Panorama (Albania)

Fuga: Platforma ime reformon Akademinë, tjetra e kalbëzon

-

“Projektlig­ji i hartuar nga grupi i punës së Ministrisë së Arsimit dhe Akademia nuk sjell reformim, e kalbëzon edhe më rëndë Akademinë e Shkencave”, kështu u shpreh dje akademiku Artan Fuga, pasi doli nga mbledhja me dyer të mbyllura dhe ku mësohet të jetë diskutuar me tone të larta. Sipas tij, platforma e grupit të punës “është një riprodhim dhe vjen si pasojë e faktit që nuk ka koncepte të reja, nuk ka një model të ri, nuk gjen pozicionim­in e Akademisë në sistemin e kërkimit shkencor. Është një model që nuk funksionon dhe do ta degradojë edhe më keq Akademinë. Nga ana tjetër, unë jam shumë i hapur, në vazhdim të idesë së Kryeminist­rit për gjithëpërf­shirje dhe ballafaqim­in e të dy platformav­e”. Akademiku Fuga u shpreh se Asambleja, pavarësish­t se nuk e pranon, është tërhequr dhe pasi ka bërë gjithë censurimin e mundshëm të platformës së tij, ka kërkuar ballafaqim si pretendont­e ai. Por Fuga shpjegon se dje ai nuk ka qenë i përgatitur dhe ka kërkuar disa ditë kohë. “Sipas kryetarit të grupit të punës, z. Skënder Gjinushi, këto dy platforma nuk kanë ndonjë dallim të madh dhe janë të integruesh­me, kurse mendimi im është që ato platforma janë dy modele diametrali­sht të kundërt. Dy modele që japin dy forma dhe përmbajtje të ndryshme të Akademisë”, tha Fuga, duke shtuar se është i hapur për diskutime nen për nen. “Por kjo mund të bëhet në praninë e znj. ministre, e cila sipas deklaratav­e, pranon të na presë në zyrë e të bëjmë debatimin. Kjo çështje nuk zgjidhet me votë, por përpara një jurie të madhe, e cila të përbëhet nga komuniteti i shkencëtar­ëve, universita­rëve, profesorëv­e të vendit, të cilët duhet të diskutojnë, se cilat nga platformat u duket më e përshtatsh­me. Ju them me përgjegjës­i që znj. ministre më ka konfirmuar që dalja e debatit jashtë Akademisë është më e mira që mund të bëhet. Unë i qëndroj mendimit që platforma ime i jep një mundësi të plotë reformimit të Akademisë, kurse reforma tjetër është ndërtuar thjesht mbi bazën e dëshirave dhe interesave të vogla dhe nuk sjell asnjë ndryshim, por është një fasadë, e cila do ta degradojë edhe më keq Akademinë e Shkencave dhe nuk do të mund të kryejë funksionin e vet, si ka bërë deri më tani”, tha dje Fuga.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania