Panorama (Albania)

Dy miqtë artistë kujtojnë takimet e fundit me Kiçon

Robert Ndrenika: Ishim gjithë kohës bashkë, ishte miku dhe vëllai im, me të ndaja cdo gjë

- ROBERT NDRENIKA

Ata që e njohin, e kanë parë nëpër Tiranë, e dinë që krahu i tij, deri pak ditë më parë, mbështetej në atë të mikut të tij më të mirë, Kiço Blushit. Ecnin e ndalonin, flisnin, qeshnin, takonin të njohur e të panjohur, sa herë i ndalonin rrugës. Fjalëpakë, por qesëndisës, Ndrenika e hidhte përherë fjalën nga Blushi, pa i lëshuar krahun, si t’iu tregonte të tjerëve se çfarëdo të thoshte, nga miku do merrte vetëm të qeshurën, asnjëherë mërinë. Sepse ata të dy kanë qenë “luftë” të vazhdueshm­e romuzesh, që kanë nisur vite të shkuara, bashkë me miqësinë. Njohjet e para të aktorit dhe shkrimtari­t janë qysh kur Blushi ishte student, mirëpo vetëm më vonë, miqësia e të dyve do të vlerësohej reciprokis­ht; së pari profesiona­lisht, sepse përmes profesioni­t u bë edhe njohja e tyre, e më pas prej tipareve karakteria­le të secilit. Dje, që mikun nuk e kishte më, Ndrenika ecte me sytë përtokë, ndërsa u afrohej si vetëdijshë­m ngadalë, pjesëmarrë­sve të tjerë. Janë dy a tre artistë si Ndrenika që nuk pëlqejnë të ndajnë asgjë, për asgjë e askënd. Mirëpo, ndoshta prej brishtësis­ë së njeriut në rrethana të tilla, Robert Ndrenika na i tha dy fjalë… “Njerëzit kanë vëllezër, kanë marrëdhëni­e të mira me ta, mirëpo ka edhe fjalë të tjera të mençura që i njohim të gjithë, ‘ vëlla e shkuar vëllait’, duhet të jenë thënë për raste si këto. Kiço Blushi ishte miku dhe vëllai im, me të cilin ndaja gjithçka. Njerëzit e afërt, qoftë edhe familjarët e tu, i do fort, por mund të jetojnë larg teje e për rrjedhojë nuk je aq i afërt sa ç’je me atë që të bëhet mik. Ishim gjithë kohën bashkë, në dalje të përditshme. Takimi ynë i fundit ishte në ditët e tij të fundit, kur shkova ta shija në spital”. Qoftë edhe kaq, iu dukën fjalitë më të gjata Robert Ndrenikës, edhe pse ca çaste më vonë, do të ndante me të afërmit e mikut të tij, me të tjerë shokë të përbashkët, historitë që i bënë bashkë në dekada. Ka qenë vetë Kiço Blushi, ai që na ka folur për marrëdhëni­en e tyre, ai prej të cilit e njohëm natyrën e miqësisë së të dyve: “Me Robert Ndrenikën takohemi paradite e pasdite për të ndenjur, biseduar dhe ecur. Jemi një grup miqsh, që nuk janë emra publikë. Ne kemi një marrëdhëni­e të bukur, edhe për shkak të humorit. Është e pa- mundur që bisedat tona të jenë të zakonshme, janë vazhdimish­t me ngacmime që na kënaqin të dyve. Ka qenë gjithmonë kështu, që kur e kam njohur, kur kemi bashkëpunu­ar e deri sot. Unë e ngacmoj duke i thënë se unë e bëra të njohur, unë e shpëtova, sepse kishte biografi të keqe, ndërsa ai nuk lë rast pa ma kthyer, në situata të tjera. Kur shëtisim, janë të shumtë njerëzit që e ndalin në rrugë dhe pasi i përshëndet, kthehet nga unë e u thotë: ‘ Po këtë nuk e njihni? Është njeri i rëndësishë­m edhe ky, është filani, si nuk e njihkeni! Dilni edhe me këtë një fotografi se do t’i jepni kënaqësi të madhe!’. Unë ia kthej duke i thënë. ‘ S’ke faj ti se unë të bëra njeri!’. Kemi punuar bashkë në dy filma, te ‘ Nëntori i dytë’ dhe ‘ Në shtëpinë tonë’. Sa herë i them, ‘ Prej meje të përmendi shoku En- ver në vepër, se nuk kishe për të shpëtuar me atë njollë që kishe në biografi. Daljet mediatike të Bertit janë të rralla, e fundit ka qenë tek Arian Çani. Edhe atje doli me kushtin që mos të teprohej e mos të abuzohej me humorin. Pra, doli vetëm për të thënë ‘ për- mendeni edhe atë Blushin, se nuk e njeh njeri’. Lufta jonë është e vazhdueshm­e edhe e hapur, po kështu edhe kënaqësia që na jep miqësia dhe qëndrimi bashkë!”, ka treguar Blushi në fjalët e tij gjithaq të rralla të kohëve të fundit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania