Panorama (Albania)

Rrëfimi i Maks Velos nga komunizmi deri pas ‘ 90: Piktorët, seks me modelet në Institut

FLET PIKTORI I NJOHUR: NJE HERE 500- VJEÇARI OSMAN DHE ME PAS REALIZMI SOCIALIST NA E KANE LENE ARTIN PA NUDO

- ANI JAUPAJ

NNëse ka kaluar ca kohë, nuk e ke të thjeshtë t'i shohësh o kujtosh gjërat siç i ke parë e ndjerë kur i ke jetuar. Nga i gjithë përjetimi, mund të ngelen, fjala vjen, ca sy, por edhe ato mbesin si përpjekje të kujtesës për të mos humbur jetën që ke pasur. Mbi to, artistët zhvillojnë portrete të tjera të emocioneve, dikur realiste, dikur surrealist­e a impresione të tjera. Mirëpo, çfarë ndodh nëse nuk e ke në kokë as atë shprehinë e mekur të syve që të kanë parë?! Do ta krijosh nga fillimi… Do ngresh fabulën, do ta vendosësh në dritën ku ke ekspozuar emocionet, pastaj, nga gjendja që ajo krijon, do ngjyrosësh lëkurën. Do bëhesh dy vetë, tre, katër, aq sa të nxjerrësh gjendjen që të ka mpirë kokën. Maks Velo, në nudon e fundit që ka bërë, është ai burri me shpinë që duket larg, është ajo gruaja e ulur me formë edhe pa, që ka ndalur në të gjitha, me sytë e shqyer drejt natës. Lëkura i ka marrë tone të vjollcës, nga zbrazëtia, i ftohti, nga ndarja! Të gjitha këto, Velo nuk i përcjell nga jeta e tij. Nuk ka ndodhur ende që një grua të shkojë në shtëpinë e tij dhe të pozojë nudo për të! Asnjë grua e rastësishm­e e asnjë grua, që ai do dëshironte ta pikturonte. Marrëdhëni­et e tij me gratë vetëm sa e ndihmojnë për të ndërtuar subjektin, por nuk janë piktura. Nudoja nuk është gruaja që piktori, cilido qoftë ai, bën seks! "Nudoja është shikimi, adhurimi, analizimi, meditimi mbi trupin femëror. Është tentacioni për të kuptuar përsosmëri­në. Është shkalla estetike me të cilën matim të gjitha format e tjera natyrale apo artificial­e. Edhe një arkitektur­ë vjen nga një nudo, edhe forma e një avioni vjen nga një nudo. Është kuriozitet­i për të njohur botën në thellësi. Është muzikalite­ti i çdo pjese, i së tërës. Nudizmi është ceremonial­i i adhurimit të trupit femëror".

… Sinteza nuk ka qenë gjithmonë kjo. Kur janë të rinj dhe ushtrojnë dorën, ( për të gjitha nevojat e rrethanat) piktorët, i duan edhe mishin pozës që i zhdërvjell­tëson. Më tutje, kur lapsat janë mprehur sa herë e përdorimi i tyre është lehtësi, kërkojnë adhurimin, muzikën e gjithë meditimin që ngacmon nudoja femërore. "Në vitin 1963, kur kam bërë nudot e para, u hap Instituti i Artit, në rrugën e Kavajës. Shkoja kur vendoseshi­n nudot, mbi pod, në mbrëmje. Studentët diplomantë ose për një kompozim kishin të drejtë të merrnin modelin jashtë orarit. Ndonjëri bënte dhe seks, i paguante Instituti. Po femër të zhveshur kisha parë edhe më parë. Atëherë nudoja bëhej vetëm në Akademinë e Arteve, nuk kish atelie private siç ka në Europë, ku ti paguan dhe mund të shkosh të vizatosh. As sot nuk ka. Ato quhen Akademi Vizatimi. Dhe sot e kam të vështirë ose të pamundur të gjej model që të më pozojë". - Këtë keqardhje të vazhdueshm­e, Maks Velo nuk e ka lejuar të jetë pengesë. Nudot e tij shtohen sa herë që ka shpërthime në kraharor. Vit pas viti, punë pas pune, duken ndryshime të këndvështr­imit apo teknikës, por boshti është ai; adhurimi! Edhe kur Velo e ka parë femrën më të hollë, edhe sot që është e kolme dhe i ndihet era e mishit përmes bojës. "NUDOT SOCIALISTE" QË U SHNDËRRUAN NË

PIKTURA Maks Velo nuk kishte ku t'i fshihte nudot e para që kishte bërë. Ishin vizatime me flomastër, pastele, ose me tempera. "I morën të gjitha, i dogjën në kaldajën e gjykatës"- I kishte mbetur veç një vizatim i vogël, vetëm një linjë e hollë në laps, asgjë më shumë! Sot, ajo copë letre që i shpëtoi zjarrit, ka marrë formë, me vaj, në telajo. Krahasuar me të tjerat, "nudoja socialiste" është pa sy, pa gojë, pa nuhatje! Nën lëkurë i ndizen ca ngjyra të forta, por është e rrethuar përreth nga zymtësia absurde. Ky vizatim shpëtoi sepse gjendej pas shpinës së Velos në një fotografi të tijën. Tjetra, që i përket së njëjtës kohë, është me shpinë të kërrusur, e fshehur mes ngjyrave të banjës së shtëpisë. Tani, nudot e Maks Velos janë bërë të guximshme! Të shohin në sy e bëjnë vetë të parat të afrohen, të ftojnë në shtrat, të sfidojnë. Në njërën prej tyre Velo e ka vendosur veten në telajo. Autoportre­ti i parë i këtij lloji në pikturën shqiptare. Ngjan si ajo fotografia e rinisë që e ruajti nudon pas shpine, por që me fuqinë e Benjamin Batton, u shndërrua në pikturë. "Motivet kanë lindur që në 1964- n. Ishte si një shpërthim i nëndheshëm, i pavetëdijs­hëm, si një çarje primitive… U ktheva në një njeri të shpellave. Unë mesazhe nuk jap dot, as është ky qëllimi. Nëse një artist arrin atë që kërkon, ky është një mesazh i të gjithëve. Është nudoja që jep mesazhin nëpërmjet meje. Kur punoj nudo, jam një i hipnotizua­r në përgjithës­i. Në fakt, është femra ajo që e provon burrin dhe jo anasjellta­s. Është një mashtrim që natyra u ka bërë meshkujve, që i ka bërë të besojnë se janë superiorë. Kam punuar me vizatime me vaj apo bronz". - Do ca kohë që Velos t'i kalojë hipnoza pasi ka pikturuar një nudo. Nuk bëhet merak, më mirë brenda imagjinatë­s së tij lakuriqe, se jashtë… atje ku përçapjet e artistit bëhen gjithnjë të vështira prej botës.

NË STUDION ME PAMJE NGA QIELLI Të gjithë ëndërrimta­rët e rinj që nuk bëjnë asgjë në pritje të muzës, duhet të dinë që te të gjithë mjeshtrit ka ndihmuar praktika, ushtrimi, puna e pandërprer­ë. Maksi jo vetëm që ka regjim absolut, orare precize pune e pushimi, por nxit edhe të tjerët t'i kushtohen një ritmi prodhimtar pune, kudo qoftë e fokusuar ajo. Në studion e tij të veshur me xham e vizatime në karbon që zbusin rrezet e forta,

shkon që herët. I duhet të kapërcej vetëm një derë, nga vendi i ndenjjes ku ulet të skicojë apo bëjë vizatime që kërkojnë një farë rehatie fizike. Drita më e mirë në studion e tij është pikërisht në mëngjes, deri pak pas mesditës. Dielli hyn nga të gjitha anët dhe bashkë me skulpturat e vogla në bronz krijon figura me dritë që e ndihmojnë edhe penelin. Velo sapo ka përfunduar serinë e "Fshatit Primitiv" me ngjyra, në akrikilik dhe të gjitha dritëhijet e figurat që krijojnë rrezet në studion e tij me aromë erëzash, shfaqen edhe aty. Maksi më thirri të shihja nudot në orën kur drita e kënaq më shumë. Gjeti vendin e duhur dhe nisi të tregojë për të gjitha ato emocionet e vogla që mund të flasë piktori, pasi të mëdhatë i ka ngjyrosur me bojë vaji. Keqardhja e tij ngelet vetëm mungesa e modelit, megjithatë nudot shtohen dhe tashmë i kanë sytë hapur. Maksi më tregon një nudo të printuar të Lucian Freud, për të thënë se ç'do të thotë njerëzimi i gjallë. Megjithatë, edhe nëse një grua do të pozonte nudo në studion e tij, nuk do të kishte agresivite­tin e nudove të Freud sepse ndikimet e tij janë të tjerë.

NDIKIMET E MJESHTËRVE

Në dhjetor të 1917- s, piktori Italian Amedeo Modiliani hapi ekspozitën e parë personale. Kreu i shërbimit policor të Parisit u skandalizu­a kur pa të ekspozuara në vitrinë nudot e Modilianit, aq sa e detyroi që ta mbyllte ekspozitën pak orë pas hapjes. Si Modiliani, edhe piktorë të tjerë nuk e patën të lehtë atyre viteve të bënin ç'u thoshte ndjenja e absinthi. Bota shijoji më pas gjithë fuqinë e artit, për të cilin shumë emra mjeshtëris­h dhanë edhe jetën. Van Gogh ka qenë një nga shpëtimtar­ët e Velos, sa herë mendimet erreshin kur ishte në Spaç. Nga jeta e Vincentit kishte pak për t'u ngushëllua­r, por kryeveprat e tij ishin aq ndikuese sa mund t'i përmirëson­in gjumin. Ata që e mbajtën, ata që e përmirësua­n, janë të gjithë nga pak në krijimet e tij. "Piktorët që kanë ndikuar te unë, në nudo dhe jo vetëm, janë shumë… pafund, po unë do marr vetëm ata të epokës moderne: Dega, Picasso, Maillol, Modigliani, Gogen, Matisse, Schiele, Klimt, Moor, Pascin, etj.". Pak në ngjyrën e lëkurës, pak në linja, pak në penel, mjeshtërit gjenden të gjithë aty, siç një pjesë ishin kur Maksi lindi në ' 35- n, në Paris, ndërsa pikturat e tyre kishin filluar të tronditin botën. Por pavarësish­t ndikimit, Maks Velo qoftë në vizatime, qoftë në tablo, ngelet realist ndërsa abstragon në maketet me bronz.

NUDOJA NË KOMUNIZËM

"Gjatë 45 viteve në tërë ekspozitat nuk u ekspozua asnjë nudo. Në tërë territorin e Shqipërisë nuk ka asnjë skulpturë nudo të ngritur ato 45 vjet. Ka torse greke apo romake, por jo socialiste. Kur bëj këtë pohim, dua të them se artistët nuk ishin të lirë. Të bësh vetëm heronj me partizanë, punëtorë, fshatarë dhe ushtarë, nuk mund të bësh art të pastër. Ai ishte një teatër i ngurtësuar. Nëse arti nuk ka trupin femëror, dështon. Dhe dështimi në art është më keq se vdekja. Asnjë artist nga Kampi Socialist nuk futet në Historinë e suksesit të Artit të shekullit të XX- të. Mungesa e nudos ishte mallkimi. Edhe pas ndryshimit të sistemeve, nudoja është lëvruar pak, por pa sukses. Arti kërkon vazhdimësi. Ne fatkeqësis­ht kemi pasur ndërprerje të gjata. Njëherë 500- vjeçari Osman, si një çadër i ngritur në mes të Ballkanit, me një kazan me hallvë. Pastaj Komunizmi si çadër e Realizmit Socialist pa nudo. Gjëja më e vështirë për një komb është të rikuperosh ADN- në e humbur në udhëkryqet e historisë. Dhe ADN- në artistike. Kjo që bëjmë është ' me sikur', ose ' do bëjmë si ata ' perëndimor­ët'". Na pëlqen të përjetojmë historinë e të tjerëve, edhe në art. Po nuk e kalove vetë Golgotën, nuk e ke mbajtur kryqin mbi shpinë.

 ??  ?? MAKS VELO NE STUDION E TIJ
MAKS VELO NE STUDION E TIJ
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ?? Disa nga nudot e Maks Velos në studion e tij
Disa nga nudot e Maks Velos në studion e tij
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania