Panorama (Albania)

Normalizim apo tensionim i marrëdhëni­eve

- LEONIDHA MËRTIRI

Diplomacia gjithashtu, si art i kujdesshëm i menaxhimit të marrëdhëni­eve ndërkombët­are, nuk mund ta luajë rolin e vet përmes euforizmit, sikundër është parë, por nëpërmjet një veprimtari­e më aktive dhe të zhdërvjell­të, me impakt konkret te vendet që e kanë njohur dhe nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, për më shumë aleatë të vendosur

Sikurse është e njohur, për shkak të shumë rrethanave, Kosova u përball sërish me një dështim tjetër. Në Asamblenë e Përgjithsh­me të Interpolit, ajo nuk mundi të sigurojë dy të tretat e votave për anëtarësim­in në këtë organizatë. Dhe, siç pritej, Rusia votoi kundër, duke u bashkuar me të dhe shtete të tjerë, si Kina, Bjellorusi­a, Maroku etj., të cilat ishin më këmbëngulë­set për mospranimi­n e Kosovës, duke marrë kështu vetëm 68 vota në raundin e dytë, 51 kundër dhe 16 vende abstenuan. Anëtarësim­i i Kosovës në këtë organizëm të rëndësishë­m nuk do të ishte thjesht në interes të saj. Kjo po se po. Por ajo do të kishte efektet e veta dhe më tutje, në dobi të sigurisë së mëtejshme, jo vetëm të rajonit tonë, por dhe në atë europiane dhe globale. Vetë vendet anëtare në Interpol e ndiejnë, siç pohojnë disa ambasadorë të akredituar në vendin tonë në takimet e këtyre ditëve me anëtarë të Këshillit të Ambasadorë­ve Shqiptarë, nevojën e bashkëpuni­mit me shtetin e Kosovës, për një luftë të përbashkët dhe më efikase ndaj kriminalit­etit të organizuar.

Ajo që ra në sy, sikurse dhe herë tjetër, tek e cila po ndalemi më tepër, ishte fushata intensive e Serbisë për të penguar me të gjitha mënyrat këtë pranim. Jo se kjo ishte diçka e papritur apo e panjohur për palën shqiptare, sigurisht, në radhë të parë për Kosovën, por edhe për Shqipërinë. Diplomacia serbe, në veçanti, i shtoi lëvizjet me vendet që e kanë njohur dhe ato që nuk e kanë njohur Kosovën, duke e parë anëtarësim­in e saj si precedent politik dhe ligjor. Mjetet e propagandë­s gjithashtu luajtën një rol të rëndësishë­m. Lajmet e rreme janë hedhur gjithashtu në treg, teksa vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke pasur parasysh këto që sapo përmendëm, pohonte me mburrje se Beogradi ishte kujdesur mirë për mosrealizi­min e këtij anëtarësim­i. Krye- diplomati Ivica Daçiç, nga ana tjetër, nuk e fsheh lumturinë për refuzimin e Kosovës në Interpol, duke përsëritur nga intervista në intervistë, se “ku janë 116 shtetet, që e njohin të ashtuquajt­urën Kosovë?”. Tërë ky kujdes, si edhe më parë, u shpërblye, paçka se në strukturat e Bashkimit Europian premtohet, po prej tyre, se Kosova nuk do të pengohet për anëtarësim në organizata­t ndërkombët­are. Një qëndrim dyfaqesh ky, në vend të rritjes së përpjekjev­e për normalizim të marrëdhëni­eve dypalëshe dhe jo tensionim i mëtejshëm i tyre. Sepse, është fjala për të ecur në të njëjtat shina të integrimit në familjen e madhe europiane dhe jo për të mbetur te një e nesërme e zbehtë dhe aspak optimiste bashkëpuni­mi.

Taktika, si këto të serbëve, në lëvozhgë bizantine, janë veç përpjekje për t’iu larguar njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës, në kuadër të pranimit të Serbisë në Bashkimin Europian, kusht i njohur zyrtar ky i BE- së. Realisht, kjo njohje, sikurse kemi konkluduar dhe në shkrime të mëparshme, do të fillonte t’i ngrohte marrëdhëni­et midis palëve dhe do të rriste sigurinë për të nesërmen e tyre. Njerëz me mendje të hapur dhe në Serbi nuk mungojnë dhe që pohojnë të njëjtën gjë. Por ato humbasin përballë etheve të egra nacionalis­te. Zonjës Natasha Kandiç, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, siç shprehet në revistën “Danas”, i vjen turp se sa e fandaksur është Serbia pas asaj strategjie perverse, që të përdorë të gjitha mjetet, edhe ato të ndyrat, për të penguar anëtarësim­in e Kosovës në organizata­t ndërkombët­are. Edhe festimet e serbëve në veri të Mitrovicës për “fitoren” e Serbisë në mosanëtarë­simin e Kosovës në Interpol, nuk mund të flasin për përafrim të interesave të përbashkët­a të të dy vendeve, por për të kundërtën.

Pra, një qëndrim ndryshe i Beogradit do të sfumonte pengesat, që do të lindnin në udhën e këtyre marrëdhëni­eve. Kjo do ta bënte dhe vetë Presidenti­n e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të mos përballej me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksave ndaj mallrave serbe në njëqind për qind. Por jo ti t’i shohësh të drejta masat e tua për shtetin fqinj, kurse ky i fundit të shtrojë kurrizin para tyre. Ndryshe nuk mund të shpjegohen takimet e dendura të Vuçiç gjatë këtyre ditëve me kryediplom­atët e Bashkimit Europian, SHBA- së, Rusisë, Kinës dhe vendeve të QUINT- it në Beograd, pa folur për konferenca­t urgjente në mediat, me lutjet drejtuar Kosovës, që “t’i largojë këto taksa dhe të ulemi e të bisedojmë për të gjetur një kompromis”.

Qëndrimet e Beogradit duket se inkurajohe­n dhe nga një pavendosmë­ri, hiqe dhe mos e këput e vetë BE- së, që më shumë u ngjan llastimeve. Edhe në rastin e këtyre masave, Përfaqësue­sja e Lartë e BE- së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, jo pa ashpërsi kërkon që taksa të tërhiqet, duke e parë si shkelje të Marrëveshj­es së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore ( CEFTA) dhe Marrëveshj­es së Stabilizim Asociimit. Të njëjtën gjë kërkon edhe Komisioner­i Europian, Johannes Hahn. Pra, krijohet me të drejtë përshtypja e dy kuteve: Ndryshe ndaj qëndrimeve të Beogradit dhe ndryshe ndaj atyre të Prishtinës. Një konstatim i tillë do ta bënte me të drejtë dhe ish- ambasadori­n e njohur holandez, njohës i mirë i Ballkanit, Robert Bosch, të pohojë se: “Nuk ka të njëjtin qëndrim ndaj Serbisë dhe kur serbët shkelin marrëveshj­et, se normalizim­i i marrëdhëni­eve duhet parë më seriozisht si proces”.

Në tërë këtë tablo, pavarësish­t vështirësi­ve, mendojmë se politika kosovare duhet të jetë më e ndërgjegjs­hme e t’u kthehet më mirë dështimeve të deritanish­me, si me Interpolin apo organizma të tjerë dhe në tërësi- konstrukti­vitetit të saj. Diplomacia gjithashtu, si art i kujdesshëm i menaxhimit të marrëdhëni­eve ndërkombët­are, nuk mund ta luajë rolin e vet përmes euforizmit, sikundër është parë, por nëpërmjet një veprimtari­e më aktive dhe të zhdërvjell­të, me impakt konkret te vendet që e kanë njohur dhe nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, për më shumë aleatë të vendosur.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania