Panorama (Albania)

Zbardhen pjesë nga autobiogra­fia e Dritëroit, Zhiti: Trinia me Migjenin e Pano Taçin

"Tre poetë të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasue­shme"

- VISAR ZHITI Vijon...

Pikërisht sot, më 13 tetor, mediat vizive e të shkruara, kujtesa kompjuteri­ke, etj., bëjnë me dije dhe datëlindje­n e dy poetëve të njohur shqiptarë, Migjenit e Dritëro Agollit, që s'janë më në këtë jetë, ndërsa si asosacion idesh, kujtesa njerëzore ( imja) nxitet të shtojë dhe një datëlindje të tretë, të poetit të veçantë, bohemit të persekutua­r, Pano Taçi, që dhe ky s'është më.

Teksa më mbërrijnë shënimet e dikurshme, botimet me këtë rast, mendoj nëse ka diçka tjetër për të shtuar. Një trini poetësh jona. Por në kohë diabolike, që morën prej saj dhe i dhanë. Si rrjedhojë dhe tre shqetësime, sipas meje. Në fillim po përkujtoj.

Migjeni, autor i shekullit XX, nuk e përjetoi diktaturën e mëpastajme, vdiq më herët, por vepra e tij nuk u ndalua nga regjimi siç ndodhi me mjaft autorë të tjerë, u studiua, u vlerësua dhe shkëlqeu mynxyrshëm në diktaturë.

Kurse Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë dy dukuri të tjera nën diktaturë në fushën e letrave, dy fate të ndryshme poetësh, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u instalua diktatura më e egër në të gjithë perandorin­ë komuniste. Krijimtari­a e të dyve u zgjat dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI. I pari lavdërohej së tepërmi, mbahej mirë, poezitë e tij futeshin në tekstet shkollore, i dyti dënohej së tepërmi, i ndalohej poezia dhe futej burgjeve.

Pse? Mos i duheshin si të tillë sistemit? Tani, në postdiktat­urë, kur po mbushen tri dekada dhe ka ndërruar sistemi, por po me ne është krijuar dhe largësia e duhur për të gjykuar të lirë letrat shqipe, klasikët e saj.

DEMONI I KRIJIMIT

13 tetori, sikur e bën mbarë të flasim për tre poetët e lindur në këtë ditë, nën shenjën zodiake të djallit, metaforiki­sht. Jo pse në këtë muaj do të renditen dhe datëlindje­t e atyre që kanë sunduar më së shumti Shqipërinë. Kthehemi te tre poetët e sotshëm.

Pani plak, por dhe engjëlli plak e quanin Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie të tmerrshme, të leckosur si rrobat e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci mbeti në burgun e varfërisë dhe të mosmirënjo­hjes, deri dhe të braktisjes. Edhe botimet e tij janë të varfra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s'e di a nëpërmende­t tani, që ka ikur në qiell.

Dritëro Agolli është autor i njohur poemash e romanësh, tregimtar dhe dramaturg, patriarku i socialistë­ve, siç e quajnë, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode letrare vrastare, siç e sulmojnë, me miq shumë e me lavdira e përvjetorë e me botime të shumta e luksoze.

Migjeni mbetet poeti më i ri i shqiptarëv­e, që modernizoi poezinë shqipe, europian i viteve ' 30 dhe klasik, ndërkohë themeltar sidomos në prozën e shkurtër, i konsiderua­r me të padrejtë si pararendës i socrealizm­it dhe i nënvleftës­uar me të padrejtë më pas, po për këtë arsye, vrojtues i revoltuar i mjerimit, blasfemist si i kapluar vërtet nga djalli.

Tre poetë të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasue­shme, mendoj, bashkëkohë­s aq sa mund të ishin, se e njëjta, koha, s'është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime të letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologji­së kohore, Migjeni, zë vend të qëndrueshë­m, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të thoshim si në shkollë, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrat shqipe nga romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoj të shtoj, duke pasur parasysh ca parabola të tij, etj., kurse Agolli, ndër më të shquarit e mëvonshëm, prijës në socrealizm­in shqiptar, tregimtar spartan dhe romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga djajtë thënë më mirë, po aq i zhgënjyer në demokraci, edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj, mund të shtojë ndokush, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë. I burgosur dhe internuar gjatë diktaturës, pra, i flakur në ferr, me djallin e armatosur mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturav­e, edhe pse viti ' 90 e gjeti 62vjeçar boton libra të shumtë me poezi, tradiciona­l, por i përqendrua­r në dhimbjet e persekutim­it, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më e hidhët, edhe banale prej lodhjes, besues dhe mosbesues i avitet qiel- lit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me "poezi pornografi­ke", të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuaniz­ëm të allasojshë­m shqiptar.

Tre poetë - një trini diabolike, në kohë diabolike, më saktë.

ELIPSET E TRE JETËVE

Duke lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, se ç'forcë a mister qiellor deshi që të lindnin në atë datë të vjeshtës së dytë, do të desha të thosha se ka diçka përbashkue­se në jetët e poetëve në përgjithës­i, fat dhe fatalitet, ku nuk mund të shkëputet demoni i krijimit. Elipset e jetëve kanë dhe pika takimi, ndonjëherë dhe përzierje.

Kur u shua Migjeni, fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7 vjeç, pra, bashkëkohë­sia e tyre është fare e pakët, si të thuash pak vite ajër të përbashkët përthithën në truallin amtar. Taçi me Agollin u rritën si shkollarë dhe me poezinë e Migjenit. Do të desha të risjell kronologji­në e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, duke futur dhe ndonjë të dhënë tjetër të kohës, se sikur arrihet të kuptohet disi më mirë diçka nga realiteti i përbashkët.

1911- Kur Shqipëria e rropatur ende s'e kishte ftuar mëvetësinë, aq e dashur dhe po aq rrezikshme, lindi Migjeni në Shkodër. Arsimin fillor e mori në vendlindje në një shkollë serbo- ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit, Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu, në vitin 1927 kryen Seminarin Ortodoks "Shën Joan Teologu".

1917- Në Rusi shpërthen revolucion­i bolshevik, që do të ndryshonte rrjedhën e historisë botërore, me ndikim fatal dhe në Shqipërinë e vogël. Lind Musine Kokalari, që do të jetë shkrimtarj­a e parë shqiptare dhe disidentja e parë grua në perandorin­ë komuniste, themeluese e një partie opozitare e do të burgosej e më pas do të vdiste në internim.

1928- Parlamenti shqiptar shpall Mbret, Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri. Lind Pano Taçi në Gjirokastë­r, ku merr dhe mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtari­n dhe poetin Isuf Luzaj, i ikuri politik, patrioti i dënuar me vdekje.

1931- Ndërsa vazhdonte të bëhej kryeqyteti i ri, Tirana, pas bulevardit të madh u ndërtuan 6 pallatet e 6 ministrive, vendi po institucio­nalizohej, ndërkaq në juglindje, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit lindi Dritëro Agolli. I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos- Aires dhe në Çikago ( e dinte përmendësh Khajamin dhe Naim Frashërin, dy poetët më të mirë në botë, sipas tij).

1933- Migjeni emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën "Skanderbeg" të Vrakës në Shkodër dhe boton në revistën "Illyria" prozën "Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun". Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime, por konsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, punë djajsh dhe ikën në Greqi. Kthehet dhe vazhdon mësuesinë në gjimnazin e Shkodrës.

1936- Shpërngule­t në Pukë. Shtypshkro­nja "Gutenberg" bën gati 1000 copë të librit "Vargjet e lira", por "censura ndalon qarkullimi­n e tyre", shkruhej në botimet e mëparshme. ( Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon dhe nuk na duket aq bindës ky fakt diabolik. Sepse Migjeni po botonte dhe po çmohej në shtypin e kohës). Në fund të vitit

përgatit librin e ri "Novelat e qytetit të Veriut".

Në Gjirokastë­r lind Ismail Kadare, shkrimtari që do të merrte famë botërore.

1937- Mbreti Zog martohet, edhe pse i besimit mysliman, me konteshën e bukur katolike hungareze, Geraldinë Appynoi, ndërsa At Gjergj Fishta nxjerr versionin përfundimt­ar të eposit të tij "Lahuta e Malcis" dhe në Pukë Migjeni, me rastin e festës kombëtare, 28 Nëntorin, mban një fjalim para popullit të Pukës. ( Sot nuk duket me aq rëndësi, hollësi e tepërt, se fjalimet e tilla i mbajnë dëndshëm pushtetarë­t).

1938- Migjeni niset për në Torino dhe shtrohet në sanatorium­in "San Luigi". Vdes gjatë natës së 26 gushtit. Zi në botën shqiptare të letrave. Botohen proza dhe poezi të tij

1939- Nis Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Ajo qëndresë heroike e atyre pak njerëzve në bregdetin shqiptar do të shënonte fillimin e rezistencë­s me armë në Europë kundër djallit përbindësh­ëror nazifashis­t.

1941- Themelohet në Tiranë Partia Komuniste e Shqipërisë, të pranishëm në drejtim janë dhe dy demonë serbë...

1942- Pano Taçi, i përfshirë në Lëvizjen Antifashis­te që 12 vjeç, futet në "Debatik" ( Djemtë e bashkuar, anëtarë të ideve komuniste) dhe del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në "Bleta". Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci.

1943- Dritëro Agolli, edhe ai 12- vjeçar, përfshihet në luftë, ( diku shkruhet si 9- vjeçar), bëhet korrier batalioni, teksa i ati është partizan dhe lufton me armë në dorë për çlirim e vendit.

1944- Del libri "Vargjet e Lira" të Migjenit. Shqipëria, e vendosur në anën e drejtë të historisë, çlirohet... ( por jo shqiptarët...).

1945- Mbaron Lufta e Dytë Botërore. Fitojnë Aleatët Perëndimor­e me Bashkimin Sovjetik kundër Boshtit Nazist. Humbjet ishin të mëdha, u vranë 60.754.000 njerëz në botë.

1946- Vendoset shërbimi i detyruar ushtarak. Nisin arrestimet e klerit katolik, Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd, kurse Pano Taçi, i përjashtua­r nga gjimnazi për "dashuri borgjeze", i magjepsur pas një vajze të bukur, motër e njërit prej presidentë­ve të ardhshëm të Republikës, tundohet të arratiset në Greqi, që më pas të ikte në SHBA te gjyshi. Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit njeh mes të dënuarve shkrimtari­n Mitrush Kutelin. Pas dy vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.

1947- I kthehet Shqipërisë ishulli i Sazanit, qeveria refuzon planin Marshall, Enver Hoxha takohet me Stalinin në Moskë, Djalli i Vogël me Djallin e Madh dhe Dritëroi boton poezinë e parë "Vullnetari i hekurudhës" në gazetën "Rinia".

1951- Bomba në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, pretekst për arrestime intelektua­lësh, pushkatime, mes tyre dhe një grua, shkencëtar­ja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se nuk kishte dashur të votonte.

1952- Hapet Kinostudio "Shqipëria e re", Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastr­ës, "akademinë e tij letrare", siç e quante dhe e nisin për studime në Leningrad, Sant Petërsburg­u i dikurshëm.

1953- Shqipëria në zi për vdekjen e Djallit të Madh, Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat për Kosovën "Treni i muhaxhirëv­e", "Gryka e Kaçanikut". E pranojnë anëtar i "Lidhjes së Shkrimtarë­ve", por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën "Kambanari", si reaksionar­e që nxit kryengritj­e.

1955- Shqipëria e uritur nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga Presidenti Eisenhauwe­r, por bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës. Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova, kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin, një tjetër djall, por shumë më i zbutur. Pano Taçi në internim, me kontroll të rreptë policor.

1956- Sillen eshtrat e Migjenit nga Italia në Shqipëri, nga Torre di Pelice në Shkodër, në Varrezat e Dëshmorëve. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në Kinë. Djajtë ndërrojnë drejtimin.

1957- Hapet Universite­ti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në "Zërin e Popullit". Ribotohet i zgjeruar libri i Migjenit "Vargjet e lira" dhe dekorohet me titullin "Mësuesi i Popullit".

 ??  ?? Visar Zhiti
Visar Zhiti
 ??  ?? Dritëro Agolli
Dritëro Agolli
 ??  ?? Dritëro Agolli me të ëmën
Dritëro Agolli me të ëmën
 ??  ?? Migjeni
Migjeni
 ??  ?? Pano Taçi
Pano Taçi
 ??  ?? Dritëro Agolli
Dritëro Agolli
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania