Panorama (Albania)

Sherri për pronën, 61- vjeçari masakron kunatën

-

Qefsere Koleci u dhunua barbarisht nga kunati dhe dy djemtë e tij, si rrjedhojë e përshkallë­zimit të konfliktit për rrugën e bllokuar. Me plagë të shumta në gjymtyrë, trup dhe kokë ajo ndodhet e shtruar në Spitalin e Traumës në kryeqytet, nga ku i bën apel Prokurores së Përgjithsh­me të ndërhyjë për zbardhjen e ngjarjes. Në të kundërt, ajo thotë se do të përsëritet masakra e Selenicës, ku mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të një familjeje. “Kemi një konflikt për një rrugë, e cila është pronë shtetërore që i përket fondit pyjor. Komisioni i Ndarjes së Tokës, me Ligjin 7501, ma ka lënë aty rrugën. Pas 23 vitesh, zotëria ma ka bllokuar. Kam kërkuar ndihmë në të gjitha institucio­net, të gjitha më kanë thënë që kam të drejtë, por drejtësia nuk doli”, shprehet 55- vjeçarja nga spitali. Qefsere Koleci tregon më tej se pas shkuljes së ullinjve të mbjellë nga kunati, nga ana e IKMT- ut, për të mundësuar hapjen e rrugës, ai është hakmarrë. Por, ajo thekson se kjo nuk është përplasja e parë mes dy familjeve, pasi edhe në raste të kaluara Medi Koleci dhe djemtë e tij ia kanë dhunuar fëmijët disa herë. Për këtë arsye, ajo thotë se nëse nuk ndërhyhet për zgjidhjen e situatës, mund të kemi përsëritje të një masakre të ndodhur vetëm pak kohë më parë në Selenicë. “Më datën 22 shtator, me urdhër të drejtorit të IKMT- ut, Ardian Halili, me ndihmën e Policisë së Shtetit, kanë ardhur dhe kanë hapur rrugën, por zotëria përsëri e ka mbyllur. E ka marrë Policia dje, e ka dërguar në Prokurorin­ë e Durrësit dhe e ka mbajtur gjithë ditën. Natën e ka liruar prokurori i Durrësit, po nuk e di se cili prokuror. Kjo është dhunë në familje, më janë masakruar fëmijët disa herë. I kam dërguar letrat në Policinë e Durrësit, Policia i ka dërguar te Prokuroria, Prokuroria i ka mbyllur çështjet. I bëj thirrje Arta Markut, Kryeprokur­ores, të zbardhet çështja një orë e më parë, të mos ndodhë si masakra e Vlorës”, përfundon Qefsere Koleci.

 ??  ?? E dhunuara në spital
E dhunuara në spital
 ??  ?? Qefsere Koleci në spital
Qefsere Koleci në spital

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania