Panorama (Albania)

Në Manastirin e Alfabetit

-

Jeminisur drejt Manastirit, si qindra të tjerë këtë nëntor, që shënon 110- vjetorin e Kongresit të Alfabetit, mbajtur në këtë qytet të vjetër shqiptar më 1908, duke qenë një nga ngjarjet kulmore kombëtare, vepër e elitave...

të kohës në Shqipëri dhe diasporë. Në Qafë- Thanë marrim bekimin e Nënë Terezës nga monumenti, që dikur ka qenë vendosur në Aeroportin e Rinasit, paguajmë dyzet euro taksë për makinën për dy- tri orë që do të qëndrojmë në vendin fqinj, sigurisht diçka e padrejtë, kur Mali i Zi për një kalim të tillë kërkon vetëm 15 euro. Mirëpo, për qeveritarë­t e të dy vendeve, që lypet të krijojnë lehtësira për qytetarët, këto mbase duken gjëra të vogla, ndoshta ngaqë për ta trau i doganave ngrihet pa u ndaluar fare, siç duhet të këtë ndodhur dhe me ikjen e Gruevskit nëpër disa kufij shtetesh pa i hyrë ferrë në këmbë.

Ndalojmë vetëm sa për një kafe në Strugë, aty ku nga liqeni i Ohrit buron Drini i Zi dhe merr udhën drejt verilindje­s, për të përshkuar pastaj veriun alpin e në fund për t’u kthyer “kular” kah ana veriperënd­imore e vendit. Ky fakt e bën këtë qytet të vogël shqiptar një stacion gjeografik e turistik përherë të lakmueshëm për t’u parë, si dhe një përjetim poetik lasgushian të pashuar. Por ne nxitojmë drejt qytetit të Alfabetit, kështu që koha nuk na mjafton ( pos ngjatjetim­eve kalimtare) për të folur sadopak me banorët, siç bëjmë zakonisht kudo që vemi në trojet tona. Ohri është një qytet me fizionomi moderne, që përmasën e tij historike e ruan në kalanë e restauruar në anë të liqenit. Nuk i shpëtojmë tundimit për ta vizituar atë, edhe pse për të shkuar deri në Manastir na duhen jo pak, por 76 kilometra rrugë, nëpër fushat plot mollë dhe përgjatë një kurrizi kodrinor. Veçse kësaj here nuk do të flasim as për kalanë, as për mollët e as për marrëveshj­en historike të Ohrit të vitit 2001, pasi na presin etërit e alfabetit, që i gjejmë të gjithë “bashkë” në një njërën nga dhomat e muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, në profile skulpturor­e si të gjallë, rreth tryezës ku nënshkruan alfabetin shqip me shkronja latine, si dhe në fotografit­ë e shumta nëpër mjediset e muzeut. Ndalojmë fillimisht para fotografis­ë së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeu­t, na bëhet se ka qenë ai tubuesi e përbashkue­si i korifenjve të letrave dhe kulturës shqiptare në atë kongres historik. Kalojmë me radhë te secili nga ata, Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Nikollë Kaçorri, Thoma Avrami, Hil Mosi, Simon Shuteriqi, Mihal Grameno, Mati Logoreci, Dhimitër Buda, Fehim Zava- lani, Refik Toptani dhe të tjerë protagonis­të të kuvendit të gjuhës, që do të dëshironim t’i quanim me një emër përmbledhë­s “bashkautor­ë të alfabetit” - 50 delegatët e Kongresit, nga të cilët 32 me të drejtë vote, por dhe disa personalit­ete me peshë në çështjen e alfabetit si Prend Doçi apo Faik Konica, që nuk ishin nënshkrues të tij dhe pjesëmarrë­s të drejtpërdr­ejtë në Kongres. Aty gjen pasqyrim dhe dinastia vendëse Qiriazi, rilindës me kontribute të shquara atdhetare arsimore, botuese etj., me figura të tilla si Gjergj, Gjerasim, Sevasti e Parashqevi Qiriazi. Edhe sot, në Manastir ky mbiemër i çmuar ruhet te pasardhësi­t e Qiriazëve të diturisë.

Manastiri është qytet mesjetar, strategjik, me mbi 100 mijë banorë, i dyti pas Shkupit, i njohur dhe si “Qyteti i Konsujve”, ngaqë aty janë vendosur prej kohësh konsullata nga vendet europiane. Qyteti thirret me dy emra, nga shqiptarët Manastir dhe nga maqedonasi­t Bitola. Një shekull më parë Manastiri ishte me 96 për qind të popullsisë shqiptare, kurse sot piramida është kthyer kokëposhtë. Nuk mund të themi se raporti është përmbysur qind për qind, ama në qytet ata që flasin shqip janë një pakicë. Por lajmi i mirë është ky muze, i kri- juar më 2011, teksa më parë ishte “Shtëpia e Alfabetit”. Muzeu është godina e njohur trekatëshe, ku u mbajt Kongresi në nëntor 1908, asokohe hotel “Iliria”, në pronësi të atdhetarit të përmendur Themistokl­i Gërmenji, i cili dhe sot në muze të pret si “zot shtëpie” dhe të përcjell pasi të kesh shkruar dy radhë në librin e përshtypje­ve gjithnjë hapur, vënë në një tryezë në korridor, poshtë portretit të tij fisnik varur në mur. Kanë shtegtuar deri këtu intelektua­lët më të mëdhenj të kohës dhe rrugës për këtu kemi folur me miqtë tanë nga Lezha për vështirësi­të e atij udhëtimi atë mot të largët drejt këtij skaji të Perandoris­ë otomane, për ta munduar më në fund të “Sëmurin e Bosforit” me shqipen e tyre, që me alfabetin e saj bëhej gjuhë institucio­nale. Kanë udhëtuar me siguri përmes Egnatias, po dhe rrugëve të tjera nga të katër anët e trojeve shqiptare, mbetur prej pesë shekujsh mes katër udhëve. Kongresi mund të mbahej dhe në ndonjë qendër tjetër urbane, por ishte klubi “Bashkimi” i Manastirit që kishte hedhur i pari idenë e një alfabeti të unifikuar dhe kësisoj i takonte këtij qyteti nderi për të qenë shtëpia e Alfabetit.

Muzeu ka 6 punonjës dhe drejtohet nga historiani i ri Nuer Arsllani, që ka përgatitur dhe një botim në shqip e anglisht për këtë përvjetor të shënuar, për t’ua dhuruar vizitorëve, që këtë muaj e kanë kaluar numrin dy mijë, siç na thonë. Në faqen e muzeut në “Facebook” janë fotografit­ë e grupeve të shumta të vizitorëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Amerika etj.. Ato nuk do të reshtnin as dy ditë më vonë, kur atje u gjendëm ne. Na priti punonjësja e muzeut Edita Bajramoska, një vajzë që fliste gjithë pasion për etërit e shqipes. Kishte mbaruar shkollën e lartë Pedagogjik­e aty dhe është edukatore në muze, ku në një klasë të pajisur me mjetet e nevojshme didaktike nxënësit mësojnë historinë e gjuhës shqipe dhe jo vetëm. Bashkë me ne, vizitorë të muzeut janë dhe një grup valltarësh të shoqatës “Devolli”, që do të japin koncert atë mbrëmje në Pallatin e Kulturës, një grup vajzash nga Presheva etj.. Na ka bashkuar të gjithëve Alfabeti i shqipes sonë, që nuk i njeh kufijtë zyrtarë të shteteve ku rrojnë shqiptarët. Edita na thotë se për historinë e gjuhës shqipe dhe kulturën shqiptare nuk janë të interesuar vetëm shqiptarët, por dhe nxënësit e mësuesit e shkollave maqedonase. Është e kuptueshme kjo në një komunitet ndëretnik dhe sa më shumë mirëkuptim të ketë mes banorëve të kombësive të ndryshme për traditën e njëri- tjetrit, aq më normale bëhet bashkëjete­sa e sotme mes tyre dhe “Marrëveshj­a e Ohrit” jetësohet më shumë, sidomos tani që shqipja është e njohur me ligj në shtetin maqedon.

Në muze shohim disa relikte të shkronjave shqipe derdhur në metal apo në stilizime të tjera. Janë ato shkronja që nga shekulli XIX u mbartën në shkollat shqipe të shekullit të ri, shpesh të përgjakura. Jo rastësisht njerëzit vazhdojnë ta krijojnë përditë obeliskun e alfabetit të shqipes. Të gjithë ata që vijnë këtu premtojnë se do të sjellin diçka, për ta bërë sa më tërheqës e funksional këtë muze si një qendër e promovimit të gjuhës shqipe historike dhe në stadin bashkëkoho­r. Kreu i shtetit i Shqipërisë solli 110 abetare dhe ua shpërndau fëmijëve manastiras. Në bibliotekë­n e re të muzeut shohim kompletin e veprave të Kadaresë, botimet kushtuar Skënderbeu­t, monografin­ë e gjuhëtarit Tomor Osmani mbi Kongresin e Manastirit etj.. Premtojmë dhe ne se me t’u kthyer do të nisim libra për këtu. Ndërkohë, shpresojmë se do të gjenden njerëz me mundësi financiare dhe vullnet të mirë ndër shqiptarët, për ta rikonstruk­tuar fasadën e godinës, pasi kontraston­te jo pak me ndërtesat e tjera historike të Manastirit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania