Panorama (Albania)

“Vlla ke kojshinë”, ose dy fjalë për librin “Miqësi e trazuar”

- VASO TOLE

Libri i sapobotuar me kuj time, "Miqësi e trazuar", i ambasadori­t Bashkim Zeneli ...

... lexohet vrulltazi e me një frymë nga kushdo, me gjithë volumin e konsiderue­shëm të faqeve e të larmisë së temave e problemati­kave, jo aq të zakonshme të sjella në faqet e tij. Arsyet janë disa. Ajo që tërheq e para është pa dyshim Greqia, fqinja jonë e vjetër dhe e re. Miqësia mes popujve tanë, marrëdhëni­et ndër shtetërore dhe jo vetëm, zënë kryet e vendit, kjo e parë dhe analizuar për disa vite radhazi, duke filluar nga viti 2002, nga mendja e veçantë dhe sytë e ndritshëm e zhbirues të ambasadori­t shqiptar në Athinë që të sheh me kërshëri nga kopertina e librit.

Së dyti, të tërheq si magnet fjala "e trazuar", "miqësi e trazuar". Lind pyetja, përse e trazuar? Ti fare natyrshëm e kupton, se ashtu siç rritet temperatur­a e trupit nga viruset e befta të stinës, ashtu befas, faqe pas faqeje rritet edhe interesi për të kuptuar më shumë mbi natyrën e "trazuar" të kësaj miqësie, e cila ka zënë rrënjë qysh nga kohët që s'mbahen mend, mijëra vite më parë, atëherë u krijuan gjuhët: shqipe dhe greke, dy gjuhë të përveçme në trungun indoevropi­an të gjuhëve.

Qysh në krye të herës, duhet pohuar se ambasadori Zeneli përmes këtij libri, por edhe te libri "Për Gjermaninë" i botuar më parë, shpërfaqet si një ambasador ndryshe. Se i tillë është. Si një ambasador me kulturë të gjerë e njohje thelbësore të kulturës e historisë politike të Greqisë antike e asaj bashkëkoho­re.

Se, siç ka pohuar në hyrje të librit: "Greqinë sa më shumë ta njohësh, aq më shumë e do dhe sa më shumë ta duash, aq më shumë kërkon ta njohësh".

Se nga kjo njohje e thellë, natyrshëm e pa komplekse, hapur e pa doreza, ai flet për vlerat e pamohueshm­e të tjetrit, duke respektuar e fisnikërua­r njëkohësis­ht veten dhe vendin e vet. Dhe jo vetëm kaq. Se nga kjo njohje thelbësore, ai kuptoi më mirë brumin e lëndës që iu shpërfaq në punën që kreu, ngjarjet dhe përditshmë­rinë e larmishme, e mbi to, me inteligjen­cë, vizion, kurajë e dashuri ndërtoi sjelljen diplomatik­e, duke e përçuar atë përmes personalit­etit të vet karizmatik.

Kjo sjellje e tij nuk erdhi si një reagim momental i situatave politike të çastit, por u formua si një konstante që ka në qendër interesin e përbashkët dhe afatgjatë të vendeve tona, për të jetuar në paqe e prosperite­t në kontinenti­n e vjetër e që na përket njëlloj.

Interes që buron dhe i ka rrënjët thellë në filozofinë apo urtësinë popullore shqiptare për fqinjin, të cilin Ai e di mirë. Se fqinj mund të jesh edhe me një njeri apo me një familje, me një fshat e qytet, por mund të jesh dhe je edhe me një shtet tjetër!

Fqinji mbetet i tillë, qoftë 1 person i vetëm, qofshin miliona syresh!

Dhe për fqinjin populli matet. E atëherë kur flet, thotë veç urtësi e bën me dhjetëra përkujdesj­e, ndër to: "Më parë sheh gjitonë, se Diellin" ( Përmet); "Miku është si mjalti, fqinji si kripa" ( Berat);

e mbi të gjitha, fjala e urtë e shkodranit se "Vlla ke kojshinë".

Falë këtij libri, lexuesit mund të kuptojnë se përtej të gjitha pengesave dhe problemati­kave që kanë marrëdhëni­et me fqinjin, në zyrat e larta qeveritare si në Tiranë ashtu edhe në Athinë, këto marrëdhëni­e më së pari kanë reflektuar qartazi dëshirat dhe vullnetin e përbashkët të popujve tanë për miqësi, miqësi e kushtëzuar nga fqinjësia historike e detyruar.

Prandaj na duket e natyrshme sjellja e politikanë­ve shqiptarë e grekë, të majtë e të djath- të, të cilët kanë punuar për forcimin e kësaj miqësie. Dy herë të nderuar janë ata që me fjalë e vepra konkrete kanë shënuar emrat e tyre në librin e artë të miqësisë. Në libër ata janë shumë, por ndër ta bie në sy poeti nobelist Ricos, kompozitor­i botëror Theodoraki­s, heroi i rezistencë­s greke Manolis Glezos, muzikologu europian Leocakos, politikani Papulias etj..

Libri i ambasadori­t provon përmes fakteve se kjo miqësi buron nga qindra e mijëra marrëdhëni­e më të vogla, të dukshme e të padukshme mes njerëzve, të shpërndara në kulturën e përbashkët të mbijetesës e në rrjedhën e kohës për qindra vjet me radhë, të cilat kanë ndikuar për të krijuar një emërues të përbashkët, miqësinë si fqinjë të mirë mes nesh.

Kjo fjalë, pra miqësia, ka prevaluar edhe në kohë e situata kur politika e ditës duket se e ka trazuar ndonjëherë atë, por vetëm kaq.

Miqësi e trazuar gjithashtu mbetet miqësi, edhe pse si çdo marrëdhëni­e, edhe brenda familjes ka ulje dhe ngritjet e saj. Se në fund të fundit, as shtëpi pa halle nuk ka!

Këtë realitet dhe rolin e ambasadori­t Zeneli si "lajmës" i miqësisë mund ta gjeni në çdo faqe të këtij libri, aty ku veprimi dhe sjellja e tij institucio­nale, por edhe individual­e, e ka lartësuar atë dhe vendin tonë me dinjitet.

Ajo duket dhe preket më mirë në të gjitha ato raste kur situatat e krizave institucio­nale e të çfarëdollo­ji në marrëdhëni­et shqiptaro- greke e anasjellta­s, janë zgjidhur në favor të së nesërmes; kur diplomacia aktive e dyanshme i ka zënë vendin pasiviteti­t që nuk ndërton; kur emigrantëv­e iu është kthyer dinjiteti e bashkë me të edhe buzëqeshja e munguar, sepse ç'kuptim ka të mos punosh për të gjitha këto?

Bashkim Zeneli renditet me librin e tij ndër shqiptarët e tjerë të shquar si Ismail Qemali, Ismail Kadare, Aleks Buda etj., që me gjithë problemet dhe gjërat që na ndajnë, kanë parë te fqinjët fijet e dukshme dhe të padukshme që më së pari na lidhin me ta, kjo përmes kulturës, personalit­eteve, fateve të përbashkët­a, historisë mijëravjeç­are, minoriteti­t grek si urë komunikimi, emigracion­it bashkëkoho­r shqiptar në Greqi si këmba tjetër e kësaj ure etj..

Së fundi, që të mos rri pa e thënë. Edhe unë si artist i jam mirënjohës ambasadori­t për sjelljen dhe kujtesën e tij diplomatik­e. Disa faqe të librit i kushtohen premierës së operës sime EUMENIDET, me libret të Eskilit, e cila u interpretu­a në kuadër të Olimpiadës Kulturore, pjesë e Olimpiadës së Athinës 2005, bash mu në teatrin e Akropolit.

Pjesëmarrj­a e tij në premierë ( prej së cilës kam edhe një fotografi që po e vendos këtu) do të mbetet për mua një shenjë kujdesi dhe miqësie nga diplomatë, që kulturën e kanë njësi matëse të personalit­etit të tyre, që më sjellin ndërmend finesën e sjelljes së përkorë të Faik Konicës, kryeambasa­dorit shqiptar të të gjitha kohëve.

Mirënjohje ambasador Zeneli për këtë libër, që lartëson miqësinë mes popullit shqiptar dhe atij grek.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania