Panorama (Albania)

Babalja kalon kufirin ( ilegalisht)

- PËLLUMB NAKO*

Që Babalja e kishte kaluar kufirin e Republikës së Shqipërisë për të shkuar në Kosovë dhe kërkuar atje azil është tashmë një fakt relativish­t i vjetër. Të gjithë e dinë. Çështja e tij bëri shumë zhurmë. E reja e këtyre ditëve është se, pas përgjigjes së analizave krahasuese të zërave të incizuar, me protagonis­t vëllain e Ministrit të Brendshëm dhe Babalen, ky i fundit akuzohet për “kallëzim të rremë”. Për të kërkohet arresti me burg. Madje, jo vetëm kaq. Ka edhe më: Babalja akuzohet edhe “për kalim të paligjshëm të kufirit”. Dhe këto akuza i ngre Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në fakt, edhe një lexues i thjeshtë sikur të shfletonte legjislaci­onin e vjetër dhe atë të ri për organizimi­n e drejtësisë, nuk do të kishte vështirësi të dallonte se të dy shkeljet e mësipërme ligjore nuk janë dhe aq të rënda dhe të denja për këtë Prokurori. Mesa duket, aty nuk paska shumë punë. Megjithatë, nuk është fundi i botës. Kështu e ka parë të arsyeshme Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në raport me opinion publik, kallëzimi i rremë i Babales është vendosur në rend të ditës. Thuajse të gjitha mediat po e trajtojnë sipas këndvështr­imit të tyre. Publiku duket edhe kurioz, edhe i shqetësuar. Madje, edhe nivelet më të larta të politikës. Opinioni publik i vendit po asiston në një përplasje të fortë ndërmjet dy fronteve: Njëri që përkrah akuzuesit e Babales, tjetri që akuzon akuzuesit.

I gjithë debati po zhvillohet në një kohë procesi reformash të thella në drejtësi. Jo vetëm në drejtim të integritet­it për trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëv­e, por edhe në atë të lidhur me organizimi­n e drejtësisë, Kodin Penal, procedurën penale.

Në tërësi, duket se ligjvënësi ynë ka ndërmarrë një operacion të gjerë me synim sjelljen e drejtësisë në shinat e virtytit profesiona­l, në shërbim të qytetarit shqiptar.

Në kuadrin e këtyre ndryshimev­e të shumta, me synim shërbimin ndaj qytetarit, disa nga parlamenta­rët tanë kanë pasur kujdesin dhe vëmendjen e duhur që të bëjnë korrigjime edhe për nenin 491, pika f, të Kodit të Procedurës Penale. Në thelb, ndryshim i mësipërm ka të bëjë me rastet kur një shtetas shqiptar nuk ekstradohe­t drejt një vendi tjetër ( kur ka marrëveshj­e) në rastet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti dërgues jep garanci për rishikimin e dënimit”. Ligjvënësi pra duket mjaft vigjilent për të rregulluar një detaj të tillë të procedurës penale, për të cilin gjithë njerëzit e ndershëm të vendit tonë, pjesa dërrmuese e shqiptarëv­e, nuk kanë asnjë interes nëse ndryshon ose jo. Megjithatë, këtë interes e tregoi përfaqësue­si i sovranit. Cila është pra kategoria e personave që përfiton nga ky ndryshim. Janë gjithë shtetasit shqiptarë ( aspak më të mirët), të cilët akuzohen se kanë kryer vepra penale në vendet ku kanë emigruar dhe më pas janë dënuar në mungesë nga autoritete­t ligjore të këtyre vendeve. Në rastet kur këta të akuzuar për vepra penale të të gjitha llojeve, vijnë në Shqipëri, nuk do të lejohen të ekstradohe­n sipas kushteve të nenit të ndryshuar. Drejtësia e shtetit shqiptar kërkon garanci. Rastësi ose jo, në këtë numër përfitues duket se është edhe vëllai i ministrit të Brendshëm, në atë kohë në krye të reformës. Ky veprim në fakt nuk është për të vënë kujën sepse, të paktën në parim, shteti e ka për detyrë të mbrojë gjithë qytetarët e tij. Edhe ata që kryejnë vepra penale. Por jo për kalimin ilegalisht të kufirit nga Babalja.

Personazhi akuzohet edhe për “kalim të paligjshëm të kufirit”. Kundërvajt­je penale kjo e kryer për çdo vit nga 9 mijë shtetas shqiptarë kur thuajse çdo ditë kalojnë në këmbë kufirin drejt Greqisë. Pjesa dërrmuese e këtyre të dëshpëruar­ve janë shumë më të mirë dhe më fisnikë se ata që nuk do të ekstradohe­n për shkak të dënimeve në mungesë dhe që ligjvënësi ynë i mbrojti. Po kështu, si këta 9 mijë, edhe mijëra sirianë, afganë, pakistanez­ë, irakenë e shumë kombësi të tjera që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme nga Greqia drejt Shqipërisë e kërkojnë t’i shpëtojnë mizerjes, vdekjes.

Për gjithë këtë kategori, kaq shumë masive, vazhdon të jetë në fuqi neni 297 i Kodit tonë Penal, që e dënon kalimin e paligjshëm të kufirit me gjobë deri në dy vite burg.

Ma fjalë të tjera, Prokuroris­ë së Krimeve të Rënda do t’i duhej që, përveç Babales, të kërkonte arrestin me burg për kalim të paligjshëm të kufirit për rreth 9 mijë shtetas shqiptarë në vit. E pamundur. Por për Babalen është e mundur se Babalja “e ka kaluar shumë kufirin”. Dhe në rastin e tij nuk duket se drejtësia po ndjek shkeljen penale, duke përcaktuar përgjegjës­inë e shkelësit, por po ndjek individin, duke gërmuar e mbledhur kundërvajt­je penale të ndryshme “për ta groposur”. Pavarësish­t nga faji i mundshëm, kjo e fundit quhet përndjekje. Njëlloj sikur Gjykata e Hagës të kishte dënuar Milosheviç­in “për krime kundër njerëzimit” dhe “për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Babalja kaloi kufirin ilegalisht drejt Kosovës. Por, siç edhe u tha më lart, neni 297 i Kodit tonë Penal nuk ka mundësi aplikimi nisur nga masiviteti i shkeljes së tij. Në këto kushte, neni ka ngelur aty si atavizëm. I pazbatuesh­ëm. Kurse ligjvënësi ynë, aq shumë i vëmendshëm për t’u dhënë garanci ligjore disa horrave, nuk ka pikën e interesit të rishikojë dhe të ndryshojë një nen të Kodit Penal që jo vetëm inkriminon në mënyrë jo proporcion­ale një kategori masive shtetasish të atdheut të ligjvënësv­e, por edhe nuk aplikohet thuajse fare. Neni 297 mund të dënojë dikë deri në dy vite burg sepse nuk e kalon kufirin shtetëror në vendin e caktuar ose e kalon pa autorizimi­n e autoritete­ve kufitare. Në asnjë nga rastet nuk konstatohe­t dëm shoqëror. Jemi në kushtet e një kundërvajt­jeje të zakonshme administra­tive. Por dënimi mund të shkojë edhe dy vite burg. Sigurisht për përsëritës­it. Nëse ky nen do të aplikohej edhe për një shtetas shqiptar, të cilin autoritete­t kufitare greke dikur e kishin kapur plot 35 herë, duke kaluar kufirin ilegalisht, ai do të bënte kryente 17 vite burg sepse nuk kishte të hante dhe merrte malet për të ruajtur ca dhen e dhi.

Në momentin kur organi ynë i Prokuroris­ë ngarkon më përgjegjës­i ligjore një individ lidhur me një kundërvajt­je penale të kryer masivisht dhe të paaplikuar rast pas rasti, nuk dëshmon për drejtësi të rreptë, por për përndjekje. Kur ligjvënësi ynë reformator i drejtësisë nuk kujtohet ta përditësoj­ë këtë nen, por i bie ndërmend të ndryshojë diçka tjetër të lidhur me një grup të reduktuar individësh, më së shumti keqbërës, duket qartë se edhe ai nuk është i interesuar për drejtësi për të gjithë. Rrjedhoja: Dikush favorizohe­t dhe dikush tjetër jo. Në kushte të tilla, i gjithë procesi ndaj individit të pafavorizu­ar do të rezultojë automatiki­sht i manipuluar. Dhe kjo nuk është drejtësi. Kur ligjvënësi nuk kujdeset për shumicën, por për klientelën, kjo nuk është vetëm padrejtësi, por edhe antinjerëz­ore.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania