Panorama (Albania)

“Prilli i thyer”, 40 vitet e një bestseller­i shqiptar

“Ky roman madhor, edhe pse ka leximin e vet universal, në një kontekst social nuk ka përfunduar as sot”

- NDUE DEDAJ

Ka libra që vjen një çast e shënjohen në kujtesë, pasi ardhja e tyre ka qenë një ngjarje kulturore. Në letërsinë shqipe, viti 1555 shënon kohëlindje­n e librit të parë shqip, “Mesharit” të Buzukut. S’ka si të mos jetë i bekuar dhe viti 1836 që solli “Këngët e Milosaos” të De Radës dhe njëqind vite me vonë, viti 1936, që botoi ( e njëherësh ndaloi) “Vargjet e lira” të Migjenit, teksa tre vite me parë kishte dalë në dritë “Vallja e yjeve” e Lasgushit. Mund të sjellim të tjera datime kësodore që kanë të bëjnë me Eposin e Kreshnikëv­e, “ditëlindja” e të cilit nuk mund të jetë një ditë e as një vit, ashtu si dhe ajo e Kanunit të Lekë Dukagjinit, por dhe e “Lahutës së Malësisë”, që nis vitet e para të shekullit XX e përfundon më 1937 etj.. Në rrafshin e letërsisë bashkëkoho­re, viti 1978 mund të quhet fatlum, pasi solli shkëlqimin e disa veprave të shquara të Kadaresë dhe kryekreje të romanit “Prilli i thyer”. Në dyzet vite ky roman ka bërë për vete jo vetëm lexuesin shqiptar, po dhe disa nga gjuhët kryesore të botës. 1 Rikthimi te ky roman i pazakontë është një ngasje e herëpasher­shme e lexuesit dhe e kritikës. Gjorgu, njeriu që ndodhet në një situatë absurde, thuajse të pashpjegue­shme për lexuesin perëndimor, është një i ri shqiptar, malësor i Veriut, 26 vjeç, peng i Kanunit, sepse, siç thotë Kadare, në mënyrë proverbial­e: “Kanuni nuk harronte kurrë asgjë”. Natyrisht, të mirën as të keqen. Lavjerrësi i “orës” së gjakmarrje­s peshonte herë në njërën anë e herë në tjetrën, duke krijuar murana gjaku mbi tokë e frymë të shuara nën dhé. Gjorgu është ngujuar në pritë deri sa para syve të tij të kalojë gjakësi, djali i Kryeqyqëve, që i ka vrarë të vëllanë një vit e ca më parë. Peizazhi është rrëqethës, me pllangat e gjakut dhe shegët e egra. Dhe puna u krye. Pasi kishte shtirë mbi hasmin, duke e lënë atë të vdekur, Gjorgu “s’ishte në gjendje të mendonte asgjë të plotë e me vazhdimësi”, pasi truri i tij kishte ngrirë vetëm në një pikë, shpagimin. E kishte marrë gjakun, dukë rënë vetë në gjak. Ky ishte ligji i pashkruar i “ishullit” të tij. Njëlloj si në Korsikë, Sicili, Kretë, apo dhe tjetërkund në Ballkan. Ai nuk fshihet, përkundraz­i iu thotë njerëzve se “te bërryli i Udhës së Madhe” ka vrarë një njeri. Është i ndërgjegjs­hëm se nuk ka bërë trimëri, por vetëm detyrën! Nuk mburret, nuk mund të ishte “ngrehaluc”, përkundraz­i shkonte kryeulët. Atë “e kishte zënë gjaku”, kishte qenë “dita e tij e jashtëzako­nshme”. Edhe një ditë tjetër të jashtëzako­nshme do të kishte në jetën e tij, kur ai të pësonte fatin e Zefit, që qëparë i kishte marrë jetën. Jeta e tij ishte e lidhur shkurt, në ato dy ditë, nga vdekja e tjetrit te vdekja e vet, të dyja të paracaktua­ra e të paralajmër­uara. Ishte vetëm çështje kohe, sa të kalonte besa e vogël ( 24orëshe) dhe besa e madhe ( 30- ditëshe). Nga fillimi i marsit, në gjysmën e prillit. Paçka këtij rituali tragjik, gjakmarrja assesi nuk ishte një aventurë ndër male, aq më pak pasion apo “gjen” i malësorit, por mënyra e vetme për të vendosur rregull, baraspeshë, drejtësi, sa i përket krimit të vrasjes, në mungesë të shtetit, ligjit, gjyqit penal etj.. Romani është mbrujtur me palcë dokesore, ashtu si “Lule” e Fabian Barcatës, “Gjaku” i Ernest Koliqit, “Gjarpërinj­të e gjakut” i Adem Demaçit, apo “Kolomba” e Prosper Merimesë etj.. Po aq “Prilli i thyer” është një roman psikologji­k, me përjetimet e Gjorgut brenda vades së shkurtër të lirisë, por dhe ato të Dianës etj.. 2 Besian Vorpsi, duke i folur Dianës për Gjorgun, i drejtohet asaj: “E ç’janë trazimet që përshkruan Shekspiri përpara mëdyshjeve të këtij Hamleti të malësive tona?” (“Prilli i thyer”, f. 194). Shqiptari i ngarkuar me barrën e gjakut në shpinë ishte një personazh sui generis dhe për vetë botën e maleve. Njihej nga të gjithë, pasi kudo që vente, ai mbante një xhurdi prej shajaku të zi mbi krye, i jepej kafja nën gju, shenjë se ai nuk e kishte marrë gjakun. Kjo e fundit është një etnografi e Kanunit dhe jo një sajesë letrare. “Hamletit, - vazhdoi Besiani i ndezur, - iu shfaq fantazma e të atit për ta nxitur të hakmerrej. Po a e merr dot me mend se ç’fantazmë e lemerishme del përpara malësorit, për ta shtyrë drejt gjakmarrje­s?” Këmisha e përgjakur e viktimës, e cila nuk hiqej nga shtëpia e të vrarit pa u shpaguar gjaku i tij. “Fantazma e babait iu shfaq Hamletit dy- tri herë, në mesnatë dhe vetëm për pak çaste, kurse këmisha që kërkon gjakun, në kullat tona rri aty me ditë e net, me muaj dhe stinë të tëra...”, aq sa gjaku në atë rrobë fillon e merr një ngjyrë të zverdheme. Hamletit i ishte shfaqur fantazma e të atit, kurse Gjorgut figura e gjallë e të atit në kullë, që i kishte kujtuar atij detyrën: gjaku i të vëllait, Mëhillit, nuk duronte më pa u marrë. Kjo kishte qenë tepër solemne dhe Gjorgu nuk kishte asnjë mundësi të shmangej, ai do të vriste dhe po të mos donte të ishte vrasës. “Dhe të mendosh se Hamleti shtyhet në vrasje nga një shkak i rrokshëm, kurse makina që e vë në lëvizje Gjorgun është jashtë tij, madje disa herë jashtë kohës së tij”. Nga kjo qasje kadareane kuptohet natyra e gjakmarrje­s. Dhe Gjorgu udhëton drejt fundit të vet nëpër ravën e shpagimit. Për të nuk ekzistonte më dilema: “Të rrosh a të mos rrosh?” Kështu kishte vajtur filli i jetës dhe i vdekjes në Rrafsh, krye për krye e shpinë për shpinë. Çfarë mund të thoshte Hamleti pas kësaj?

Besiani dhe Diana kundrojnë peizazhin e zymtë të Bjeshkëve të Nemuna, në një “pështjelli­m mjegullash të përjetshme”. Kur ishte nisur, shoqet i kishin thënë asaj: “Ti do të shkosh nga bota e rëndomtë drejt e në botën e legjendave, midis eposit të mirëfilltë, që rrallë e gjen ende të gjallë mbi fytyrë të rruzullit tokësor”, ku hasen “rapsodët, homerikët e fundit të botës”. Kanuni është i shtrirë mbi gjithë Rrafshin e mbi gjithfarë. Kadare, me përshkrime­t, filozofimi­n, karakteret e origjinalë të personazhe­ve, mjetet e gjetura shprehëse krijon kozmosin e gjakmarrje­s, njerëz që ecin me qefin në kokë, murana, mbledhës të taksës së gjakut etj.. Por një shkrimtar si ai nuk mund të binte në “kurthin” e gjakmarrje­s. Përkundraz­i ai e recepton estetikish­t Kanunin si rrallëkush nga njohësit e tij të vendit dhe të huaj, Sh. Gjeçovi, Z. Valentini, M. Hasluck, V. Peinsipp, F. Illia, I. Elezi, K. Yamamoto etj.. Për të Kanuni është “një nga kushtetuta­t më monumental­e të lindura mbi fytyrë të rruzullit tokësor, dhe ne shqiptarët duhet të jemi krenarë që e lindëm atë”. Nuk është e rastit që Kadare çdo referencë ndaj Kanunit e bën në qasje me botën, çka tregon përmasën ku ai e vendos ligjin e vjetër dokesor. Rrafshi është i vetmi truall në Europë, që, duke qenë pjesë e një shteti modern dhe jo e një tribuje primitive, i ka flakur ligjet, ngrehat juridike, policinë, gjyqet, krejt makinën shtetërore për t’i zëvendësua­r me ligje të tjera, morale, të cilat janë kaq të plota sa i kanë detyruar zyrtaritë e huaja të pushtimit në shekuj dhe më pas administra­tën e vetë shtetit të pavarur shqiptar, t’i njohë ato dhe ta lënë Rrafshin, domethënë gati gjysmën e mbretërisë, jashtë mbikëqyrje­s së shtetit. ( f. 69.) Dhe jo rastësisht, porse “në gjithë mendësinë dhe veprimet e Rrafshit ka diçka shtetërore”. ( f. 97.)

Fati i Shqipërisë së kohës së Mbretërisë ishte mbledhur kruspull mbi Rrafsh, ku rendin e ruante ende dokja e vjetër. Nuk ka asgjë ekzotike, por vetëm trishtim njerëzor pa fund, një vend ku fjala ishte “si një stoli e lyer me helm”, siç thotë shkrimtari. Aty nuk kishte kacafytje për pushtet, zaptim pronash, duele kalorësiak­e etj., por luftë për ekzistencë dhe mbijetesë morale. Nëse udhët kudo në botë kishin numra, ato të Rrafshit mbartnin emra: Udha e Madhe, Udha e Flamurëve, Udha e Besës, Udha e Hijes, Udha e Kryqit, Udha e Keqe etj.. 3 Ky roman i ka dhënë letërsisë së Kadaresë një pasaportë identiteti në gjuhët e botës, pasi nëse lexuesit e huaj njohin Piramidën e Keopsit, assesi nuk kanë njohur piramidën mahnitëse të Kanunit shqiptar. Jo se nuk ka pasur Europa kodet e saj të së drejtës, porse kanuni ynë ka një zemrek të pashoq, besën dhe mikun. Besa ishte një pergamenë e shkruar në tokë e në qiell, e plazmuar në benë e malësorit: “Pasha qiell e dhé”. Tragjedia e pandalshme për dy shekuj mes Berishajve dhe Kryeqyqëve kishte nisur për mik të premë në besë. Kjo as që mund të rroket, nëse nuk depërtohet në psikikën e malësorit dhe botën e tij të brendshme, siç ka bërë me gjenialite­t Kadare, i cili shkruan: “ndërsa shumë popuj i kanë ruajtur malet për hyjnitë, malësorët tanë, duke qenë se i kanë ato të vetmet troje banimi, kanë qenë të detyruar që ose t’i dëbojnë hyjnitë prej andej, ose t’i përshtatin sipas vetes, në mënyrë që të mund të jetojnë të përzier me ta... Kështu shpjegohet kjo botë gjysmë e rrezikshme, gjysmë fantastike në Rrafsh si në kohërat homerike. Dhe kështu shpjegohet krijimi i gjysmëhyjn­ive të tilla, siç është miku”. ( f. 75). Prej këndej ka buruar një nga thëniet më autentike shqiptare: “Shtëpia e shqiptarit asht e Zotit dhe e Mikut”. Kadare precizon: “Gjaku i të atit e i të birit mund të falej, i mikut kurrë”; “Skeptri i mikut çmohet këtu baras me atë të një sovrani”. ( f. 79); “Miku, besa dhe gjaku janë si nyjat e tragjedisë antike dhe të hysh në mekanizmin e tyre do të thotë të pranosh mundësinë e tragjedisë”. ( f. 81). Kulla e Oroshit është një simbol i Rrafshit, nga më të mëdhenjtë e hijerëndët e Europës, që shtrihej mbi krejt veriun e Shqipërisë e vazhdonte përtej kufijve, në viset e Kosovës. “Kulla princore, prej shekujsh përgjonte syçelët që të mos shkelej Kanuni” ( f. 51). “Sa qeveri kanë rënë dhe sa mbretëri janë fshirë nga faqja e dheut, kurse Oroku është në këmbë prej 400 vitesh”, i shpjegon Besiani të shoqes, duke i treguar fuqinë e veçantë të kreut të saj që herë thirret Princ e herë Kapedan. Lexuesi lëviz nëpër Rrafsh, duke u përfshirë brenda tij, mes personazhe­sh gjysmëmiti­kë si Binak Alia, që ndan gjyqet e Kanunit nëpër krahina, duke shmangur konfliktet gjakmarrës­e për toka, troje, kullota, zabele, vija uji, kufij, apo Mark Ukaçjerra që mbledh “taksën e gjakut” në kullën e Oroshit. Ata ishin bartës tipologjik­ë të Kanunit, që kryenin detyra specifike. Diana tronditet në Rrafsh, kur dëgjon ndodhi nga më monstruoze­t. Nëse i shoqi e njeh këtë botë ende pa ardhur në Rrafsh, përmes shkrimeve të vjetra e rrëfimeve, gruaja e re e mëson prej tij dhe guxon të hyjë në kullën e ngujimit. Ky është dhe kulmi i romanit, befasia dhe sfida e tij. Diana kryen një “herezi” duke hyrë në atë kullë. Dhe kjo për meritë të autorit, që e ka shtyrë zhvillimin romanor hap pas hapi deri në pikën më të lartë të vlimit. Një grua në kullën e ngujimit, ku nuk hynte askush, përveç priftit. Gjithë ai rrugëtim mendueshëm i saj nëpër Rrafsh sikur e përgatit atë çast, ama vetëm në psikikën e autorit e assesi të lexuesit. Për më tepër, ajo hyrje ishte një befasi dhe për vetë Besian Vorpsin. Diana sikur na thotë se Kanuni nuk ishte aq i fortë sa dukej, mund të shprishej dhe nga një femër. Ky roman madhor, që mund të shkruhej vetëm në Shqipëri dhe vetëm nga një penë fort e stërvitur dhe e guximshme si e Kadaresë, edhe pse ka leximin e vet universal, në një kontekst social nuk ka përfunduar as sot. Nëse ka rënë kulti i mikut dhe i besës, gjakmarrja, ndonëse në një terren atipik kanunor, vijon të shuajë aty- këtu jetë njerëzish, ku herë shtijnë “Kryeqyqët” e herë “Berishajt” e Rrafshit kinse modern shqiptar. Së fundi, nëse shumë romane “mplaken” me kohën, qoftë dhe kryevepra të letërsisë botërore, disa të tjerë do të jenë më të kërkuar nesër, kur ajo çka shkruhet në to, të mos jetë më e rrokshme për shqisat e lexuesit të një kohë të ardhme. Me gjasë, atëbotë, romani “Prilli i thyer” do të zbulohet si një “ishull” i panjohur. Kjo e bën atë unik, si vetë Kanuni, me të cilin është mbarsur.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania