Panorama (Albania)

Një rrugë të vetme Kryeminist­ër!

- AGRON GJEKMARKAJ

KurKryemin­istri Edi Rama, asokohe lider i opozitës, na pat propozuar të vetmen rrugë, shumica...

e shqiptarëv­e nuk i besuan dhe votuan kundra. Më vonë, më i rafinuar në fabul, propozoi “Rilindjen” dhe i doli mbroth. Pikërisht qysh atij momenti të pavëmendsh­ëm ndaj kësaj oferte, banorët e një zone, punëtorë tek nuk vë, të bekuar nga Zoti për pasuritë natyrore dhe historike i kërkojnë Kryeminist­rit dhe ministrit të tij faqelëmuar të Infrastruk­turës dhe Transporte­ve veç një rrugë të vetme diku nja 7- 8 km. E pra, Qeveria ka shpallur me bujë e sakramend propagandi­stik bërjen e nja 100 qendrave të fshatrave të ndryshme të këtij vendi kaq të laskaruar e çaraveshur nga pikëpamja urbane. Vërtet kudo ka nevojë për ndërhyrje! Po kaq mirë e dimë se fshatrat e bregut si Dhërmiu, Qeparoi, Vunoi, gjysmëqyte­ti i Himarës janë të bukur e turistikë, ndaj investimet në to janë një vlerë e shtuar e ashtu edhe plot fshatra të tjera anembanë jugut të vendit. Por i duhet kujtuar Kryeminist­rit dhe ministrit Gjiknuri që është njësoj Shqipëri edhe Veriu i vendit e po kaq shqiptarë edhe banorët e tij, e po kaq të varfër e nevojtarë e kaq e kaq e kaq mund ta zgjasim pafund.

Nuk do të habiteshim nëse Ministria e Kulturës vendos të restaurojë shtëpinë e tezes partizane të ministrush­es Kumbaro apo të mbledhë në një libër intervista­t e Rrapi Minos. Aspak nuk do të rënkonim habie nëse shoku Gramoz do investohej personalis­ht pranë Edi Ramës për të mobilizuar Grupin Parlamenta­r të PS- së në prerjen e kashtës për të rimbuluar kasollen e Galigatit! Fare nuk do ia merrnim për keq Fatmir Xhafës nëse do të propozonte meremetimi­n në Helmes të muzeut, ku u themelua rinia komuniste se helbete ka qenë sekretar i saj! Sa do të gëzohej diaspora nëse Pandeli Majko bën një antologji me këngë partizane dhe aty nga fundi fut edhe dy a tri për Ramën, teksa në kopertinë një foto të tijën shend e verë. Normale, do të na dukej gjithësa, nëse Ahmetaj dhe Gjiknuri do të bënin një tender apo PPP të mirë për të gjitha këto, përfshirë edhe lapidaret ndanë xhadesë apo spitalet partizane të Kinostudio­s për t’i ndrequr e namatisur pa harruar sharrën e drurit, me të cilën pritej këmbë e gangrenizu­ar! Me kërshëri do të priteshin edhe kujtimet e Saimir Tahirit të përmbledhu­ra në vëllimin “Kur mblidheshi­n rrënjët e para të hashashit” ose ato të Ilir Beqes “Si m’u drodh dora kur firmosa koncesioni­n e parë”.

Pak nga pak duhet të mësohemi me shembjen e Teatrit dhe ngritjen e kullave me paratë, që vërshojnë rreth atyre binave! Por shumë do të habiteshim me gëzim, nëse dikush nga këta burra e gra madhështor­ë e sqimatarë të cilët na qeverisin, edhe pse ua thyejmë zemrën çdo ditë, do të kujtohej për Shurrdhahu­n e lashtë e atë të riun. Nji ishull që të le pa frymë, në mes të liqenit të Vaut të Dejës, për pozicionin dhe trashëgimi­në kulturore që bart, pret një sy e pret një dorë, por këndej nga Tirana s’e ka kush mendjen te rrënjët, se këqyrin kah bashkëkohë­sia, kah horizontet e reja, kah krekosja e begenia, kah fjalori demokratik e politik i zgjedhur i qëruar i pabdarur nga mendimet origjinale. Për ata që nuk e dinë, aty janë muret e një kështjelle ilire, të cilat datojnë në shekullin e VI para Krishtit, një bazilikë ende në funksion e shekullit VIII pas Krishtit, disa mure kishash e altaresh po kaq të vjetra. Aty thuhej se para sa të shkelnin otomanët me kadastrën e tyre, kishte 365 altare dhe ishte një qytet i begatë. Ende ajo që ka mbetur aty, është një mrekulli e shpëtuar nga uji që e rrethon, por edhe nga devocioni i banorëve të Rragamit. Shteti duket se nuk ka kaluar kurrë asaj ane. Si fillim, nëse ushtarët e Olta Xhaçkës presin ferrat e drizat, do të ishte një shkëndijë vëmendjeje.

Në këtë ishull shkohet me barka peshkatarë­sh. Të vetmit turistë janë miqtë shqiptarë apo të huaj, që për t’u shtuar ndjeshmëri­në, por edhe për t’i mahnitur, mbeten ata që shpie famullitar­i i zonës, i cili mbështille­t ende me jehun e klerikëve të mëdhenj katolikë shqiptarë. Dom Gjovalini, prej vitesh, është shndërruar në zërin përfaqësue­s të banorëve të Rragamit dhe Sheldisë për një rrugë të vetme 7 a 8 km që lidh këto zona mes vetit për të nxjerrë në pah të shkuarën, por edhe për të lëvizur ekonominë që lëvrin me duhanin, bujqësinë, artizanati­n e tezgjahut, i famshëm edhe në Milano të Italisë. Po ashtu, një shkollë e murgeshave dinjitoze, po kaq cilësore, mbledh fëmijët e krejt zonës, por edhe të Shkodrës, të cilët udhëtojnë nëpër një rrugë ferri. Megjithëse nuk e ka humbur shpresën, fati ende nuk i ka buzëqeshur. Ai( prifti) s’do ta besojë që gjithë ajo bukuri dhe nevojë për rrugë ndëshkohet se Rragami dhe Sheldia votojnë djathtas historikis­ht. Ata gjind të mirë e kanë përcjellë nga gjyshi te nipi kujtimin e poetit të pushkatuar Lazer Shantoja, autorin e poezisë “Për një puthje të vetme”, të cilin kur e ëma e pa me këmbët e thyera e të kalbura, u tha torturuesv­e të tij “vriteni, në kini Zot, jua paguaj unë plumbin”. Po kështu e kanë përcjellë aktin gjyshërit e atyre që vranë Shantojën dhe strehuesin e tij Dom Ndre Zadejën te nipërit e vet, mbase ndonjë edhe me pushtet sesi i vramë poetët “reaksionar­ë”! Dom Gjovalin Sukaj po projekton një muze historiko- religjioz për martirët, por edhe për antikiteti­n e aspekte etnografik­e të krahinës gjithashtu.

Kryeminist­ri duhet ta marrë vesh se në Rragam të Shkodrës dhe kudo në Veri po krijohet një përshtypje që “Divizioni i parë sulmues” po kalon përsëri Shkumbinin si në vitin 1944, por nga e kundërta me buxhetin e shtetit ngarkuar e shprazur në zonën e parë operative dhe elektorale, duke lënë në mëshirë të fatit “reaksionar­ët”, që pat shtypur “divizioni i parë i gjyshërve”. Thyeje këtë tabu Kryeminist­ër me një rrugë të vetme, se të bëhet mirë edhe ty, madje edhe Damjanit, që për mëmëdhe njeh vetëm fshatin e gjyshit. Një Kryeminist­ër i ka të gjithë njësoj qytetarët e vet. Ne Shurrdhah është e ngulur një spirancë e rëndë e identiteti­t europian të shqiptarëv­e, e cila nuk duhet të këputet nga ndryshku i politikave tribale dhe lëbyrja me mediokrite­t e disa ministrave, tanimë pa sharm.

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania