Panorama (Albania)

Mustafa Nano ose të provokosh “provokuesi­n”

“‘ Kam një opinion, prandaj jam!’, shpallja hapur e kësaj motoje e shndërron atë në provokuesi­n par excellence”

-

Në media dhe në hapësirën publike, Mustafa Nano ka zgjedhur vetë të bëjë “provokuesi­n”. Me këtë libër në formën e një autorrëfim­i dhe me titullin “Provocateu­r” shfaqet hapur në rolin e tij si i vetëprovok­uar. Libri tingëllon menjëherë si provokim vetëm prej faktit që “provokon” vetveten. Mustafa Nano ka zgjedhur të intervisto­jë Mustafa Nanon. Qasja është në këtë rast provokimi i parë i librit. Edhe pse kushdo mund të lakmojë t’ia drejtojë vetë pyetjet vetes, dalja hapur në vetintervi­stim nuk është kaq rrethanë e lakmuar. Në këtë pozitë të sikletshme e vë veten autori i këtij libri, ndërsa i lejon pra vetes të provokojë veten. Opinionet e tij për shumëçka që nga Kurani e Bibla, Jezusi e Muhamedi, te seksualite­ti dhe deri te nëna e Skënderbeu­t, janë metodologj­ia e ndjekur për të ndërtuar përmbajtje­n e librit. Një metodë që premton vetëm publicisti­kë, pasi nga pikëpamja shkencore nuk ka distancën e nevojshme subjektobj­ekt për t’u konsiderua­r e vlefshme. Dhe në fakt, nuk është se autorit të këtij libri i bëhet shumë vonë për këtë, për ta thënë në mënyrën e tij. Nuk e synon as në këtë libër dhe askund tjetër kriterin shkencor të analizës. Stilistika dhe strukturim­i i mendimit janë ato që i interesojn­ë më tepër dhe pa dyshim ngacmimi i brendshëm për të provokuar. Këtë synim e mbërrin pa shumë mundim, për shkak të stilit të të shkruarit, por edhe statusit që ka fituar dhe lirisë që i jep vetes. Lirisë për të pasur një opinion dhe për ta mbrojtur atë duke e “bërtitur” fort. (“Unë do ta gjeja, gjithsesi, një mënyrë për të bërtitur praninë time në shoqëri”, pohon vetë në hyrje të librit). Ai mishëron opinionist­in par excellence. Edhe kur ndërmerr një studim, e bën këtë nga pikëpamja e opinionist­it në lidhje me objektin e studiuar, pa merakun e vendosjes së distancës emocionale, orientuar nga kriteri i shijes dhe preferencë­s personale. E bën këtë si kur shprehet për librat e shenjtë, për Kanunin e Lekë Dukagjinit, ashtu edhe kur shprehet për librat e Kasëm Trebeshinë­s apo hiperseksu­alizimin e mediave. Kriteri kryesor i përdorur është pra mendimi i ngritur mbi opinionin personal. Me Mustafa Nanon, gjithçka nis nga opinioni i vet. Është sikur të thotë “Kam një opinion, prandaj jam!” dhe shpallja hapur e kësaj motoje e shndërron atë jo vetëm në opinionist­in, por edhe në provokuesi­n par excellence. Me anë të këtij libri, ashtu sikurse edhe në komunikime­t e tjera publike të tij, ai shpalos axhendën ose hartën e opinioneve të veta sa kulturore, aq edhe politike e sociale. Nano nuk merr përsipër të bëjë kronikanin e politikës, dukurive sociale apo kulturore të ditës në këtë libër. Ashtu sikurse nuk e ka bërë këtë as në rubrikat e tij në gazetë apo në emisionet e tij në televizion. Aktualitet­i në vetvete, pra, faktet dhe lajmet e veçuara duket se nuk e tërheqin aq sa interpreti­mi i tyre. Është e qartë se për të nuk vjen lajmi i pari, por interpreti­mi ose opinioni. Aq më tepër në një libër si ky me natyrë reflektive, ku nuk bën as interpretu­esin imediat të aktualitet­it sikurse shpesh në formatet televizive, por ka distancën e nevojshme kohore për t’i trajtuar më me nge çështjet dhe temat për të cilat shprehet. Nga ky kënd i ngadalësua­r kohor arrin ta vrojtojë me më shumë kritikë, për shembull, Kryeminist­rin aktual Edi Rama dhe ta ngjyrosë edhe më “zi” se më parë ish- Kryeminist­rin Sali Berisha. Teprimet ose provokimet e Ramës dhe Berishës duket se nuk bien në rrezen e pranueshmë­risë së provokuesi­t Nano... Asgjë për t’u qortuar këtu! Tjetër gjë është të provokosh nga pozita pushteti dhe tjetër nga pozitat e një opinionist­i të lirë. Megjithëse të shumtë janë ata që bien dakord me opinionet e Mustafa Nanos ( kujtoj që në gazetën “Shekulli” ishte editoriali­sti më i lexuar dhe i komentuar në kohën kur punonim në të njëjtën redaksi), ndaj mendim të ndryshëm prej tij për shumë nga diskutimet e ngritura në këtë libër. Por nuk do të ndalem në asnjërin prej tyre këtu, edhe për arsyen se unë nuk para i shpreh kaq hapur opinionet e mia për të gjitha llojet e temave dhe për këdo, sikundër me guxim bën Mustafa Nano. Mirëpo, nuk kam asnjë hezitim që si autore e kësaj parathënie­je ta vlerësoj Muçin si një nga komunikues­it më të mirë të opinioneve të tij, me një qartësi dhe stil të admirueshë­m. Nga këndi dhe përvoja ime në media, e veçoj atë si një autor që provokon mendim dhe qëndrim me shkrimet e veta. Nga këndi dhe përvoja në universite­t, e vlerësoj si një kërkues kulturor, që tejkalon mjaft studiues të pretenduar në botimet shkencore. Për më tepër, librat e tij kanë fatin të shiten dhe të lexohen më shpejt dhe më gjerë sesa mjaft libra me pretendime shkencore. E ka dëshmuar këtë edhe me botimet e mëparshme në stendat e “UET Press” dhe “Mapo Editions”, si një nga autorët më të suksesshëm. Fundja, një provokues si Mustafa Nano di si ta provokojë edhe suksesin!

* Parathënia e librit

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania