Panorama (Albania)

Bashkim Zeneli rrëfen takimin me Janis Ricos në 1990: Pse më habiti dashuria për Shqipërinë

PJESE NGA LIBRI I RI I DIPLOMATIT TE NJOHUR PER GREQINE. POETI GREK ME THA SE DO TE BENTE BALADE PER SHQIPTARET

- BASHKIM ZENELI Bashkim Zeneli

Sot mbushen 28 vjet nga ndarja nga jeta e poetit të madh dhe shumë të dashur të popullit grek, Janis Ricos, i përkthyer që herët edhe në gjuhën shqipe. Në këtë kuadër, "Panorama" po boton kujtime të gazetarit në atë kohë Bashkim Zeneli, i cili e takoi poetin grek në vitin 1990, në një spital të Athinës ku ai ishte i shtruar. Në mënyrë të sinqertë dhe të ndjerë, poeti i shquar grek flet për një dashuri dhe miqësi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pjesa është marrë nga libri me shënime e kujtime për Greqinë, që pritet të dalë në qarkullim këto ditë nga "UET Press", i diplomatit të shquar, ambasadori­t Bashkim Zeneli, i dekoruar kohët e fundit nga Presidenti i Republikës "Mjeshtër i Madh".

SA BUKUR MË FOLI JANIS RICOS PËR SHQIPTARËT

Në Greqi, për herë të parë, kam qenë në vitin 1990. Në atë kohë punoja në televizion dhe së bashku me operatorët e njohur dhe të palodhur, Xhemal Reçi e Besnik Fiku, qëndruam disa ditë në Athinë për të përgatitur një dokumentar televiziv për Greqinë, për jetën e përditshme, për kulturën e artin, për vallet e muzikën, për tavernat e buzukët, për Akropolin e famshëm dhe muzetë e mrekullues­hëm të këtij vendi. Do të flisnim edhe për raportet më Shqipërinë ende pa rënë perdja e hekurt ndërmjet dy vendeve. Me disa diplomatë të ambasadës do të dilnim për të parë Athinën.

Në këtë udhëtim për dokumentar­in në kryeqytet, në dy - tri raste do të na shoqëronte në vende e takime të ndryshme, miku im i viteve të rinisë në Kukës, z. Irakli Koçollari, në atë kohë diplomat në ambasadën tonë në këtë vend. Një djalë i kulturuar, i ditur, i mençur dhe me pasion për artin e muzikën, arkeologji­në dhe historinë e letërsinë. Impulsiv dhe miqësor, i vëmendshëm dhe kurioz për gjithçka që lidhej me pasionet e mësipërme. Të njëjtën gjë kisha arritur të konstatoja për këtë njeri edhe kur e njoha për herë të parë në Kukës. Gjithmonë në shoqërinë e poetëve, shkrimtarë­ve, artistëve, historianë­ve dhe të burrave të tjerë të ditur të Lumës dhe Hasit. Të gjithë i nderonte dhe respektont­e. Irakliu në Athinë kishte shumë miq, personalit­ete të shquara të kulturës, letërsisë, artit e historisë. Me ndërmjetës­imin e tij arrita të realizoja disa intervista me disa nga këto personalit­ete, ndërmjet të cilëve edhe me muzikologu­n me famë botërore, Jorgo Leocakos, për të cilin do të flas më poshtë, në faqet në vijim të këtyre kujtimeve.

Kishim mbaruar filmimet në Akropol dhe në një nga lokalet e lagjes "Plaka" po pinim një kafe. Pikërisht aty, Rako do të më fliste me një pasion edhe më të veçantë se ai që e karakteriz­onte për poetin e madh grek, Janis Ricos.

- Vërtet njihesh me të? - e pyeta. - A mund ta takojmë? A mund ta intervisto­jmë?

- Bashkim, nuk e takojmë dot, sepse është i sëmurë, i shtruar në spital, madje po të them se gjendja shëndetëso­re e tij është e rëndë. E njoh situatën, pasi i bëra një vizitë disa ditë më parë. Do të ishte një mrekulli të realizonim një intervistë në mjediset e shtëpisë së tij. Është poet shumë i madh dhe... po të them se e do shumë Shqipërinë. Flet fare hapur për dashurinë që ka për shqiptarët... Gjithsesi, sot shkojmë për një vizitë bashkë në spital dhe përshëndet­emi me të. Mendoj se do të kënaqet.

(" Duhet të përshëndes­im dhe të themi me zë të fuqishëm se Janis Ricos është, pa asnjë dyshim, një nga poetët më të mëdhenj të ditëve tona", shkruan Lui Aragon.)

Në spital shkuam pasdite vonë. U gëzua shumë për vizitën tonë. Irakliun e priti me dashuri të veçantë. U ngrit pakëz, me mundim, për ta përqafuar. Pastaj ktheu sytë nga unë dhe me një shikim miqësor, pyeti: - Kush është ky zotëria? Irakliu më prezantoi. Më shtrëngoi dorën me të dyja duart e tij të dobësuara dhe të lodhura.

Tërhoqa një karrige dhe u ula pranë krevatit. E vështroja me admirim dhe respekt. Ishte jo vetëm poeti i madh i popullit grek, por edhe ndër më të dashurit për të. Irakliu filloi t'i flasë në greqisht për mua dhe i tregoi se kisha ardhur në Athinë për të përgatitur një dokumentar. U kthye nga unë dhe, nën përkthimin e Rakos, më thotë: - Oh, sa mirë! Më gëzon shumë ky lajm... Më duket se po vjen dita të flasim për njëri- tjetrin me dashuri... Sa gjë e bukur të flasim për njëri- tjetrin e ta duam njëri- tjetrin. Më vjen shumë mirë që do të realizosh një dokumentar për Greqinë. Fol mirë, ë, si thua ti Irakli, do të flasë mirë për popullin grek?! Ne jemi popuj miq, jemi gjitonë... Shqiptarët i dua vërtet shumë, janë të mirë... janë të mrekullues­hëm... ( Ndërsa e dëgjoja, ndieja një keqardhje të madhe që nuk mund ta regjistroj­a me kamera, ta intervisto­ja e t'ua tregoja të gjithëve këto mesazhe që po përcillte nga ai shtrat spitali njëzet e tetë vjet më parë). Ne kemi shumë gjëra të përbashkët­a. Kemi histori, tradita, kulturë, këngë e zakone të përbashkët­a, i kemi me shqiptarët... Nuk kemi me fqinjët e tjerë kaq shumë gjëra të përbashkët­a sa kemi me shqiptarët... Është kështu Irakli? Në Shqipëri prej vitesh janë përkthyer e botuar libra të mi dhe unë e çmoj vazhdimish­t shumë këtë përpjekje. E kam vizituar Shqipërinë dhe do të doja të vizitoja përsëri, por ja, e shikon, si jam... Ne duhet të shkruajmë shumë për njëri- tjetrin, por edhe të botojmë libra, romane, tregime e poezi të njëri- tjetrit. Unë e dua Shqipërinë, miku im! Tani je miku im, sepse kemi një mik të përbashkët, kemi Irakliun. Jemi shumë miq, më ka ardhur edhe në shtëpi dhe i kam vajtur edhe unë. Ah, sa dëshiroj ta shoh edhe një herë Shqipërinë! Ju keni poetë e shkrimtarë të mëdhenj. Pse nuk përkthehen? E mo, Irakli, do të përkthehen? E dini ju që populli grek ju është mirënjohës që keni përkthyer kolosët tanë të antikiteti­t? Ato nuk janë të përkthyer në shumë e shumë vende që e mbajnë veten për të zhvilluar...

- Jani, të flasim edhe ne pak... do të na lësh radhë? - ndërhyri miqësisht dhe me një buzëqeshje të madhe në fytyrë Irakliu.

- Po, po, ke shumë të drejtë, fola shumë, por dua t'i them mikut tonë edhe një gjë të fundit: bëj një dokumentar të bukur, fol me njerëz të thjeshtë... ndihmoje Irakli, ndihmoje të bëjë diçka të bukur. Tregoju shqiptarëv­e se ne i duam shumë dhe se duam të jemi fqinj të mirë, se duam të hyjmë e të dalim me njëritjetr­in, si miq, si vëllezër... Nuk ka gjë më të bukur se miqësia ndërmjet popujve, se dashuria e popujve. Unë kam një nderim të madh për Shqipërinë, kam provuar edhe rakinë shqiptare; ishte e mrekullues­hme. Ne dimë të pimë raki dhe uzo, apo jo? Ne dimë të këndojmë e hedhim valle, dimë të jemi krenarë për heronjtë. Sigurisht, edhe të tjerët i dinë këto gjëra, por jo si ne, grekët e shqiptarët, apo jo Irakli? Po fol edhe ti, mirë e kam?

- Pusho tani, të mori e mira, - iu drejtua Irakliu, - dhe thua pastaj se je i sëmurë... Hë, mo Bashkim, është i sëmurë?

I thashë se në gjimnaz, në Durrës (" Oh, kam qenë në Durrës!", do të pëshpërist­e) kisha lexuar librin e tij "Kënga e motrës sime", por edhe një tjetër libër me përmbledhj­e e disa poezi të mrekullues­hme, "Mëhallat e botës", përkthyer në Shqipëri në vitin 1961 nga Spiro Çomora, një mjeshtër i madh dhe jo i lehtë për t'u zëvendësua­r. Duke lexuar këta libra dukej qartë se kemi shumë gjëra të përbashkët­a, në shpirt, traditë, histori, kulturë, këngë e valle, në veshje e në rite. Ju jeni edhe poeti ynë, poeti i rinisë shqiptare dhe i Shqipërisë. Shqiptarët ju duan shumë. Të mëdhenjtë, me zemër dhe shpirt, me botë dhe me gjithçka, nuk kanë kufij.

( Sa shumë na kishte folur për poetët, dramaturgë­t e komedianët e mëdhenj grekë, profesori i shquar i letërsisë, i paharruari Mark Dema, në gjimnazin "Naku Spiro". Dhe sa shumë libra të poetëve të mëdhenj grekë të lashtësisë, por edhe bashkëkoho­rë, do të më jepte për të lexuar kur isha vetëm 15 - 16 vjeç, profesori i nderuar Pertef Kruja, një mendje e ndritur dhe personalit­et i spikatur, drejtor i Bibliotekë­s së Durrësit dhe njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve, përkthyes shumë i mirë nga gjermanish­tja. Edhe shtëpitë i kishin afër, të dy jetonin pranë amfiteatri­t.

Tek i flisja për librat e tij në shqip, qeshi dhe më shtrëngoi dorën fort. Deri atë ditë që pata fatin të takohem me të, kisha lexuar në shqip edhe disa përkthime të tjera të veprës së tij, jo vetëm ato që përmenda, si "Njeriu me karafil dhe vjersha të tjera", përkthyer nga poeti Aleks Çaçi.)

- E dini kur është botuar në shqip "Kënga e motrës sime"? - e mori fjalën përsëri poeti. - E di ti, Irakli? Kur unë kam qenë në burg. Kur më dhanë këtë lajm u gëzova shumë, u gëzova pa masë.

( Kur dolëm, Irakliu do të më tregonte se gjatë një vizite që kishte pasur në shtëpinë e Ricos, ndër shumë të tilla, poeti i ishte shprehur: Në vitit 1949 - 1950, kur isha në burgje te Juntës Fashiste, më sollën fshehurazi lajmin e gëzuar se në Shqipërinë e vogël dhe të varfër ishte përkthyer e botuar poema "Kënga e motrës". Shqipëria, ky vend mik dhe fqinj i lashtë, megjithëse i varfër, si dhe ne, e kishte bërë këtë në një kohë kur vendet e tjera më të mëdha e më të pasura ende nuk e kishin kthyer vëmendjen nga krijimet e mia në burgje... Këtë nder nuk do t'ia harroj kurrë Shqipërisë.)

I lashë të kuptoja Irakliut se ishte mirë të largoheshi­m, sepse më dukej sikur po e mundonim dhe e lodhnim, por Ricos e kuptoi dhe m'u drejtua: - Jo, o jo, jam mirë... dhe jam shumë i gëzuar që po bisedojmë së bashku, që po flasim në këtë mënyrë për njëri- tjetrin. Rrini edhe pak, nuk më lodhni... Me ty takohem përsëri Irakli, por miku ynë do të ikë. I dua vërtet shumë shqiptarët. Shqiptarët janë epikë, bujarë, fisnikë, mikpritës. Sikur të dija të shkruaja muzikë si Miki Theodoraki­s, do të kompozoja një baladë për shqiptarët... Do të dëshiroja shumë që t'i shihja grekët në Tiranë e shqiptarët në Athinë... Dy popujt tanë kanë marrë shumë jo vetëm nga malet e bukura që kemi, por edhe nga jodi i detit... dhe kush ka det, ka shpirt, ka jetë. Sigurisht, kanë det edhe vende të tjera, por nuk janë si ne, janë popuj të ftohtë. Edhe ju, edhe ne dimë të duam shumë, t'u këndojmë bukur grave tona të mrekullues­hme, djemve që hedhin valle me krenari... dimë të pimë, të qeshim, të kemi miq. Apo jo, miku im? Ne

kemi jetë, kemi botë, kemi dashuri, kemi zemra të mëdha...

U kënaqa pa masë duke dëgjuar këtë poet me famë botërore, këtë mik të shqiptarëv­e. Ndërsa fliste, dukej se ishte tamam në botën e tij të pastër, të sinqertë, të hapur e të guximshme. Një botë mbushur me dritë, diell, det, jod, dashuri të madhe për njerëzit, për atdheun e lashtë e me histori, si rrallë vend tjetër, për Greqinë. Në ato minuta që kaluam bashkë kishte një frymëzim homerik! Një grek i madh që na donte shumë ne, shqiptarët.

( Tek shkruaj këto rreshta, pyes: A duhet të flasim ne, shqiptarët e grekët, si fliste Ricos tri dekada më parë? A mund dhe duhet të bëjmë atë që ai, në shtratin e vdekjes, ai poet, por edhe politikan i madh, tha në ato pak minuta bisedë me mua dhe Irakliun?)

Do të doja të rrinim më shumë, por ishim në spital. Edhe sot kam një brengë të madhe, që në ato kushte nuk munda ta intervisto­ja. Do të ishte një perlë e vërtetë! Do të ishte një mësim i madh, i veçantë e frymëzues, se si duhet të shkojmë mirë sot, më shumë se kurrë më parë, se si popujt tanë duhet të jetojnë në miqësi. U përkula dhe e përqafova poetin e madh me mirënjohje, jo thjesht e vetëm si poet, por për ato që tha për popujt tanë ( për ato që tha tri dekada më parë).

Ai nuk m'i lëshonte duart. Me sy të përhumbur e të mjegulluar më vështronte miqësisht, ndërkohë që nuk i shuhej një buzëqeshje e bukur që fliste aq shumë. E desha edhe më shumë Greqinë, popullin grek, kulturën, artin, historinë, filozofinë, këngën e muzikën thjesht nga fjalët e Janis Ricos, nga mesazhet olimpike që përcolli aq lirshëm dhe aq natyrshëm për popullin shqiptar. Janis Ricos nuk ka qenë vetëm një nga poetët më të mëdhenj në botë dhe poeti më i madh e më i dashur në Greqi, por edhe njeri fisnik, trim, me shpirt të madh, rebel antikonfor­mist dhe legjendë me zemër të madhe. Rrallëkush i ka kënduar si ai shpirtit të bukur grek, rrallëkush ka kënduar si ai virtytet e historinë e pasur, natyrën e trimërinë e popullit grek, rrallëkush ka thurur vargje si ai për detin, dritën, dheun, ullirin e mermerin grek, rrallëkush si ai ka ditur të heqë velin e misterit të lashtësisë, të zbulojë shpirtin e madh të Olimpit, të paraqesë Maratonama­kun e pavdekshëm të lashtësisë, rrallëkush i ka kënduar si ai kurorës së degës së ullirit, këtij triumfi të paqes, lirisë e mirësisë.

Në mbrëmje, ndërsa pinim kafe me Irakliun, në Kolonaki, vetëm 2 - 3 qind metra larg ambasadës, do të vazhdonim të dy, me shumë pasion, bisedën për Ricosin, por edhe për figura të tjera të mëdha të kulturës, letërsisë dhe artit të popullit grek. Njëri nga këta ishte edhe muzikologu i shquar Leocakos, që me shumë kënaqësi pranoi të intervisto­hej dhe për të cilin do të flas më poshtë. Folëm edhe për Miki Theodoraki­sin e famshëm, për heroin Manolis Glezos, për Melina Mërkurin dhe për arvanatisi­n e shquar Aristidh Kola. Irakliu më tregoi se ishte njohur me Ricosin në vitin 1987 dhe e kishte vizituar disa herë në shtëpi. Ricos vinte shpesh në ambasadë dhe e kthente me shumë kënaqësi një gotë të vogël raki. Fliste hapur. Sapo dilte nga ambasada, i turreshin kalimtarë të shumtë për ta përshëndet­ur, përqafuar a kërkuar autograf.

... Kur fillova punë në ambasadë, njohjen me këtë poet të madh grek që në vitin 1991, do t'ia tregoja shumë miqve dhe personalit­eteve politike. I madh dhe i vogël e nderonte Ricosin në Greqi. Për Ricos- in do të mësoja edhe më shumë nga

 ??  ?? BASHKIM ZENELI ( MAJTAS) JANIS RICOS
BASHKIM ZENELI ( MAJTAS) JANIS RICOS
 ??  ?? JANIS RICOS
JANIS RICOS
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania