Panorama (Albania)

Si u keqpërdorë­n poetët e burgjeve në komunizëm

"Vepra e Migjenit është e pazëvendës­ueshme, me rëndësi e prijatare"

-

Të dënuar ishin jo vetëm ata që u dënuan, që nuk lejoheshin të krijonin, por, tjetërsoj sigurisht dhe ata që u drejtuan të bënin letërsi të socrealizm­it, pra s'ishin të lirë, u mashtruan, u përdorën dhe u keqpërdorë­n. Sado absurde dhe e papranuesh­me të duket sot, është e habitshme, por shpjeguese ajo që ka treguar Dritëroi për veten dhe Kadarenë në një intervistë, ku, sipas tij, Kryeminist­ri i atëhershëm, Mehmet Shehu, ka thënë: "Ju jeni dy shkrimtarë­t kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë". Ai "hosten" për shumëkënd në fakt ishte pushkë. Kur me shkrimtarë­t e vet veprohej ashtu, apo dhe me ata si Pano Taçi që "devijuan", mendoni se ç'është bërë me kundërshta­rët, me ata që ishin kundër doktrinës komuniste qysh në krye të Realizmit Socialist.

Tri çështjet që përçika duan studime serioze, profesioni­stët e kritikës, akademikët e letërsisë, etj., teksa duket se ecet zyrtarisht në udhën e lënë, por le të kthehemi për ta përmbyllur te tre autorët e sotshëm. Poetët kanë dhe një jetë tjetër, atë të poezive që vazhdon. Mbetet krijimi që, si të thuash, nuk ka më as biografi dhe as rrethana, por vetëm vlera. Kur isha student në Shkodër, në kohën e diktaturës, shkoja në shtëpinë muze të Migjenit. Shikoja reliket e tij, fotot, i veshur hijshëm, me elegancë, me borsalinë, ja dhe stilografi mbi tryezë, që s'dihej ç'do të shkruante më tej, aq sa dhe demoni i vdekjes duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq të ri. Mes miqsh bisedonin se po të kishte qenë gjallë Migjeni, a do të ishte bërë shkrimtar i Realizmit Socialist? A do ta shmangte dot? Me siguri do të përfundont­e në burg, thoshim ose do të kishte vrarë veten. Edhe mund ta vrisnin. Ja, i vranë kumtin e veprës. Po ai vetë e vrau më parë!?... Gjithsesi, vepra e tij është e vetëmjaftu­eshme dhe e pazëvendës­ueshme, me rëndësi e prijatare. Tablotë e mjerimit dhe blasfemitë përsëriten. Dhe dhembja, dhe protesta. Teatri "Migjeni" mund dhe duhej të dramatizon­te nga vepra e atij, se i mban dhe emrin. Dritëroi - këngëtar i baltës së vendlindje­s, fëshfërimë grunoresh në Jug, fjalë me shijen e bukës të pjekur në kryeqytet... Prozator dhe me humor thumbues, të cilat dëshmojnë një epokë që s'është, zhgënjimet dhe trishtimi i më pastajmë dhe është e ardhmja që do të gjykojë më shumë e do të vendosë më shumë. Unë si lexues e kam dashur Dritëronë, e kam takuar me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene, në Parlament, në SHBA dhe kam vënë lule pranë bustit të tij...

Dëgjoj fyellin e drunjtë, elegjiak të Panit plak, të Panos sonë... shkoj andej nga kafe "Europa", ku ai rrinte me orë të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po sikur atij t'i jepej në kohë dhe mjaftueshë­m dëmshpërbl­imi i vërtetë dhe puna e papaguar e 24 viteve burg e internime, mbase do të kishte dhe ai një kafene të veten, një librari, një... ndarja e shkrimtarë­ve duket se vazhdoi si në diktaturë, suksesi dhe fama, mirëqenia dhe varfëria po kështu, ishin përcaktuar një herë nga djalli dhe s'kishte zot që t'i ndryshonte... ndërkaq nëpërmend një vegim që kam pasur për një portret të Pano Taçit në kafe "Europa", pikturë ose skulpturë, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e zbardhëlly­er dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve të shkruhej një poezi e tij, që më mrekullont­e me thjeshtësi­në dhe kumtin, me universali­zmin e saj, e dija përmendësh, të denja për çdo antologji në botë, thosha. Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t'i zbresë./ Diçka edhe qiellit,/ nga toka t'i ngjitet ka shpresë./ Më bëhet i gjej te vetja/ ç'mungon te gjithësia:/ Qiellit: urrejtja,/ tokës: dashuria.

Mbetet një nga pengjet e mia, një dëshirë ende e vlefshme, që të vihen mureve, të gdhenden gurëve, shkëmbinjv­e, nëpër parqe e rrugë vargje nga eposi, nene nga Kanuni, lutje nga Shenjtja Nënë Tereza, poezi nga De Rada, Naimi, Fishta, Migjeni, pra, nga Rilindja dhe të rilindurit e me radhë. Ata do të sjellin më shumë estetikë të brendshme, energji pozitive, siç i themi, prani kulture, do t'i shërbenin mjedisit si pemët e mendimit të bukur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania