Panorama (Albania)

Veliaj: Ky teatër, shembull për të riun

-

Pas një mungese prej dy dekadash, rinisi mbrëmë Festivali Mbarëkombë­tar i Teatrove, ku marrin pjesë 14 trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Në ceremoninë e hapjes, në skenën e re të “arTurbinës” u ngjitën drejtorët e Teatrit Kombëtar të Tiranës, Hervin Çuli, ai i Prishtinës, Agron Myftari dhe i Shkupit Adem Karaga. Ndriçim Xhepa, kryetar i jurisë, u shpreh se është vlerë që rifillon ky festival i teatrove, për të cilin kanë nevojë qendrat tona, krijues, kostumogra­fë, regjisorë etj.. “Por unë do të hidhja gjysmë ideje, meqenëse tre drejtorët janë këtu, që ky festival që rifillon, ndoshta jo çdo vit, por një herë në dy vjet, të bëhej, se do të vinte natyrshëm, që trupat e rretheve njëherë në dy vjet të kenë mundësi që të zgjedhin prodhimin më cilësor të tyre. Do të ishte e padiskutue­shme. Por sugjeroj që mos të mbetet vetëm në festivalin e Tiranës, pas dy viteve të bëhet në Prishtinë, në Shkup. Ndoshta nga lëvizja e skenës dhe nga ana ekonomike mund të lehtësohej organizimi”, tha Xhepa, duke shtuar që kjo ide të vazhdojë e të mos mbetet përgjysmë si gjithçka që bëjnë shqiptarët.

Po ashtu do të thoshte të vetën edhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj. “Sa herë bëjmë gjëra të tilla, hasim faktin se njerëzit thonë që ne nuk kemi bukë të hamë. Por unë bëj pyetjen pse nuk kanë nevojë njerëzit për teatër, film, etj.? Fakti që kemi bërë 700 aktivitete në vit, pyetjes së Xhepës i përgjigjem, që jemi të gatshëm, që jo vetëm të bëjmë një aktivitet teatror, por edhe shumë të tjerë. Besoj se teatri i ri është ky shembull, më pak preokupim për llaç e tulla, por me ato pak para që ne kemi, të financojmë teatro si ky që ne kemi sot”, tha ai.

Për ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, ky festival i shkon për shtat Vitit Mbarëkombë­tar të Skënderbeu­t.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania