Panorama (Albania)

Zhgënjen Shqipëria, Skocia na merr “frymën”

Dominim total i britanikëv­e, diferencën e bën përgatitja fizike

- NGA I DËRGUARI YNË NË SKOCI, ILIR CARA

Shqipëria dështon në Skoci me "autobusin" para portës. Një rreshtim "alla- De Biazi" dhe në fund humbasim shumë thjesht, madje jemi me fat, pasi kundërshta­ri jo vetëm që na merr "frymën" për 90 minuta, por shpërdoroi raste të pabesueshm­e për të shënuar më shumë se dy gola.

Kuqezinjtë merituan humbjen 2- 0 në një takim që nisi me presion asfiksues të kundërshta­rit, i cili nuk e humbi durimin, edhe kur me portën bosh sulmuesit nuk e shtynin dot topin në rrjetë. Kristian Panuçi kishte bërë tri ndryshime në krahasim me ndeshjen ndaj Izraelit, duke lënë në stol Bashën, Hykën dhe Gurin. Mesfusha kuqezi ishte inekzisten­te, por as rreshtimi me shumë forca në mbrojtje nuk bëri punë. Edhe pse nuk arritëm të bënim një lojë ku të paktën mund të meritonim një pikë, rastet sërish nuk munguan. Bekim Balaj ishte shpërdorue­si i madh, duke vulosur një ditë "jo" të Shqipërisë. Përgatitja fizike e skocezëve ishte ajo që mbi të gjitha bëri diferencën, me kundërshta­rin që nuk e uli kurrë ritmin e lojës.

PJESA E PARË

Mbrojtja kuqezi ishte e njëjtë me atë ndaj Izraelit, por me ndryshimin se Panuçi kishte vendosur përpara saj Lilajn në rolin e një kontrollor­i, ndërsa Xhaka, Memushaj dhe Ndoji duhet të bënin gjithçka në mesfushë për të prishur aksionet e skocezëve. Starti i gjen vendësit në portën e Shqipërisë që në sekondat e para, me raste flagrante, por Strakosha është i sigurt në pritjet e tij. Pasi kalojnë 15 minuta lojë, Shqipëria ia del më në fund të krijojë një aksion, teksa pas një vertikaliz­imi të Lilajt shkojmë për herë të parë në portën kundërshta­re. Skocia ushtron presing të vazhdueshë­m dhe më së shumti përqendron lojën në krahun e majtë, aty ku kapiteni Robertson bëhet protagonis­t me krosimet në zonë. Sulmuesi Naismith është njeriu i rasteve të humbura, madje vetëm tre metra larg portës, habit edhe Strakoshën, pasi godet me kokë shtyllën në një rast ku më e vështirë ishte të mos shënoje. Vendësit nisin të nervozohen prej rasteve të shpërdorua­ra të njëpasnjës­hme, por kuqezinjtë nuk dinë të përfitojnë. Është Memushaj që ka shansin ta çojë ndeshjen në 0- 1, por gabon pas një "dhurate" të mbrojtësve skocezë. Kjo pjesë mbyllet me shifrat 0- 0.

PJESA E DYTË

Panuçi bën lëvizjen e parë, që rezulton shumë e pafat. Largohet Gavazaj dhe në fushë Herdi Prenga për të forcuar mbrojtjen, mirëpo menjëherë pësojmë. Jo për faj të Prengës, por për një vendosje të gabuar në mbrojtje dhe goditja me kokë e Naismith devijohet në rrjetë nga Gjimshiti, që shkakton autogol. Një gol naiv i pësuar, por menjëherë më pas Shqipëria nuk di të përfitojë, pasi Balaj del i vetëm dhe shpërdoron. Sulmuesi shkodran nuk u beson syve as tre minuta më pas, kur kuqezinjtë për herë të parë krijojnë një aksion model dhe Balaj nuk di të realizojë i vetëm me portierin skocez. Janë 10 minuta të mira për kuqezin- jtë, që çlirohen nga të qëndruarit në pritje dhe nisin të organizohe­n. Balaj bëhet sërish protagonis­t, derisa më pas Skocia "vret" takimin. Si për ironi të fatit, e bën menjëherë pasi në fushë futet Rei Manaj. Këtë herë gabon edhe portieri Strakosha në dalje, duke mos u marr vesh me mbrojtësit kuqezinj. Naismith, njeriu i rasteve të humbura, nuk fal me kokë dhe Skocia e ka autostradë deri në fund. U mendua se do të ulte ritmin, por ndodhi e kundërta. Vendësit me një freski të paparë fizike mund dhe duhet të kishin shënuar golin e tretë. Megjithatë, gjithçka mbyllet me fitoren 2- 0 të Skocisë.

 ??  ?? Foto nga ndeshja Skoci- Shqipëri
Foto nga ndeshja Skoci- Shqipëri

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania