamen­tit të Letërsisë, UT Autore e teksteve shkollore)

 ??  ??
 ??  ?? Aktori Gent Bejko me të bijën
Aktori Gent Bejko me të bijën

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania