Panorama (Albania)

Frei: Largimi i Fatmir Xhafajt hap pozitiv, mister largimi

-

Raportuesi i Grupit Parlamenta­r CDU/ CSU për Shqipërinë, Thorsten Frei, është i mendimit se dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj, është një hap pozitiv në drejtimin e duhur. I pyetur nga "Deutsche Welle", Frei ka thënë ndër të tjera, se për të arritur statusin e kandidatit, Shqipëria duhet të bëjë edhe shumë më tepër në luftën kundër krimit të organizuar, gjendja e të cilit, sipas tij, është shqetësues­e. Deputeti gjerman pret rezultate të shpejta në këtë drejtim nga pasardhësi i tij.

"Është e vështirë të gjykosh së largu se cilat kanë qenë shkaqet e dorëheqjes së tij. Dhe nuk më takon mua, sidomos kur në Shqipëri, diskutimet për këtë çështje nuk kanë të sosur. Sidoqoftë, unë e kam theksuar gjithnjë, se thashethem­et dhe supozimet e lidhura me zotin Xhafaj edhe për ca kohë do të ishin të papranuesh­me politikish­t në Gjermani. Unë mendoj se dorëheqja është një tregues tjetër në drejtim të luftës kundër korrupsion­it dhe krimit të organizuar, përkatësis­ht shkëputjes nga politika".

Deputeti i Bundestagu­t theksoi gjithashtu për "Deutsche Welle"- n, se është i bindur se ky nuk mund të jetë hapi i fundit. "Qeveria duhet t'i zgjerojë shumë më tepër dhe më me vendosmëri përpjekjet e saj në këtë sektor. Është e vërtetë që ndërkohë janë bërë përparime të mëdha me vetingun. Por unë jam ende shumë i shqetësuar për gjendjen e krimit të organizuar. Kjo pikë do të luajë në fillim të verës së ardhshme një rol shumë vendimtar, kur në tryezë të kthehet sërish çështja e negociatav­e të anëtarësim­it. Mbetet të presim se cili është roli që do të luajë pasardhësi i tij dhe se a do të jetë në gjendje ai të dëshmojë rezultate të shpejta. Unë jam optimist i rezervuar, se dorëheqja e Xhafajt është për vendin një hap i vogël pozitiv përpara dhe drejt Europës".

Të shtunën e kaluar, Kryeminist­ri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur nëpërmjet një lajmi në "Twitter" se kishte pranuar dorëheqjen e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe se në vend të tij do të emëronte këshilltar­in e vet për çështje sigurie, Sandër Lleshin. Xhafaj e dha dorëheqjen pasi kishte arritur një sukses të madh në luftën kundër krimit të organizuar, duke shkatërrua­r një qark prodhuesis­h dhe kontraband­istësh droge në Shqipëri. Suksesi u arrit në bashkëpuni­m me Policinë gjermane. Lufta kundër krimit të organizuar është një nga kushtet që Grupi Parlamenta­r CDU/ CSU, ka vendosur për Shqipërinë për të hapur negociatat e anëtarësim­it në BE.

Sandër Lleshi ka mbajtur më parë postin e atasheut ushtarak të Shqipërisë në Gjermani, si edhe ka qenë zëvendëssh­ef i Shtabit të Përgjithsh­ëm të Forcave të Armatosura. Para propozimit për emërimin e tij në krye të Ministrisë së Brendshme, Lleshi ka qenë këshilltar për sigurinë i Kryeminist­rit Rama. Për emërimin e tij në krye të Ministrisë pritet dekreti i Presidenti­t Ilir Meta, i cili më pas duhet të kalojë për votëbesim në Parlament.

 ??  ?? Thorsten Frei
Thorsten Frei

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania