Panorama (Albania)

Lamtumira, artistët Ndrenika e Ljarja kujtojnë ditët e fundit me Kiço Blushin

Qindra miq, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë u takuan dje në Sharrë për t’i dhënë lamtumirën e fundit

- ANI JAUPAJ

Në muajt e fundit të jetës, skenaristi e shkrimtari Kiço Blushi i kishte të shpeshta vajtje- ardhjet në spital.

Që prej 75- vjetorit të ditëlindje­s së tij, që ishte edhe e fundit, kishim folur disa herë për të bërë një intervistë, që sëmundja e tij nuk e lejoi. Lufta e Kiço Blushit me leuceminë nisi thuajse katër vite më parë, ndërsa në këtë hark kohor u shtua edhe kanceri i pankreasit, që e rëndoi gjendjen. Dje, siç tregon miku i tij Rikard Ljarja, një ditë pasi hëngri akulloren që kërkoi, Kiço Blushi u përcoll nga qindra njerëz në varrezat e Sharrës. Miq të tij të të gjitha kohërave, miq të dy djemve të tij, Benit dhe Martinit, të njohur nga qytete të Shqipërisë, që prej kohës kur ishte student e deri në vitet e fundit që e tërhoqën në njëfarë qetësie që i shkonte portretit të tij. Siç e përshkroi Kryeminist­ri, Kiço Blushi dinte të ishte qesëndisës, por me elegancë, pa tepricat që e shndërrojn­ë në fyerje të rëndomte, shpotitjen bajate të brezave pasardhës. Mençuria që i dukej në portret, qëndrimi sqimatar e të qeshurën pa bujë u reflektuan gjithaq në ditën e fundit, kur të dashurit e të njohurit e tij u mblodhën për ta përcjellë, pa ceremoni të bujshme, ashtu siç pati jetuar. Ngjan si një vijimësi logjike e jetës që kishte bërë. Siç mësohet, disa prej institucio­neve të rëndësishm­e kishin shprehur gatishmëri­në për të bërë homazhet e ikjes së tij, por asgjë e tillë nuk ndodhi! Të gjithë ata që deshën ta përshëndes­nin, u mblodhën në Sharrë, ndërsa në pritjen që bënë më pas familjarët te restorant “Piaca”, ishin vetëm miqtë e tij të ngushtë, familjarët dhe miqtë e afërt të fëmijëve të tij. Në portretin e bashkëshor­tes, Mirës, më punëheshtu­rës së familjes Blushi, dallohej veç dhimbjes, edhe përkushtim­i ndaj të shoqit në kohët e tij të luftës me sëmundjen. Veç kujtimeve e ngushëllim­eve të një dite si ajo e djeshmja, kanë qenë të shumtë edhe njerëzit e njohur të politikës e artit, që kanë përcjellë fjalët e tyre përshëndet­ëse për autorin e librave dhe skenarëve të shumtë. Batutat e filmave të tij do të ngelen në shtëpinë e të gjithëve, ashtu siç do të ngelet kontributi i tij i rëndësishë­m në historinë e letrave dhe mendimit shqip të pasviteve ’ 70- të. Dramaturg, shkrimtar, skenarist, publicist, Blushi kishte gjithë cilësitë e një intelektua­li të angazhuar, që i foli aq shumë kohës përmes veprave që shkroi. Në historinë tonë letrare, ai do të kujtohet si prozatori i talentuar i viteve ‘ 70-‘ 80- të, që iu dha jetë personazhe­ve përmes ekranizimi­t. Autor i dhjetëra skenarëve që dallojnë për qasjen ndryshe të jetës dhe kurajën për të prekur tema delikate për kohën, ai shpejt kuptoi aftësinë e letërsisë për t’u bërë lehtë pjesë e jetës së njerëzve, qoftë edhe përmes ekranit, duke ndërtuar një kinema, e cila si asnjëherë më parë po komunikont­e me publikun. Do të jetë ky komunikim që do të flasë me të gjithë, edhe pas ikjes së Kiço Blushit.

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania