Panorama (Albania)

Apeli e rikthen në qeli, “zhduket” i arrestuari dy herë me armë në Vlorë

Vendimi i gjyqtares Herita Çela që la në "arrest shtëpie" solli reagimin e Kryeminist­rit Rama dhe të ministres së Drejtësisë

-

Gjykata e Apelit jep vendim për ta rikthyer në qeli, i riu arratiset.

Taulant Manaj ( Beqiraj) u la në "arrest shtëpie" në gusht pavarësish­t se ishte kapur me armë zjarri dhe në thyerje të masës "arrest shtëpie". Kjo gjë shkaktoi një furtunë mbi gjyqtaren e çështjes, Herila Çela. Një muaj më pas, kur Gjykata tashmë kërkon rikthimin e 28- vjeçarit në burg, Taulant Manaj nuk gjendet. Vendimi është dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Apelit, ndërsa në momentin që forcat e policisë kanë shkuar për të kryer arrestimin e të riut, është konstatuar arratisja nga banesa. I riu me dy identitete është arrestuar dy herë për armëmbajtj­e pa leje dhe në të dy rastet Gjykata e Vlorës ka dhënë masë sigurie "arrest shtëpie". Fillimisht, ai u përfshi në një ngjarje kriminale në qytetin e Vlorës më 27 shkurt, ku 28- vjeçari Manaj mbeti i plagosur. Ai u arrestua bashkë me disa persona të tjerë, ndërsa gjatë prangosjes iu gjet dhe një pistoletë. Ngjarja ndodhi pranë Kishës Ortodokse ku pati shkëmbim zjarri mes dy grupesh. Përveç armës, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe 10 gëzhoja si dhe dy automjete. Përveç Taulant Manajt, në pranga përfunduan dhe Eris Llanaj dhe Gazmir Canaj. Pavarësish­t këtyre rrethanave, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë vendosi "arrest shtëpie" për 28- vjeçarin Manaj. Ndërkohë, rreth 4 muaj pas kësaj ngjarjeje, në qershor, Manaj u prangos nga Policia pasi gjatë një aksioni u kap me armë në makinë, edhe pse ndodhej në masën e sigurisë "arrest shtëpie". Sërish, pavarësish­t të gjithë rrethanave, Manaj u la i lirë nga Gjykata e Vlorës. Vendimi u mor pikërisht nga gjyqtarja Herita Çela. Lënia në "arrest shtëpie" e të riut solli reagimin e fortë të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Kryeminist­rit si dhe të Kontrollit të Lartë të Drejtësisë, të cilët kërkuan hetim për gjyqtaren, e cila në fakt katër vite më parë pikërisht nga KLD kishte marrë paralajmër­im pas denoncimev­e të shumta të qytetarëve dhe kontrollit të çështjeve në ngarkim të saj. "Vetingu, po zbulon në sytë e shqiptarëv­e pasuri të paimagjinu­eshme dhe shkelje ligjore të panumërta nga ana e gjyqtarëve e prokurorëv­e. Vetingu mund e duhet ta pastrojë deri në fund llumin e mbështjell­ë me togën e zezë", komentoi kreu i qeverisë Edi Rama, lidhur me skandalin e vendimit të gjyqtares. Ndërkohë në reagimin e saj, Ministria e Drejtësisë duke dënuar rastin, veçoi se ky nuk është rasti i parë kur Herita Çela shfaqet në pozicion shqetësues në raport me ligjin dhe për këtë arsye i kërkoi KLD- së që të nisë hetim. Ndaj gjyqtares që ende nuk ka kaluar në procesin e vetingut deri tani nuk ka asnjë masë ndëshkimor­e. Ndërsa nga ana tjetër, Prokuroria apeloi vendimin që çoi më pas në dhënien e masës "arrest me burg" nga Gjykata e Apelit Vlorë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania