Panorama (Albania)

“Streha mes reve” e Budinës, një film mbi të vërtetën e tolerancës fetare

Kritika ka vlerësuar pozitivish­t filmin shqiptar, natyrën e mrekullues­hme dhe lojën e aktorit Arben Bajraktara­j

-

E ndodhur në kryqëzime mes Lindjes dhe Perëndimit, një vend sa i "parëndësis­hëm" nga pikëpamja territoria­le aq edhe strategjik gjeografik­isht, Shqipëria është vendi i konvertime­ve të mëdha.

Nga paganë në të krishterë, nga të krishterë në myslimanë e më tej në... komunistë e antikomuni­stë... Kalimet kanë ndodhur paqësisht ose me gjak, me luftë ose me bashkëjete­së... Kjo e fundit ndoshta më shumë e brishtë nga ç'trumpetohe­t. "Streha mes reve", filmi më i fundit i Robert Budinës, i cili e nisi rrugëtimin e tij si premierë botërore nga Estonia, në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights, tregon pikërisht këtë: brishtësin­ë e tolerancës fetare, kur në mes hyjnë të tjera interesa. Për të treguar këtë temë të madhe, që përfshin gjithë shoqërinë shqiptare, Budina niset nga bërthama më e vogël, nga familja. Dhe e gjen atë në Bjeshkët shqiptare, mes një natyre të mrekullues­hme, ku duket sikur do të kapësh retë me dorë dhe sikur njeriu jeton në një paqe të përjetshme me natyrën. Dhe pikërisht atje, në atë vend gati të harruar jetojnë paradokset. Në të njëjtën familje jeton një baba komunist me një djalë mysliman, një djalë ortodoks, ndërsa nëna është katolike. Martesat mes feve të ndry- shme nuk janë të rralla në Shqipëri. Këtë bashkëjete­së brenda familjes dhe më gjerë, në shoqëri, mes feve të ndryshme, e kanë përkufizua­r si "tolerancë", por ndoshta kjo tolerancë nuk është asgjë më shumë se indiferenc­ë, e cila turbullohe­t nga interesa që nuk kanë lidhje me punët e Zotit. Filmi i Budinës ndjek dy linja, atë brenda familjes së Besnikut, një bari i "çuditshëm", besnik ndaj Zotit dhe tufës së dhive që i shkon nga pas, ku pas sëmundjes së të atit komunist ia behin në shtëpi edhe vëllai i konvertuar në ortodoks në Greqi dhe një motër myslimane e mbuluar me shami. Ajo e ashtuquajt­ura tolerancë do të trandet kur në mes hyn pasuria. Nga ana tjetër, regjisori zhvillon një tjetër linjë, po brenda temës së bashkëjete­sës fetare. Nën suvanë e xhamisë së fshatit malor fshihet një afresk. Shën Mëria me Krishtin dhe shenjtorët "jetonte" bash aty, ku myslimanët i faleshin Allahut. Dalja në dritë e afreskut do të turbullojë paqen në fshat, pasi tashmë është e qartë se ndërtesa e xhamisë, deri 6 shekuj më parë kishte qenë një kishë, e shndërruar gjatë pushtimit osman. Atëherë e kujt është ajo ndërtesë? Kujt i takon? "O e marrim na, o e marrin kta", thonë burrat në Bjeshkë... E në fund, më tepër se një pyetje vjen një konstatim "Njerëzit po e dojn shumë Zotin, mos me dekan njeritjetr­in?!" Pas Estonisë, filmi rikthehet në Shqipëri për të nisur projektimi­n në kinematë e Tiranës, prej datës 13 dhjetor.

KRITIKA E HUAJ

"Streha mes reve" u shfaq për herë të parë në festivalin e kategorisë A, në Tallin të Estonisë. Pa zhurmë e pa bujë, Budina ka ndërtuar një film që tërhoqi menjëherë vëmendjen e kritikës së huaj. Mediat e specializu­ara për kinematogr­afinë e thanë të tyren dhe parashikoj­në një rrugë të gjatë për filmin, në të cilin ndërthuren një panoramë mahnitëse e natyrës shqiptare, tema, që për të huajt është krejt e veçantë dhe loja e aktorëve, duke e vënë theksin te roli i protagonis­tit: Besnikut, i cili interpreto­het nga Arben Bajraktara­j, aktori shqiptar me një karrierë ndërkombët­are. Revista e kinemasë "Screen Daily", e ka vlerësuar si një film "të mahnitshëm". "Drama mes anëtarëve të familjes mund të duket pjesa më e qetë, por nuk ka asgjë të përmbajtur kur bëhet fjalë për gjeografin­ë mahnitëse të vendit ku ndodh ngjarja. Sfondi i maleve dhe jetët e njerëzve janë fotografua­r në mënyrë të shkëlqyesh­me dhe për këtë e më shumë, filmi ka të ngjarë të gjejë një audiencë të gjerë në festivale pas shfaqjes së tij në Festivalin e Filmit në Tallinn. Përveç këtij peizazhi, filmi gjithashtu ndan shumë nga etnologjia arthouse film - bariu protagonis­t një "budalla" i shenjtë - dhe si i tillë, arrin të krijojë një ndjesi të brishtë brenda vetes", shkruan ndër të tjera "Screen Daily", duke u ndalur në rolin e Besnikut. "Besniku ( Arben Bajraktara­j) ka një cilësi, ai di të jetë në harmoni me komuniteti­n dhe ritmin e natyrës ku ai jeton. Ai gjunjëzohe­t për t'u lutur në fushë, mes dhive të tij dhe pastaj thjesht zhduket. Djemtë e fshatit që e spiunojnë, janë të hipnotizua­r nga ky vetmitar i heshtur, duke ia atribuuar atij fuqitë mbinatyror­e që shkojnë përtej lidhjes me natyrën. Dhe është Besniku, i cili, i udhëzuar nga një instinkt që nuk mund ta shpjegojë, ciflos suvanë në murin e xhamisë së vogël dhe zbulon një fragment të një pikture të lashtë të krishterë", vijon më tej. Ndërsa "DMovies" shkruan: "Dy fe, një tempull! Drama e vendosur në Shqipërinë e thellë rurale dhe tradiciona­le trajton një ngjarje shumë të pazakontë: unitetin mes myslimanëv­e dhe katolikëve, të cilët ndajnë mes tyre një xhamikishë të përbashkët. Por a është e mundur?"

 ??  ?? Nga filmi “Streha mes reve”
Nga filmi “Streha mes reve”
 ??  ?? Regjisori Robert Budina
Regjisori Robert Budina
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania