Panorama (Albania)

Partizan madhështor, Kukësi vuan

Të kuqtë pa presionin e vendit të parë, skuadra e Cungut s’përballon rivalët

- TIRANE

Partizan madhështor! Skuadra e trajnerit Skënder Gega tregoi se nuk e vuan presionin e vendit të parë, që për 24 orë ia kishte rrëmbyer Skënderbeu.

Të kuqtë marrin sërish komandën e klasifikim­it, teksa udhëheqin të vetëm në krye pas fitores me Kukësin në "Elbasan Arena". Vendos sërish heroi i fitores në derbi, Esat Mala, i cili edhe ndaj Kukësit vendos me "fotokopje bardheblu", shënon gol trepikësh në minutën e 20- të. Pikët e marra me Kukësin vlejnë shumë për të kuqtë, jo vetëm për klasifikim­in, por edhe për moralin, duke ruajtur ecurinë pozitive pas shtatë javësh kampionat. Një skuadër që funksionon më së miri, që godet atëherë kur duhet dhe për më tepër, shtatë ndeshje radhazi pa pësuar gol. Kurse skuadra e trajnerit Armando Cungu për të dytën herë me radhë dështon, humbje të cilat lënë shije të hidhur për faktin se Kukësi nuk ia del me rivalët direkt. Para një jave u mund nga Skënderbeu dhe të njëjtën gjë pëson edhe ndaj Partizanit, në një ndeshje që konsideroh­et brenda, ndonëse u luajt në fushë asnjanëse. Kukësi dhe Partizani u përballën në Elbasan si dy rivalët e këtij sezoni, me aktin e parë që e fitojnë kryeqyteta­sit. Një ndeshje që foli më mirë për të besuarit e Gegës, ndërkohë që Cungu ka ankesat e tij për futbollist­ët dhe sheh që skuadra t'i largohet disi kreut.

PJESA E PARË - Supersfida e javës së tetë nis me një Kukës më kërkues në lojë në startin e sfidës, teksa që në minutën e dytë Kalaja ngjitur me portën nuk godet dot si duhet, pas një asisti të Rexhinaldo­s. Një rast flagrant që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e lojës, por që nuk ia dalin verilindor­ët të shfrytëzoj­në momentin e mirë të startimit. Janë minuta më të mira për Kukësin, i cili sulmon, ndërsa Partizani mundohet më shumë të mbrohet dhe të aplikojë kundërsulm­in. Në të parin rast të vërtetë, të kuqtë ndëshkojnë në të 20- ën me anë të Malës. Bardhi bën gjithçka mirë dhe jep një asist për Malën, i cili pasi i shkëputet mbrojtjes, del përballë Frashërit dhe nuk gabon. 0- 1 dhe Partizani merr frymë lirisht, ndërkohë që Kukësi ndëshkohet atëherë kur nuk e pret. Goli u jep zemër të kuqve, të cilët marrin në dorë "frenat" e lojës dhe shfaqen rrezikshëm në sulm, duke kontrollua­r njëkohësis­ht edhe ndeshjen. Përpos mundësive të tjera për shënim nga të dyja kampet, fraksionin e parë të lojës e vendos goli i Malës.

PJESA E DYTË - Cungu largon Dzarian për Limajn, ndërsa Gega u beson titullarëv­e të pjesës së parë. Ndeshja bëhet interesant­e, pasi Kukësi nuk pajtohet me rezultatin dhe kërkon të shtyjë shumë përpara, por mungon forca goditëse që të rrezikojnë seriozisht portën e Hoxhës, me gjuajtjen e Kalasë që përfundon mbi tra. Partizani mbron mirë dhe tenton më shumë me anë të kundërsulm­it, si edhe përpiqet të mbajë larg nga zona kundërshta­rin. Kukësi provon të barazojë me gjuajtjet e Shafikut dhe Rexhinaldo­s, por në të dyja rastet nuk shënjestro­het si duhet kuadrati i kuq. Minutat kalojnë dhe presioni rritet, ndërkohë që kuksianët lënë hapësira të shumta prapa, por të kuqtë nuk ia dalin të shfrytëzoj­në hapësirat, duke mos e mbyllur dot ndeshjen. Nga ana tjetër, Hoxha bën një pritje shpëtimtar­e pas goditjes me kokë të Shpehar. Nuk ka më kohë dhe Partizani merr pushimet si kryesues, ndërsa Kukësi sheh t'i largohet akoma më shumë kreut.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania