Panorama (Albania)

Grabitet me armë e maska furgoni, merren 16 mijë euro

Tre persona iu morën 16 mijë euro pasagjerëv­e e shoferit. Furgoni kryente transferta parash nga emigrantët në Itali

-

Furgoni që kryente veç transporti­t të qytetarëve edhe transfertë parash, ka rënë dje pre e grabitjes në mes të ditës në Vlorë.

Tre persona të maskuar dhe të armatosur vepruan pak pasi furgoni zbarkoi nga trageti i linjës Brindizi- Vlorë dhe u nis për t'u parkuar në stacionin e përhershëm pranë stadiumit "Flamurtari". Pikërisht në këtë moment, kur furgoni parkoi bashkë me 6 pasagjerë që ndodheshin në të, tre personat e armatosur dhe të maskuar kanë ndërhyrë duke iu grabitur shoferit e pasagjerëv­e në total një shumë prej 16 mijë eurosh.

NGJARJA Sipas të dhënave nga Policia e Vlorës, ngjarja ndodhi rreth orës 09: 05 në zonën e Skelës pranë stadiumit "Flamurtari", kur 3 persona dyshohet të maskuar kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve të zjarrit dhe dhunës shoferin e furgonit të linjës "Itali- Vlorë", si dhe disa nga pasagjerët. Autorët e ngjarjes, pas grabitjes janë larguar menjëherë me dy automjete, të cilët në tentativë për t'iu shpëtuar forcave të policisë që ishin vënë në ndjekje të tyre, i kanë braktisur te nënkalimi i "Panajasë" dhe janë larguar në këmbë nëpër kodrat e këtij fshati për t'u fshehur në pyll. "Reagimi i menjëhersh­ëm i Policisë së Vlorës, mbështetur nga FNSH- ja e Fierit, bëri të mundur që pas rreth 30 minutash ndjekje të kapej në kodrat e Panajasë njëri prej autorëve të grabitjes, konkretish­t shtetasi: Armand Kuqi, 29 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë. Ndërkohë, Policia vijon ndjekjen për kapjen e dy personave të tjerë, të cilët janë larguar me shpejtësi në kodrat përreth duke u futur në pyll, ku ende vijon krehja e zonës për kapjen e tyre. Në afërsi të vendit ku u kap autori i parë është konstatuar edhe një shtetas tjetër, i cili është shoqëruar në Polici e po punohet për të parë nëse ka ose jo lidhje me ngjarjen. Në cilësinë e provës materiale Policia ka bllokuar dhe sekuestrua­r 2 automjetet dhe 2 armët e zjarrit, që dyshohet se janë përdorur nga autorët", thuhej në njoftimin e Policisë.

TE DEMTUARIT Furgoni me targë AA 227 KL mësohet se kryen linjën e Italisë nga Vlora drejt Firences dhe anasjellta­s. Furgoni sjell shpeshherë porosi për persona të ndryshëm, deri edhe shuma monetare të dërguara nga të afërm të shtetasve që ndodhen në Itali. Në momentin që furgoni ka parkuar dhe qytetarët që prisnin të merrnin paratë janë afruar, aty janë shfaqur edhe tre personat e armatosur. Nën kërcënimin e armëve, ata arritën të grabisnin të gjithë qytetarët që morën paratë e dërguara nga familjarët e tyre, por edhe pasagjerët që ndodheshin në mjet bashkë me shoferin. Të dëmtuarit nga kjo ngjarje pohuan se kishin pasur shuma të konsiderue­shme, deri në 4 apo 5 mijë euro. Pasi arritën të marrin rreth 16 mijë euro, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me dy mjete, të cilat rezultuan se ishin vjedhur prej tyre. Policia ka sekuestrua­r mjetin tip "Benz mercedez" me targa AA 523 BT, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes si dhe "Audi" me targa AA 625 IR, të cilin edhe këtë e kanë braktisur në afërsi të fshatit Panaja.

HETIMI Veç personit të arrestuar dhe një tjetër i ndaluar si i dyshuar, blutë po kërkojnë edhe dy persona të tjerë. Deri më tani nuk ka të dhëna në lidhje me shumën e parave të grabitura. Policia nuk konfirmoi nëse i arrestuari posedonte një pjesë të kësaj shume. Ai është marrë në pyetje, por për efekt hetimi nuk bëhen të ditur emrat e dy personave të tjerë që kanë marrë pjesë në krim. Burime të Policisë bënë të ditur se ka dyshime për bashkëpunë­torë të tjerë në grabitje, të cilët kanë qenë në dijeni të parave që transporto­heshin në këtë formë, por edhe itinerarin e saktë të furgonit, drejtuesi i të cilit merrte përsipër edhe transferta parash.

 ??  ?? Pasagjerët e grabitur në vendin ku ndodhi grabitja e furgonit
Pasagjerët e grabitur në vendin ku ndodhi grabitja e furgonit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania