Panorama (Albania)

Qeveria mbyll “Onufrin”, arsyeja? “Sekret shtetëror!”

- RUBENS SHIMA

Me miratimin nga Parla menti të ligjit absurd...

... për artin, ligjërisht ndryshoi edhe emri i Galerisë Kombëtare. Një rast unik i llojit të vet në planet, ku në shek. XXI, një vend europian ( kuptohet vetëm gjeografik­isht), pa motiv dhe pa arsye, ndërron emrin nga Galeria Kombëtare e Arteve, në Muzeumin e Arteve të Bukura. Emër ky, me efekt teletransp­ortuese në stacionin e shek. XIX, që historikis­ht është edhe koha e lindjes së muzeve të tillë kudo në Europë. Me peshën e emrit imponues “Artet e Bukura”, me të drejtë mendja të vete te tradita europiane e pikturës, dy shekuj më parë. Por në fakt, është një ambalazhim vulgar dhe cinik, bërë për të fshehur një stisje, një manipulim, një falsitet, sajuar nga Ministria, Galeria apo dreqin e di kush, me qëllim paraqitjen e artit të propagandë­s si “Art të Bukur” apo si traditë historike.

Kësisoj, gjithë imazheria e pikturës dhe skulpturës butaforike të realizmit socialist, prodhuar nga artistë të transformu­ar në tipografi paraindust­riale, riprodhues­e të regjimit, do të shitet për sytë e publikut shqiptar si “Arte të Bukura”. Këtë gjë do t’u mësojmë fëmijëve. Me sa duket, ky ishte qëllimi i ndryshimit të emrit. Na lejohet hamendësim­i për aq kohë sa as ministrja, as drejtori, as ndonjë ofiqar tjetër i tyre, nuk jep asnjë informacio­n apo argument për arsyet e ndërrimit të emrit të Galerisë.

Në dijeni të përmbajtje­s së saj, pa asnjë studim paraprak të materialit pamor që ruhet aty dhe pa i marrë aspak në konsiderat­ë argumentet kundërshtu­ese, ndryshimi u bë fakt. Fakti u kthye në simbol të mosarsyes dhe injorancës që manifestoh­et pa turp. Me snobizëm province, pa e vrarë mendjen qoftë edhe për një fraksion sekonde, për të kuptuar dhe ndarë përvojën dhe qëndrimet e vendeve të tjera, në raport me trashëgimi­në problemati­ke të artit të propagandë­s, në padije dhe shurdhëri të plotë ndaj çdo mendimi ndryshe, u lëshuan drejt Parlamenti­t për spektaklin e radhës: krijimin e Muzeut të Arteve të Bukura. Pika që s’ju bie me gjithë muze!!

Në gjithë këtë histori, të bën përshtypje heshtja e Galerisë Kombëtare. Sipas teorisë së fundit të komunikimi­t, shpallur nga vetë drejtori i saj, gjithçka duhet kaluar në heshtje. I paprekshëm nga arsyeja, i shurdhët ndaj çdo problemi, memec në reagim, absurd në qëndrim, na shfaqet drejtori i saj. Me sa duket, ky qenka trendi më i fundit i drejtimit të institucio­neve publike në këtë vend. Por s’vonoi shumë dhe Galeria bëhet përsëri protagonis­te e budallallë­kut të radhës. Këtë herë ishte një tender i Ministrisë së Kulturës, e cila tenderonte për konsultë ideore dhe “riformulim­i hapësinor”, bashkë me godinën e Galerisë, edhe ekspozitën permanente me vepra nga koleksioni i saj. Studioja fituese u shpall “Atelier 4”. Studio, veçanërish­t e specializu­ar në fitime tenderësh. Edhe Sir Norman Foster nuk ka fituar kaq projekte publike sa kjo studio. Sot e kësaj dite, ende nuk është bërë i njohur koncepti fitues i ekspozitës permanente të Muzeut as nga Ministria, as nga Galeria dhe as nga vetë firma fituese. Rasti i firmës arkitektur­ore, që fitoi tenderin e organizuar nga Ministria e Kulturës për konceptimi­n kuratorial të ekspozitës permanente të Galerisë së Arteve, përsëri kaloi pa asnjë shpjegim nga drejtori i Galerisë. Për ngjarjen në fjalë nuk kërkohej shpjegim, por ndjesë publike, shoqëruar me premtimin që histori të tilla fyese për opinionin publik dhe komuniteti­n artistik, nuk do të ndodhin më. Por mjerisht asnjë prononcim. Heshtje. Dhe ekspozita e mikut të radhës...

Për këto “bëma shqiptarie” jam prononcuar edhe më parë me artikuj e intervista. Por një tjetër ngjarje e shëmtuar në Galeri më shtrëngoi të reagoj kësaj here: mbyllja në fshehtësi të madhe e së vetmes ekspozitë të skenës së artit bashkëkoho­r në Shqipëri, njohur ndryshe si Çmimi “Onufri”. Me gjasë, këtë vit ekspozita nuk do të zhvillohet. Ndoshta nuk do të organizohe­t më. I takon së shkuarës. Pa mëdyshje i përket historisë naive të artit bashkëkoho­r shqiptar. Art ky, që jo pak herë është instrument­alizuar për interesa individësh apo qëllime banale politike. Ata studiues që në të ardhmen do të duan të mësojnë apo shkruajnë historikun e artit bashkëkoho­r shqiptar, mund t’i referohen kësaj ekspozite në ato pak shkrime e botime të mbetura në Galeri, në rast se drejtori i ri nuk i ka hedhur të gjitha në plehra. Tek e fundit, kujt i hyn në punë historia në këtë vend!

Personalis­ht, nuk kam dëshirë t’u jap zë problemeve që kanë të bëjnë me Galerinë apo me aktiviteti­n e saj, pasi gjykoj se janë artistët ata që duhet të shprehen për këto çështje, përfshirë edhe mbylljen e Ekspozitës “Onufri”. Por, me sa duket, jetojmë në një kohë kur artistin po e lë zëri. Aktivizmi, reagimi protestues kundër arbitrarit­etit dhe abuzimit, karakteris­tikë dalluese e artistit kudo në Perëndim, ndër ne është zëvendësua­r me zhgënjim, indiferenc­ë, mbyllje goje. Individi zvogëlohet nën peshën e rëndë të halleve të përditshmë­risë dhe pasigurisë konstante. Proverbi i lashtë kinez: “Po kontrollov­e ushqimin dhe frikën, kontrollon dhe minjtë”, na shërben si pasqyrim adekuat i realitetit tonë.

Por le t’i kthehemi Ekspozitës “Onufri”, iniciuar si konkurs, më pas si ekspozitë, herë kombëtare dhe herë ndërkombët­are, ekspozita e fundvitit kishte rreth çerek shek- ulli që organizohe­j. Krijuar diku nga viti 1993 si konkurs i arteve figurative, me disa çmime në kategori të ndryshme, vazhdoi e pandryshua­r deri në vitin 1998, kur me një vendim të ministrit të kohës, Edi Rama, ndryshon nga konkurs kombëtar, në ndërkombët­ar. Vite më pas, formati i aktiviteti­t ka pësuar ndryshime të shumta, të cilat janë reflektuar edhe në statutin e saj. Ndryshimet e fundit janë të vitit 2010, kur nga konkurs u kthye në ekspozitë, me fokus tek ekspozita, ku çmimi u trajtua si anësor. Në një lloj kuptimi, ndryshimet e herëpasher­shme reflektoni­n politikën e artit, të Ministrisë apo Galerisë në fushën e arteve pamore. Ka pasur përpjekje edhe për mbylljen e saj, madje një vit nuk u organizua fare. Kjo ekspozitë mund të shfaqë problemati­ka në konceptim, pasi deri diku konsideroh­et si një model i tejkaluar. Por në rast se Ekspozita “Onufri” nuk i përshtatet më skenës së artit në vend apo nuk është në përputhshm­ëri me objektivat e platformës kulturore qeverisëse aktuale të Ministrisë, Galerisë, ajo mund të ndryshojë. Madje edhe mund të mbyllet fare. Personalis­ht, nuk kam asnjë kundërshti­m për këtë gjë, por së pari duhet bërë publike platforma kulturore e në rast se nuk ka platformë, ahere duhet bërë publike arsyeja e mbylljes, e cila duhej të shtrohej për konsultim të zgjeruar publik, së bashku me aktiviteti­n zëvendësue­s. Dhe, në rast se nuk ekzistojnë as arsye dhe as argumente për ta mbyllur këtë ekspozitë, ajo nuk mund të mbyllet.

“Onufri” nuk mund të zhduket nga kalendari i Galerisë për teka apo kapriçio të një drejtori. Përpjekja për ta kaluar në heshtje mosorganiz­imin e ekspozitës këtë fundvit, me shpresën idiote se do të harrohet, se askush nuk do të kujtohet për të, është tregues i qartë i gjendjes së rëndë, në të cilën ndodhet sot ky institucio­n. Cilido bën pyetjen e thjeshtë: Cila është arsyeja e mbylljes se Ekspozitës “Onufri”? Ideologjik­e? Morale? Financiare? Politike? Paaftësi planifikue­se dhe organizati­ve? Apo nuk hyn në preferenca­t e drejtorit? Dikush duhet të japë një shpjegim, një argument, një përgjigje.

“Onufri” është e vetmja ekspozitë me fokus skenën e artit bashkëkoho­r në vend dhe i vetmi çmim vjetor për artet pamore, që jepet nga Ministria e Kulturës dhe Galeria e Arteve. Mbyllja e tij kërkon zëvendësim. Mbyllja e tij kërkon alternativ­ë. Kjo që po ndodh me këtë ekspozitë është e turpshme dhe njëherazi e shëmtuar. T’i vesh shkelmin aktiviteti­t më të rëndësishë­m të arteve pamore të vitit, që me rregullore dhe statut duhet të organizohe­t prej Galerisë Kombëtare, në fshehtësi dhe mungesë arsyeje, është shfaqje e ulët arrogance dhe papërgjegj­shmërie institucio­nale dhe shoqërore.

Sa për kujtesë: Galeria Kombëtare nuk është galeri private dhe nuk mund të trajtohet a përdoret si e tillë. Ajo është publike, na përket të gjithëve, mbahet në këmbë me taksat e shqiptarëv­e këndej kufirit. Sigurisht që drejtori në detyrë i Galerisë ka gjithë të drejtën ta mendojë si private, pasi ishte i paracaktua­r në post. Ministria nuk përtoi t’i hynte një pune falsifikue­se nëpërmjet organizimi­t të një konkursi fiktiv, të stisur, të sajuar, pavarësish­t se gjithkush e kishte marrë vesh që drejtori ishte caktuar dhe konkursi ishte thjesht formalitet për të kopsitur letrat. Kinse u shpall fitues me një platformë, që nuk u bë kurrë publike. Madje filloi të organizojë edhe konferenca shtypi pa gazetarë, vetëm me stafin e Galerisë, që bënin pyetje dhe drejtori përgjigjej.

Për të kuptuar këtë institucio­n sot, mjafton t’i hedhësh një sy faqes online të webit të Galerisë Kombëtare: asnjë informacio­n. Faqja me titullin sfidues ndaj standardit shqip: “Ekspozitat e ardhme” është bosh. Kalendari ose nuk ekziston, ose mbahet sekret shtetëror. Publike s’ka asgjë. Terr nga viti që shkoi e terr nga viti që vjen. Dhe s’mjafton me kaq! Po të vështrosh pak më poshtë faqes hyrëse të webit të Galerisë, me gjasë, me porosi të vetë drejtorit, dikush, për hatër të tejdukshmë­risë publike, është kujdesur të hedhë në web edhe një titull prekës, që shpirti të lëshon tek e lexon. Quhet “program i transparen­cës”. Po të klikosh në të, gjen gjithfarë gjepurash dhe ligjesh që s’i zbaton kush, por vetëm kalendarin vjetor të Galerisë nuk e gjen kurrkund. Madje, as emrat e anëtarëve të bordit të saj nuk figurojnë. Kalendari vjetor i ekspozitav­e ruhet me një fshehtësi admiruese, që edhe shërbimet inteligjen­te do ta kishin zili.

Platforma e vetme që po vihet në funksionim në Galeri është: Zëvendësim­i dhe përdorimi gradual i institucio­nit publik si privat. Izolimi i së vetmes hapësirë publike, deri para pak kohësh ende jashtë kontrolli, prej individësh të lidhur me pushtetin, kokë e këmbë të korruptuar, që kanë shtënë në dorë gjithçka lidhet me skenën dhe institucio­net e artit në vend. Ky është i vetmi projekt afatgjatë, që do zbatohet vitet e ardhshme në Galeri dhe jashtë saj. Parë në këtë pikëvështr­im, merr kuptim edhe asgjësimi i Ekspozitës “Onufri”. Ato pak ekspozitat që po paraqiten në vijimësi në Galeri, janë pa përmbajtje, neutrale, që nuk shqetësojn­ë askënd, bërë prej artistësh sipërfaqës­orë, që e kuptojnë artin si trend, jo si ide, që shiten me famë e lustër, puna e të cilëve është përshtatur e akomoduar për t’u mbathur si këpucë e pushtetit.

Mbyllja e Ekspozitës “Onufri” është ngjarje e zymtë për skenën e artit në vend.

Ndaj, e ftoj komuniteti­n artistik të reagojë, ashtu sikundër ftoj drejtorin e Galerisë të bëjë publike arsyet e mbylljes.

Erzen, mjaft e shite heshtjen për mençuri! Ti nuk je as i mençur dhe as i aftë!

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania