Panorama (Albania)

I vranë burrin në pritë, gruaja: Nuk di t'i ketë rënë njeriu në qafë

-

LUSHNJE - U vra nga një distancë e afërt teksa hapte portën, ende asnjë gjurmë e autorëve. 20 persona janë shoqëruar deri tani lidhur me ngjarjen e së martës në fshatin Shegas në Lushnjë, ku u ekzekutua 48- vjeçari Qemal Halla. Burimet tregojnë se 48- vjeçari Halla nuk ka qenë person problemati­k dhe as nuk ka pasur precedentë penalë të mëparshëm. Sipas hetuesve, ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën që Halla mbante 10 vite më parë, kur ishte kryetar i fshatit në Shegas, atëkohë pjesë e komunës Golem në Lushnjë. Kjo, pasi mund të ketë ndërhyrë për zgjidhjen e një ndonjë konflikti pronësie mes fermerëve të fshatit. Nga ana tjetër po hetohet edhe një pistë tjetër, ajo e konkurrenc­ës në biznes. Qemal halla kishte disa vite që merrej me bujqësi. Kultivonte fidanë ullinjsh dhe i tregtonte. Por, nuk janë përjashtua­r edhe probleme familjare apo lidhje jashtëmart­esore. Bashkëshor­tja e 48- vjeçarit ka qenë e parë që ka gjetur të shoqin të mbytur në gjak pasi dëgjoi të shtëna arme. Më pas kanë dalë dhe fqinjë të çiftit për të parë se çfarë kishte ndodhur. Çifti Halla jetonin vetëm, pasi djali i vetëm i tyre ka emigruar në Greqi. Gjatë marrjes në pyetje, gruaja e Hallës i ka thënë Policisë se i shoqi nuk ka pasur kurrë konflikte me askënd, ndërsa ka folur me bindje se Qemali ishte familjar i rregullt. "Ai ishte familjar i rregullt. Nuk kemi pasur asnjëherë problem. Kemi qenë në punën tonë. Qemali vetëm ndihmonte njerëz. Nuk i ka rënë njeriu më qafë. Nuk kemi dyshime", mësohet të ketë thënë gjatë marrjes në pyetje, 46- vjeçarja Blerta Halla. Qamil Halla u ekzekutua me armë zjarri rreth orës 21: 45 të mbrëmjes së djeshme, pak para se të mbërrinte në banesë. Autorët, që dyshohen të kenë qenë dy, e kanë pritur të fshehur deri në momentin kur 48- vjeçari ka zbritur nga makina për të hapur portën. Në këtë kohë, një prej autorëve e ka qëlluar nga një distancë e afërt me plumb në kokë. Autorët dyshohet të kenë hyrë në fshat kur ka rënë errësira, pasi banorët e fshatit nuk kanë parë asnjë lëvizje të dyshimtë më herët. Qemal Halla ka qenë me mjetin e tij tip fuoristrad­ë dhe kur ka mbërritur para portës, ka ndaluar makinën dhe ka zbritur të hapë portën, veprim të cilin e bënte çdo natë kur kthehej në shtëpi. Sapo ka zbritur dhe ka dalë para mjetit të tij, 48- vjeçari është qëlluar nga një distancë 3- 4 metra. Mësohet se plumbi e ka kapur në pjesën fytyrës.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania