Panorama (Albania)

Tre miq diskutojnë për celularin

- ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Bota po shkurton distancat, po bëhet përherë e më e arritshme. Sot sheh live jo vetëm lojëra olimpike...

jo vetëm kremtime në anën tjetër të rruzullit, por edhe nisjen e një lufte, rrëmujën dhe kaosin pas një akti terrorist etj. Bota është bërë më e vogël dhe shumë më e pranishme në jetët tona. E megjithatë, ka të ngjarë që njeriu ndihet më i vetmuar sot sesa dje.

E ke të afërmin përbri, po celulari ta degdis larg. Rrjetet sociale po na lidhin me të largëtit, por po na largojnë e po na tëhuajësoj­në me njerëzit e shtëpisë.

Muret që po ngre interneti mes të afërmve, përditë e më shumë të kujtojnë perden e hekurt. Por dhimbja kësaj radhe është më zemërbrejt­ëse, nuk shtrihet mes sistemesh e shtetesh, por mes prindërish e fëmijësh, mes vëllezëris­h e motrash.

Për t’i ikur vetmisë, miliona vetë bashkohen në rrjete sociale ashtu siç janë bashkuar e bashkohen edhe në komunitete të imagjinuar­a si kombi, partitë politike, besimi etj.

Por, siç e thotë një burrë i zgjuar, këta mijëra miq fejsbuku, këta miliona bashkëkomb­ës, bashkëluft­ëtarë etj., nuk mund të të japin intimiteti­n që të jep një motër e vetme.

Problemi nuk shtrohet të braktisësh rrjetet sociale e të jetosh vetëm në komunitete fizike e intime, as të mohosh kombin e të absolutizo­sh familjen.

Njerëzimi është i madh e i paanë, ka vend, zemër e vëmendje për gjithçka e për të gjithë. Ashtu siç ka e duhet të ketë edhe sensin e masës dhe aftësinë që, herët a vonë të gjejë ekuilibrin. Çoroditja është moment, drejtpeshi­mi ka qenë dhe mbetet ligj ekzistence.

Këtë përsiatje e postova në fejsbuk para dy javësh. Mora shumë komente e reagime. Në vijim po bashkëngji­s dy prej tyre. 2.

Ti ankohesh se celulari po na lidh me të largëtit dhe po na largon nga njerëzit e shtëpisë. Është akoma më zi, them unë. Celulari, d. m. th. interneti dhe rrjetet sociale, po na largojnë edhe nga vetja. Kështu më shkruan Qaniu dhe vazhdon:

Që ta perceptosh më lehtë, po të tregoj një ndodhi. Para dy vitesh, në rrugën e Medresesë një i ri vrau të dashurën dhe pastaj ia hoqi dhe vetes. Motra e së vrarës, që ishte ca hapa më tej, ia dha kujës. Shumica e të pranishmëv­e nxorën celularët dhe po fotografon­in.

Bashkë me dy- tre të tjerë bëmë të afroheshim. Nuk mund të ndërhynim në skenën e krimit, por u përpoqëm t’i gjendeshim motrës që po lebetitej.

Mbasdite vrisja mendjen: ç’i shtyu ata 1012 vetë që, fët e fët, të nxirrnin celularët dhe të filmonin? A e përjetuan llahtarinë e krimit si ne të tjerët apo, të zënë me filmimet, e panë thjesht si imazhin e radhës?

As sot e kësaj dite nuk gjej dot përgjigje të prera për këto pyetje, por një gjë mund ta them me siguri: pak çaste pas vrasjes, sehirxhinj­të ua kanë përcjellë videot miqve në fejsbuk a instagram dhe pastaj kanë pritur me kërshëri like- t dhe komentet.

Kësaj i thonë t’u ikësh përjetimev­e reale, të lesh mënjanë drithërima­t, frikën, keqardhjen që ngjall vrasja e dikujt para syve të tu dhe të synosh emocionet e zbehta që ngjall aprovimi apo admirimi virtual i miqve.

Me një fjalë, në vend që të shohësh, kërkon të të shohin. Egoizëm safi, por edhe ikje nga përjetimet reale, arratisje nga vetja jote.

E pra, ndruaj se fejsbuku dhe rrjetet e tjera sociale po bëjnë që njeriu t’i ikë vetes. Madje, edhe trupi ngjan se nuk po na hyn në punë, na duhen vetëm sytë, dhjetë gishta, një ekran e një tastierë.

Dhe kështu rrezikojmë të kthehemi në ca qenie virtuale, të tëhuajësua­ra jo vetëm me ata që kemi pranë, por edhe me veten, madje edhe me trupin tonë. 3.

Sa herë flisni për celularin dhe rrjetet sociale, edhe ti, edhe Qaniu, i bini fyellit në një vrimë. Shihni vetëm gjysmën bosh të gjësë. E bëni celularin djall me brirë dhe lini në harresë anët pozitive që i ka të shumta dhe të çmuara.

Kështu më shkruan Naqja dhe nis e shtjellon qëndrimin e tij. Celulari, thotë, na e bën jetën më të lehtë, kurse marrëdhëni­et me të afërmit më funksional­e.

Nipin dyvjeçar e takojmë vetëm për fundjavë, se Tirana është bërë e madhe dhe shtëpinë e vajzës e kemi larg. Gati çdo mëngjes, dhëndri na lidh me video- kamerë.

Veç të shohësh mua dhe Verën, pa u larë akoma, ndenjur shesh në krevat dhe ngjitur me njëri- tjetrin, që të na kapë kamera e celularit, i këndojmë e i themi vjersha. Ai dëgjon e gazmohet, bija dhe dhëndri bëhen gati për punë pa çamarrokun nëpër këmbë.

Do më? Baxhanaku im në Amerikë, emigrant njëzet e ca vjet, sa ka dalë në pension. Mërzitem e bëhem derr, thotë. Edhe në metro, mes lumit të njerëzve, ndihem i vet- muar, si të isha në Patagoni. Vetëm kur hap fejsbukun më ngjan vetja sikur jam në Fier.

Lexoj statuse e komente, kthej ndonjë përgjigje, të gjitha shqip, dhe më duket se jam atje, mes miqsh e të njohurish. Me njërin përshëndet­em, me tjetrin bëj ndonjë batutë nga larg, me të tretin shkoqitem në muhabet. Gjë e madhe fejsbuku.

Në postimin e djeshëm, vazhdon Naqja, Qaniu flet me keqardhje e gati- gati me përçmim për ata njerëz që, kur ndodh ndonjë gjë e jashtëzako­nshme, nxjerrin celularët dhe filmojnë. I quan sehirxhinj dhe harron që, jo rrallë sjellin shërbime të çmuara shoqërore e publicisti­ke.

Po të qe për televizion­et dhe kamerat profesiona­le p. sh, pamjet e shpërthimi­t të Gërdecit, do t’i kishim me llafe. Celularët e dy- tre qytetarëve të thjeshtë e fiksuan shpërthimi­n gjëmëmadh për ne dhe për historinë.

Ose merr një ngjarje të freskët. Opinioni dhe mediat greke u trazuan goxhá për vrasjen e të riut minoritar në Bularat. Fillimisht andej kufirit mbisundoi versioni se u vra meqë ngriti flamurin grek.

Vetëm kur doli videoja që e tregonte të riun në rrugën përbri kafenesë, duke shtirë me armë në lartësinë e trupit, edhe në opinionin grek u shtuan zërat realistë që thoshin se Policia e çdo vendi ka të drejtë të asgjësojë personat që ngrenë armën kundër saj.

Kjo video, që bëri ndryshimin, ishte e ‘ një sehirxhiu’, që ndodhej në kafene dhe, në vend të rrinte duarkryq e të përjetonte emocionet dhe dridhmat e ngjarjes, siç predikon Qaniu, nxori celularin dhe filmoi. Merret lehtë me mend se ç’vlerë kanë dridhmat e një personi krahasuar me mirëkuptim­in mes dy shtetesh fqinjë.

Si ti dhe Qaniu, kulmin e arrini kur fajësoni celularin dhe rrjetet sociale se po na zhytin në një botë virtuale. Në fakt, nuk po bëjnë kurrfarë faji, përkundraz­i po na ofrojnë një shërbim të çmuar. Po na ndihmojnë të shuajmë një etje të përjetshme të racës njerëzore.

Në çdo vend e në çdo kohë njeriu e ka të nevojshme që, hera- herës të çlirohet nga realja e të shkojë te virtualja, të arratiset nga e zakonshmja e të strehohet tek e çuditshmja. Kjo është dëshirë safí njerëzore, ndaj çdo kohë ka pasur e ka nevojë edhe për përralla, trillime e realitete virtuale.

Në një pikë jam dakord me ju: ka shumë teprime në përdorimin e celularit, por fajtorë jemi ne e jo instrument­i. Pastaj, më thuaj një dashuri, e cila në hapat e para ruan sensin e masës.

Në çdo vend e në çdo kohë njeriu e ka të nevojshme që, hera- herës të çlirohet nga realja e të shkojë te virtualja, të arratiset nga e zakonshmja e të strehohet tek e çuditshmja. Kjo është dëshirë safí njerëzore, ndaj çdo kohë ka pasur e ka nevojë edhe për përralla, trillime e realitete virtuale. Në një pikë jam dakord me ju: ka shumë teprime në përdorimin e celularit, por fajtorë jemi ne e jo instrument­i. Pastaj, më thuaj një dashuri, e cila në hapat e para ruan sensin e masës

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania