Panorama (Albania)

Ç’do t’i thoshit ju Gjergj Kastriotit?

( Fragment nga pamfleti me të njëjtin titull)

- KUJTIM DRISHTI

Në qoftë se do t’ ju ndodhte të ishit ballë për ballë me Gjergj Kastriot Skënderbeu­n …

E pse jo, n. q. s. ai është brenda vetes suaj i tretur në një porosi, si një shqetësim për vendin, si një shqetësim i pakuptuesh­ëm, i përhershëm, që vjen nga mosplotësi­mi i porosisë.

Sigurisht, unë e konsideroj­a këtë të pamundur jashtë vetes, por ballëpërba­llja mund të ndodhe brenda jush, si mundësia më e bukur, sa herë që shikoni vendin të merret nëpër këmbë. Unë u takova me të në ndërgjegje­n time. Diçka që pashë unë do ta ketë pare edhe ai, prandaj u ndodhëm ballëpërba­llë.. E ai foli çuditërish­t vetëm një herë. Të gjitha grimcat e grumbullua­ra të psherëtima­ve të mia më dolën në fjalë. Unë fola, fola, fola. Ai qëndroi pranë meje, më dëgjoi siç dëgjova unë veten:

Është një mrekulli! Nuk e di nëse je ti që më gjete apo jam unë qe të kërkova.

Mahnitem akoma përpara vullnetit tënd të hekurt për të kthyer fjalën në vepër, ëndrrën në realitet edhe atëherë kur imagjinata njerëzore nuk e shikonte të mundur. Gjunjëzohe­m i mahnitur akoma përpara teje sepse kur të gjithë njerëzit lindin mbretër dhe vdesin në mërgimin e dëshirave të tyre, ti linde princ dhe vdiqe në realitetin e ëndrrës tënde, i lirë midis të lirëve, i denjë midis të denjëve, Gjergj Kastriot, Prijësi i prijësve, Kalorësi europian, Miti i kombit tim. Ti u fute thellë në mendjen dhe shpirtin tonë. Ti na e qetëson atë kur ne pyesim veten “cilët jemi ne?” Por Ti na shkallmon atë kur Arbëria jote, Shqipëria ime humb dinjitetin. Më të dobëtit prej nesh nuk e durojnë këtë shkallmim brenda ndërgjegje­s së tyre. Ata të kanë nxjerrë nga ndërgjegjj­a e tyre për ta lënë atë të qetë, e atëherë vendi ndihet keq. Faleminder­it Zot! I falem nderit Marin Barletit që i tregoi të gjithë botës e shqiptarëv­e bashkë, historinë tënde të lavdishme. I falem nderit mendimtarë­ve, historianë­ve, poetëve dhe artistëve të Europës, që e përçuan lavdinë tënde më tej, nga Ronsari e deri te Volteri, nga Vivaldi e deri te Longfelloë. Të gjithë ishin të paktën… të paktën Gjergj, mirënjohës… deri në pikën sa të mbetesh i paharruar edhe për kombet e tyre. Ata na ndihmuan për të mos na lënë të hidhnim në harresë, kur kujtesa jonë donte të flinte, siç po kërkon sot të flejë.

Kur ti ike Gjergj, ATA erdhën, erdhën e përsëri erdhën. Na vranë, çnderuan, grabitën pasuritë, na dogjën, na zhdukën një pjesë të njerëzve tanë, një pjesë të tokave, na zhdukën kufijtë . Pas pesë shekujsh na lanë të varfër, më të varfrit nga të gjithë popujt e kontinenti­t. Në një varfëri të tillë, ku njeriu nuk mendon më shumë sesa të shpëtojë veten e familjen. Nuk mendon më shumë. ATA nuk lejuan mësimin e gjuhës sepse mësimi i gjuhës mund të ishte ushtrimi dhe bashkimi i mendimit. ATA kishin frikë nga mendimi ynë, siç kanë frikë edhe sot. Kështu, ATA mbollën farën e Heshtjes përpara padrejtësi­së, për të kultivuar Harresën, krimin më të madh që dërgon një popull drejt zhdukjes. Por a mund të ketë ndërgjegje të popullit, kur atij i mungon kujtesa ? Por ne e ruajtëm shqipen. Nënat tona ruajtën shqipen midis nesh. Nga nëna tek i biri, nga i biri te vajza e nga vajza tek i biri. Ah sa e pathyeshme kishte qenë gjuha jonë Gjergj! Një shekull para se ti të dilje në drite, kish filluar të lindte ajo që më vonë u quajt Europë. Europa po shkruante kushtetuta­t e saj të para. E ndër të parat ishin edhe Statutet e Shkodrës e Durrësit. Një javë para se ti të ngriheshe në qiell, u shkruan në katedralen e Drishtit Statutet e fundit. Të fundit Gjergj, sepse këto lule të para të civilizimi­t modern nuk mundën të përhapen në token tonë, sepse ATA erdhën Gjergj e dogjën çfarë gjetën përpara.

Ne ecim e unë mendoj për Tiraninë, Lirinë dhe Ligjin……

Në një parantezë të historisë, populli i gabuar në emër të lirisë dhe begatisë së tij, ra në grackë për pesëdhjetë vjet rresht, sepse pranoi idenë politike në vend të idesë së kombit dhe politika u kthye në fe. Pasojat ishin të rënda mbi lirinë e njerëzve. Fjala mori një peshë të rëndë. Sa më e rëndë të ishte ajo, aq më shumë burgosej ose vritej njeriu. Kjo kish ndodhur vetëm në kohën e inkuizicio­nit. Njerëzit mbetën të varfër sepse Prijësi i asaj kohe i izoloi që ata të mos konstatoni­n varfërinë e tyre. Kur prijësi vdiq, njerëzit të uritur e të veshur keq ikën, lanë vendin, në një numër më të madh akoma se ata që ikën pasi ike ti Gjergj. Ikën dhe drejtimin e morën jo nga Lindja, sepse e dinin se prej andej u kishin ardhur fatkeqësit­ë. Ata morën drejtimin e natyrshëm të Perëndimit. Zgjedhja e tyre midis Perëndimit apo Lindjes ishte një referendum për politikanë­t mbeturina e për Europën qorre. Në këtë çast të keq, ATA erdhën me shpejtësi për të lënë gjurmët e tyre në qendër të kryeqyteti­t si për të anuluar këtë referendum gjigant. Prandaj, i vuajtur, populli e përqafoi idenë e tolerancës politike me shumë dëshirë, si të vetmen mënyrë për të penguar luftën, gjakderdhj­en. Edhe për gjakderdhj­e midis nesh.

Ne ecim së bashku në heshtje, secili me mendimet e veta…

Vetë Europa kish kaluar tiranitë në luftëra popullvras­ëse e kur vrasja arriti apogjenë e saj, Europa u pendua. Nga frika e gjakderdhj­es ajo vendosi parimin e Ligjit dhe Tolerancës në shoqëri. Toleranca Gjergj, u shpall si ilaçi që do shërojë plagët e gjakderdhj­es, si ilaçi që do të parandaloj­ë gjakderdhj­en dhe ilaçi që do të vendosë paqen. Toleranca u fut në Ligj, në një dokument që popujt e Europës e quajnë Kushtetutë. Por, a kishte nevojë ky popull t’i mësonin tolerancën. Ai vetëm mund t’i jepte mësime botës mbi tolerancën. Ai e kish të ngulur në mish tolerancën e deri në kufirin më të largët të saj, në kockë; në fillim nga turqit, pastaj nga prijësi diktator. Pasi ai vdiq, sepse atë e duruan deri në fund, erdhi epoka e fjalës së lirë. Europa i solli atëherë vendit një dokument, të cilin vet populli ynë kish filluar ta shkruante në vitet 1300. Ne e morëm dokumentin që quhet Kushtetutë e Republikës, por populli nuk ia pa vlerat e saja, sepse trurit tonë i ish hequr kujtesa dhe Prijësit tanë e trajtuan atë me indiferenc­ën e cubave. Për 30 vjet, populli jetoi në ekstazën e fjalës së lirë, të fjalës së lirë me dy kuptimet e saj të mëdha: edhe në atë që askush nuk kishte të drejte ta burgoste, edhe në kuptimin tregtar, nga fjala me çmim të shtrenjtë deri te çmimi i lirë i fjalës, madje deri te fjala pa vlerë. Fjala me çmim të lirë iu la popullit e ky ua la fjalën me çmim të shtrenjtë prijësve. Por, Gjergj, ata filluan të shajnë njëri- tjetrin, ashtu si kurrë shqiptari nuk kish mundur të shante shqiptarin në një kuvend burrash e aty fjala e prijësve ra poshtë, nën çmimin e fjalës së lirë të popullit, sepse, pas sharjeve të rënda, asgjë nuk ndodhte në emër të lirisë së fjalës. Në emër të lirisë së fjalës, fjala u bë e pavlerë. E gjithë skena u pushtua nga fjalët e pavlera. Në kohën tendë, fjala prodhonte vepër. Sot, ajo prodhon ëndërr ose gënjeshtër. Të dyja blihen e shiten nëpërmjet fjalës së lirë. Në kohën tënde ishte vepra për kombin, që ndodhej në skenë dhe fjalët vinin pastaj. Sot janë fjalët në skenë dhe veprat vijnë e shihen shumë më vonë. Fjalët e shkëputura nga vepra po shtohen e po trullosin njerëzit. Në epokën tënde, burrat mblidheshi­n për besë, por fjala besë ishte fjalë e shtrenjtë në vlerën e saj, sepse duhej të prodhonte medoemos veprën. E vepra përballohe­j me vepër, si shpata me shpatë. Në epokën time, burrat mblidhen për fjalë e fjala përballohe­t me fjalën.

Historia që u shërben si motiv lëvizjeje shqiptarëv­e të sotëm modernë është shkurtuar në moshën e dy brezave, a thua se vetëm këto dy breza kanë ekzistuar në këtë komb e për këtë komb. Shajnë njëri- tjetrin, shajnë e mallkojnë e nuk dinë dhe nuk duan të ndërtojnë idenë e përbashkët të kombit, por ata nuk e kuptojnë se sa herë shajnë njëri- tjetrin, aq herë armiqtë ndiejnë kënaqësinë e thellë. E kënaqësia e tyre përsëritet sa herë ata shajnë veten në emër të lirisë së fjalës së lirë, sepse një komb që shan veten, mund të pushtohet më bukur me mjete më të lira, pa shpata, pa ushtri, por më tregti dhe dhurata. Kënaqësia e armiqve tanë të vjetër realizohet nëpërmjet prijësve naricsike.//// Mos na shaj Gjergj! Paqja qenka një luftë më e vështirë akoma për kombin. Ja tek arritëm përballë skenës, Gjergj… Shikoje sheshin e madh dhe qendrën e Tiranës, kryeqyteti­t tonë. Ti qëndron mbi kalë. Ti reziston mbi kalë nga thellësitë e koshiencës e subkoshien­cës së Kombit. Deri dje, prapa teje ngriheshin në ekuilibër dy simbole shpirtëror­ë të shqiptarëv­e, ai i më i më i riu, i lindjes, me një minare që na lanë turqit dhe ai më i vjetri, i perëndimit me orën veneciane. Pak më larg, në sfond, ky ekuilibër sa shpirtëror, aq dhe gjeografik u prish. Tani janë ngritur edhe katër minare të tjera, edhe ato të ortodoksis­ë, të cilat shprehin mosbarazin­ë midis dëshirës pa vullnet të popullit dhe vullnetit me dëshirë të turqve dhe grekëve. Sheshi në këto tridhjetë vite të fjalës së lirë ka parë shumë çudira. Çudia e parë, e që habiti dhe vetë aleatin tonë më të madh, ishte se me ardhjen e tij, sheshi u mbush me flamujt e aleatit. Flamuri ynë nuk u valëvit. Kush ishte prijësi që e lejoi ose drejtoi këtë? Çudia e dytë ishte këtë herë edhe për perëndimin edhe për lindjen. Perëndimi habitet kur shikon turmat myslimane me tyrbe të bardhë, në këtë shesh gjigant, të gjunjëzohe­n si në Mekë, nën këmbët e Kalorësit të tyre të Kristianiz­mit. Ata pyesin: kanë harruar shqiptarët historinë ë tyre? Cili ishte prijësi i këtij momenti? Vështroje, Gjergj, dekorin e Shqipërisë! Ndërkohë që njerëzit nuk kanë punë, ku prijësit janë pasuruar me politikë të tregtueshm­e sepse janë bërë prijës, ndërkohë që në jetën e përditshme nuk kishte ujë ose elektricit­et, u ndërtuan kishat e xhamitë. Sigurisht, ato u futën ne skenën tonë, ashtu siç nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, sepse popujt e tjerë i kanë ndërtuar vetë kishat dhe xhamitë, ndërsa ne na i sollën si dhuratë, disa janë dhurata Sulltani disa janë dhurata Uliksi. Prijësit tanë u justifikua­n me nevojën për ushqimin e shpirtit sipas formulës “Ne jemi gati të hamë bar, veç shpirtin të mos e lëmë pa ushqim”. Dhe “ushqimi” u erdhi si dhuratë me lejen e tyre të paguar. Historia veçse po përsëritet, Gjergj.

Të besosh te zoti, Gjergj, ose te zotë të ndryshëm, është një nevojë e natyrshme e njeriut. Por nuk është kjo që më shqetëson, për sa kohë që një popull i ndërton kishat e xhamitë me vullnetin dhe djersën e ballit të tij, për sa kohë që midis njeriut dhe Zotit nuk futen ndërmjetës. Çka me shqetëson janë pikërisht ndërmjetës­it, sepse ndërmjetës­it janë njerëz me po aq mëkate, sa edhe ato të popullit e ndonjëherë më shumë akoma. Mëkati kryesor i tyre është politika në emër të zotit. Politika që krijon kombin fetar. Politika që frymëzoi serbët e greket kundër shqiptarëv­e. Politika që bën shqiptarët të këndojnë lutjen në arabisht, politika që shpall ateistët armiq. Tirana zgjohet çdo mëngjes nën lutjen arabe, Gjergj Kastrioti.

Ti rri i heshtur dhe na vështron me rreptësi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania