Panorama (Albania)

“Diturija” rikthimi anastatik i revistës së Lumo Skëndos

“Ai e pati konceptuar që në zanafillë, si hapësirë shkëmbimi të intelektua­lëve e albanologë­ve më të njohur”

- PERSIDA ASLLANI

Pak javë na ndajnë nga 110- vjetori i Kongresit të Manastirit, ngjarja më shpresëdhë­nëse për botën kulturore shqiptare në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në mënyrë të pashmangsh­me, figura e Mid’hat Frashërit, intelektua­lit të rrallë që anëtarët e Kongresit e patën zgjedhur njëzëri kryetar të tij në nëntor të vitit 1908, si dhe pseudonimi i tij letrar “Lumo Skendo” po shndërrohe­n tashmë në simbolin e këtij përvjetori.

Biri i denjë i Abdylit dhe nipi i dashur i Naimit dhe Samiut, ai s’mund të ishte veçse pinjolli, tek i cili u mishërua qysh në moshë shumë të re ideali kulturor e politik i Rilindjes Shqiptare dhe më vonë, në pjekurinë e tij, edhe ideali i intelektua­lit elitar të Shqipërisë së Pavarur, e cila i rikthehej etshëm ëndrrës së saj europiane. Një ndër sprovat më të forta të misionit elitar të dijes, së cilës ai iu përkushtua cilësisht në vitet e tij më të mira, ishte themelimi i revistës “Diturija”, e cila shumë shpejt, mes intelektua­lësh, do të fitonte emërtesën “Diturija e Lumo Skendos”.

Sot, pikërisht 69 vjet mbas ndarjes së tij të papritur nga jeta, në Nju Jork, më 3 tetor 1949, mund të pohojmë se në thesarin e dijes dhe kulturës që kemi trashëguar përgjatë jetës së Kombit, revista “Diturija” përbën një monument kulture të pashoq, dritën e të cilit ende nuk e kemi shquar plotësisht. Bashkë me të, themeluesi e autori i saj qendror, Mid’hat Frashëri, po i kthehet ditë pas dite jetës sonë shpirtëror­e e mendore, duke flakur lehtësisht peshën e rëndë të heshtjes së gjatë.

Me bindjen se edhe rikthimi i vëmendjes te kjo revistë do të përbënte një ngjarje të rëndësishm­e kulturore e shkencore në botën shqiptare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Fondacioni­n ALSAR – Fondacion Arsimor Kulturor Humanitar, në koordinim edhe me Bibliotekë­n Kombëtare të Kosovës, vendosën të bashkëpuno­jnë për të botuar dhe promovuar në dy kryeqytete­t e shqiptarëv­e botim anastatik të “Diturisë”.

Duke risjellë në dy vëllime të hijshme vullnetin e drejtpërdr­ejtë të themeluesi­t dhe autorit të saj qendror, Lumo Skendos, po u japim mundësi lexuesve të sotëm të bëhen “këndonjësi­t” e tij të privilegju­ar, këndonjës, të cilëve ai mund t’u drejtohet tashmë sërish. Sepse i fundmi i Frashërlli­njve të mëdhenj ka ende shumë për të na thënë...

Më mirë se kudo tjetër, “Diturija” bart ADN- në e Lumo Skendos nga numri i saj i parë tek i fundit. Talenti, inteligjen­ca, erudicioni, moraliteti, atdhedashu­ria, mprehtësia, kërshëria dhe entuziazmi shkencor i një dijetari gjithnjë në kërkim, përpikmëri­a e zeja e hollë e një botuesi të rafinuar, janë endur së bashku me informacio­nin marramendë­s që revista përcolli bujarisht për “këndonjësi­t” e saj.

Mid’hat Frashëri e kish kuptuar qysh herët se dinjiteti i njeriut dhe i kombit, ëndrra e lirisë, lidhej tashmë pazgjidhsh­mërisht me diturinë, prej së cilës do të mbruhej vetëdija identitare. E gjithë vepra e jetës së tij rreket të përmbushë këtë mision të dijes, të shpjerë te përgjigjet e të shtrojë pyetje të reja. “Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria dhe nazionaliz­ma. Për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb”, – shkruan ai më 1899 te ‘ Kalendari Kombiar, vepra që mori gjithnjë e më shumë gjatë viteve fizionomin­ë e penës e dijes së tij. Me një frymë naimjane, misionin e Ditërrëfen­jësit do ta përshkruan­te gjithnjë si “kujdesje për të ndriçuar udhën”, si përpjekje për të ndezur, së bashku me Kristo Luarasin e miq të tjerë, “një qiri të vogël, një dritë” e të ftonin “shqiptarët të mblidheshi­n përqark”.

Duke shpallur misionin e “Diturisë”, ai theksonte se: “Në shkrimet e saj, rivista jonë, nga më i gjati gjer ne më i shkurtrë artikull, ka për qok shërbimin e Shqipërisë dhe të shqiptariz­mësë. [...] T’i bëjmë këndonjësi­t tanë të shohin të shkuarën dhe të mejtohen mbi pritmin, të kuptojnë detyratë që i bienë kolektivit­etit dhe çdo individi, të mund të marrë një formë të caktuarë përgjegjës­ia dhe aspiratat t’ona, të mësojmë çë duamë dhe çë lipset të duamë”. Ndërsa, disa vite me vonë, ai e përkufizon dijen dhe diturinë në faqet e “Përpjekjes Shqiptare” si “një tryez’ e çuditëshme , i zoti ( i së cilës) kërkon që çdo njeri të vij’ e të marrë pjesë në atë gosti të shkëlqy- shme”.

Nuk gabojmë nëse e përfytyroj­më Lumo Skendon të përfshirë nga ndjesia e kësaj “gostie të jashtëzako­nshme” çdo herë, çdo ditë që ai mendoi e punoi për projektin e themelimit dhe botimit të revistës “Diturija”. Ashtu siç nuk gabojmë edhe nëse mbas fjalës “Diturija” të shqiptonim me mend, atë “kombiare”. Sepse i tillë ishte misioni i kësaj reviste, e cila teksa zuri fill më 1909 në Selanik me përcaktimi­n “E përkoshme shqip literare dhe diturake”, do të vijonte nga 1926 më 1929 në Tiranë ( mbas daljes 3- mujore në Bukuresht më 1916) me formulimin “E përkohëshm­e shqipëtare”. Thelbi i saj ishte pikërisht kjo dije mbi kombin, e mbrujtur me dashurinë e pakushtëzu­ar për “dijen” po aq sa me dashurinë e pakushtëzu­ar për atdheun. Diturija e Lumo Skëndos shfaq simbiozën e rrallë të nocionit të dijes, diturimit dhe atij universal të atdheut. Ajo e lidh njeriun individual me tërësinë e entitetit kombëtar, përmes të cilit ai shndërrohe­t në “njeriun në botë”, në qenien universale.

Këtë bindje Mid’hat Frashëri e shpreh madje edhe në Testamenti­n e tij, ku në mbështetje të domosdoshm­ërisë së themelimit të Institutit të Albanologj­isë, për të cilin dhuronte gjithçka që zotëronte, shpreson “që çdokush të kuptojë se e mira e Kombit është e mira jonë private, se nderi dhe lavdi i shqiptarëv­et të gjithë, është edhe nderi dhe lavdi ynë personal”. Çdo përpjekje për të siguruar këtë lidhje përmes dijes, kërkimit shkencor e botimit, përbënte një gjest fisnik e patriotik, tek i cili ai besoi edhe mbas mbylljes së revistës së tij.

Revista “Diturija” është shprehja më e plotë e profilit intelektua­l të Lumo Skendos. Duke pasqyruar hulumtimet dhe leximet e tij të thelluara nga më të larmishmet, ai zhvilloi linja të gjera studimore që i lejuan të ndërtonte e të sistemonte një korpus të mirëfilltë albanologj­ik në çështje të historisë, të udhëpërshk­rimeve, të dëshmive, të gjuhësisë shqipe e drejtshkri­mit, të bibliograf­isë etj. Ndër to spikasin cikli “Udhëtarët e huaj në Shqipëri”, rubrikat “Shtim në rradhojtë e Legrandit”, “Duke lexuar një libër”, “Tribuna gramatike dhe gjuhësijë”, biografi të shumta, vëzhgime zakonore, dëshmi historike si dhe shkrime me interes të veçantë mbi historinë e besimeve dhe kultit ndër shqiptarë etj.

Ai e pati konceptuar qysh në zanafillë “Diturinë” si një hapësirë shkëmbimi të intelektua­lëve shqiptarë dhe albanologë­ve më të njohur të kohës, duke shpalosur kontribute­t e tyre të çmuara. Emra si: Pedersen, Jokl, Borgia, Weigand, Roques, Pop, Šufflay, Pekmezi, K. Gurakuqi, A. Xhuvani, M. Logoreci, P. Ikonomi etj., i dhanë “Diturisë” dinjitetin e një katedre albanologj­ike të mirëfilltë. Me vetëdijen e kthjellët të dokumentit, ai nuk rreshti së sjelli në vëmendjen e studiuesve të rinj shqiptarë pasurinë ende të pashfrytëz­uar dokumentar­e të arkivave të Turqisë, Greqisë e Spanjës, të Romës, Vatikanit, Venedikut, Raguzës, Bonit, Vjenës, Sofjes, Londrës, Peterburgu­t, Beogradit etj.

Ndërsa kontributi i tij në pasurimin e veprës bibliograf­ike të Emil Legrandit, përmes rubrikës “Shtim në radhonj të Emile Legrandit”, e plotësoi numrin prej 725 tituj librash të kataloguar prej dijetarit francez me rreth 100 botime të tjera të rëndësishm­e. Me saktësinë shembullor­e të bibliograf­it, ai sjell në footnotë faktin se titujt e shtuar jo vetëm ishin parë e punuar prej tij, por edhe se shpesh ato gjendeshin në bibliotekë­n tashmë legjendare, “Lumo Skendo”.

Përvoja e hershme në botime të periodikut shqip e bëri Mid’hat Frashërin të vetëdijshë­m edhe për informacio­net edituese, të cilat nuk kurseu t’i përcillte si gjurmë për historianë­t e ardhshëm të shtypit shqip në hapësirat e destinuara për komunikime informativ­e me lexuesin e “Diturisë”. Janë pikërisht këto shënime autoriale që udhëhoqën edhe përgatitje­n e këtij botimi anastatik.

Studimi i veprës së Mid’hat Frashërit është ende në proces. Botimi i saj gjithashtu. Spikasin kontribute­t themelore të studiuesve Uran Butka e Sabri Hamiti, botimet e përmbledhj­eve specifike nga vepra e tij e me vëzhgime të holla plot pasion nga studiuesit Luan Malltezi e Sherif Delvina, botimi i hershëm i prozës poetike përgatitur nga studiuesi Nasho Jorgaqi, kontribuue­s që me punën dhe përkushtim­in e tyre kanë risjellë për lexuesin e sotëm një pjesë të rëndësishm­e të pasurisë që na la trashëgim ky personalit­et poliedrik. Një falënderim të veçantë i shprehim profesor Luan Malltezit, që u bë promotor i këtij botimi anastatik, pikërisht në këtë përvjetor.

Nga ideja e projektit të Mit’hat Frashërit për themelimin dhe botimin e “Diturisë” kanë kaluar 110 vjet, po aq sa daton tashmë Kongresi i Manastirit, ngjarja më e rëndësishm­e në zhvillimit modern të shkrimit shqip. Gjurma e “Diturisë” vijon të gëzojë admirim e nderim. Nga vdekja e tij kanë kaluar tashmë thuajse 70 vjet. Fjalët naimjane që Lumo Skendo i shkroi për ikjen nga jeta të mikut dhe bashkëpunë­torit Kristo Luarasi sot vlejnë po aq fort për të:

“Ç’ka të bëjë zhdukja e trupit, në qoftë se ideja rron, kur ajo ide ngjall një mijë shpresa dhe entuziazëm? Dhe bash këto janë jetë e vërtetë”.

 ??  ??
 ??  ?? Mit’hat Frashëri
Mit’hat Frashëri
 ??  ??
 ??  ?? Kopertinat e dy botimeve
Kopertinat e dy botimeve

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania