Panorama (Albania)

Trajneri tërhiqet për shiritin, Lila: Jemi të gjithë njësoj

-

Një nga rregullat e para të Panuçit në ardhjen e tij te Shqipëria ka qenë zgjedhja e kapitenit, që do të bëhej në bazë të numrit të ndeshjeve. Kjo ka bërë që deri më tani, shiriti të kalojë në 10 futbollist­ë. Mirëpo, ishte vetë italiani që konfirmoi se ka bërë pas nga qëndrimi i tij dhe pasi ka biseduar me presidenti­n Duka, ka vendosur që ta zgjedhin lojtarët. "Meqë u bë një problem kombëtar, fola me presidenti­n dhe me lojtarët. Trajneri merr vendimet, por e rëndësishm­e është t'i ndajë me grupin. Mos filloni të merrni lojtarët në telefon, sepse ata do të zgjedhin kapitenin dhe dy zëvendëska­pitenë. Unë jam absolutish­t dakord, sepse vendimi i fundit më takon mua, por grupi do zgjedhë kapitenin dhe dy zëvendës. Grupi do të zgjedhë kë do si kapiten, atë që ndiejnë në grup për kapiten. Ata ishin të kënaqur me këtë mundësi që u thashë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që kapiteni do luajë gjithmonë ( qesh). Kjo është ajo që u them, mos i merrni lojtarët në telefon, sepse do e zgjedhin vetë", ka deklaruar Panuçi.

Në bazë të numrit të ndeshjeve, Andi Lila është kapiteni në këtë grumbullim. Ai ka komentuar të rinjtë si dhe çështjen e shiritit. "Jam që në 2007- ën me Kombëtaren dhe sa herë që vjen ftesa, nuk më zë gjumi nga gëzimi. Është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë. Shpresoj që ky zjarr të vazhdojë", tha ai fillimisht e më tej komentoi forcën e Kombëtares. "Të jem i sinqertë, forca e ekipit tonë është grupi. Shpresoj të jetë ndeshje e mirë dhe të bëjmë atë që bëmë 2 vjet më parë. Megjithatë, përpara kësaj kemi ndeshjen me Jordaninë, pastaj të shohim me Izraelin", tha Lila. I pyetur për ndërrimin e shpeshtë të kapitenit, ai u përgjigj: "Kam shumë respekt për të gjithë kapitenët dhe kam mësuar nga secili. Në Kombëtare kapiteni nuk është mbi të tjerët. Këtu janë të gjithë njësoj dhe shpresoj që të gjithë të bëjnë punën në fushë. Nuk duhet të ketë diferenca në ekipin kombëtar. Të rinjtë? Çdo i ri që vjen, nuk ndjen asnjë lloj presioni. Ne iu kemi qëndruar afër. Ekipi kombëtar ka një të ardhme shumë të ndritur me të rinjtë që kanë ardhur", ka deklaruar Andi Lila.

Andi Lila -

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania