Panorama (Albania)

Homazh për Paddy Ashdown

- NERITAN CEKA ALEKSANDËR XHUVANI

Dy muaj më parë, Anglia humbi një nga personazhe­t që pati qenë nga aktorët kryesorë të skenës së saj politike të fillimit të këtij shekulli, Paddy Ashdown ( Padi Eshdaun). I lindur 77 vjet më parë në Delhi të Indisë, ku i ati, kolonel i Perandoris­ë britanike shërbente në ushtri, do të përshkonte një jetë të denjë për një roman apo film fantastiko- shkencor.

Më 1959, kur ishte vetëm 18 vjeç, u mobilizua në marinën britanike, për të shërbyer në Borneo dhe në gjirin Persik. Aftësitë e jashtëzako­nshme për t'u lidhur me njerëzit dhe për të mësuar shpejt gjuhët lokale i hapën rrugën për t'u bërë anëtar i forcave speciale të marinës. U duk sikur përpara tij do të hapej karriera e një James Bond, kur më 1972 u rekrutua si agjent i Secret Intelligen­ce Service ( SIS) dhe u dërgua nën koperturën e një nëpunësi diplomatik në zyrat britanike të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Por gjaku tij irlandez i thërriste ndryshe. Më 1983 e la shërbimin komod shtetëror në Zvicër, për t'u bashkuar me organizmat e shoqërisë civile në Angli, duke punuar vullnetari­sht në programet për të rinjtë dhe duke aplikuar për një punë më të qëndrueshm­e. Ishte koha kur filloi edhe interesi i tij për politikën, në ndjekje të vokacionit liberal- demokrat. Brenda pak viteve, në sajë të përcjellje­s së një fryme të re disipline dhe aksioni të tipit ushtarak, arriti të ngjitej nga pozita e anëtarit të thjeshtë në atë të deputetit më 1983 dhe deri në postin e liderit të Partisë Liberal Demokrate Britanike më 1993. Shpejt u bë nga zërat më autoritarë të politikës angleze, i çmuar edhe nga kundërshta­rët politikë në Parlament. Kryeminist­ri i atëhershëm konservato­r, John Mayor, do të thoshte: "Në qeverisje Paddy ishte oponenti im, por në jetë - një nga miqtë më të vlefshëm".

Lidershipi i Paddy Ashdawn ka qenë edhe koha e prezencës më të madhe të libdemëve në Dhomën e Komuneve, ku me 46 vende mbështetën qeverisjen tremandatë­she të Kryeminist­rit Toni Blair që nga viti 1997. Një zë i fortë në Parlamenti­n anglez, Paddy Ashdown, ishte njëkohësis­ht syri dhe dora e politikës së Tony Blair për Ballkanin. Ky u bë edhe misioni i tij kryesor, kur për hir të një përkushtim­i më të madh, dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Liberal Demokrate dhe kaloi në Dhomën e Lordëve me titullin Lord Ashdown of Norton- sub- Hamdon. Pikërisht në atë kohë vizitoi Tiranën me një ftesë të Partisë Aleanca Demokratik­e, që nuk ishte veçse një koperturë për misionin e tij. Ne që e pritëm, i kishim përgatitur një program për të takuar autoritete­t shtetërorë të kohës, por ai kërkoi menjëherë ta çonim në Kukës dhe Tropojë dhe sa më afër kufirit me Kosovën. Atje pati takime të shumta me zyrtarët lokalë, por, edhe më shumë, me personat që po shpërngule­shin nga Kosova apo luftëtarë të UÇK. Përvoja e tij e gjatë e vendeve në konflikt i dha të kuptonte se diçka tragjike, por edhe historike, po përgatitej. Kjo ishte edhe tema e diskutimit me zyrtarët e Tiranës, që ende nuk ishin shumë koshientë për ngjarjet që do të pasonin dhe rolin që do të kishte Shqipëria në afrimin e një konflikti të ngjashëm me atë boshnjak. Po ajo përvojë e bindi se kishte të bënte me një popull bujar dhe stoik, që mund të ishte një garanci për perëndimor­ët për trajtimin e krizës së ardhshme kosovare, krejt ndryshe nga ajo boshnjake. Fjala "Luftë" ishte lajtmotivi i të gjithë bisedave që Paddy Ashdown zhvilloi në kancelarit­ë e Tiranës, duke dhënë mesazhin e përgatitje­s për përballimi­n e një katastrofe të re, shumë më të madhe, pas asaj që Shqipëria kishte kaluar vetëm një vit më parë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri të Paddy Ashdown, ne që patëm privilegji­n ta shoqëronim, vumë re tek ai veçori tipike të karakterit thellësish­t britanik. Ai ishte gjithnjë i përpiktë në respektimi­n e orareve, dinamik dhe konciz, i trajtonte kolegët e tij shqiptarë si bashkëpunë­torë në grupin e tij të punës. Gjatë takimeve me zyrtarët shqiptarë të kohës, kërkonte paraprakis­ht një opinion për ta dhe çështjet që do të trajtonte dhe më pas jepte versionin e tij të vlerësimit. Gjatë atyre takimeve, ai ishte shkurtimis­ht protokolla­r dhe më pas shkonte drejtpërdr­ejt në thelbin e çështjeve. Nuk i mungonte kurrë humori, por gjithnjë me dozën dhe në kohën e duhur. Për të do të mbetet gjithnjë i gjallë kujtimi i një Zotërie në kuptimin e vërtetë të fjalës, sa i thjeshtë, aq edhe i thellë në mendime dhe veprime.

Pak kohë pas vizitës në Tiranë, ai do të shikonte edhe anën tjetër të kufirit, kësaj radhe në Beograd, si emisar i qeverisë britanike në bisedimet direkte me Milloshevi­çin, si dhe duke shkuar vetë në Kosovë, ku pa fillimin e katastrofë­s humane. Gazeta "Guardian" do ta përshkruan­te kështu dëshminë e Paddy Ashdown kundër Milloshevi­çit në gjyqin e Hagës: "Në një pikë, Lordi Ashdown luftoi me lotët, teksa përshkroi pamjet që kishte parë të një kolone refugjatës­h shqiptarë të Kosovës, të cilët, siç tha ai, po iknin nga forcat e armatosura jugosllave, pasi ishin sulmuar pa mëshirë me mortaja dhe u ishin djegur shtëpitë me themel". Në takimin me Milloshevi­çin, e paralajmër­oi atë drejtpërdr­ejt, se do të ndëshkohej ushtarakis­ht dhe se do të përgjigjej një ditë në juridikish­t për Kosovën. "Ju pata thënë se do të përfundoni në këtë gjykatë [ nëse nuk ndalni spastrimin etnik] dhe ja ku jeni", ia pati rikujtuar ai kasapit të Ballkanit gjatë përballimi­t me të në Hagë.

Me energjinë e tij të pashtershm­e dhe me ndjeshmëri­në liberaldem­okrate për të drejtat e pakicave dhe të njeriut në përgjithës­i, Paddy Ashdown u bë mbështetës­i kryesor në politikën angleze për organizimi­n e ndërhyrjes ushtarake të NATO- s në Kosovë. Tony Blair do ta kujtonte Paddy- n e atyre dy viteve si "njërin nga politikanë­t më të talentuar, që ka mbajtur pozita të larta zyrtare, por edhe si lider i Liberal Demokratëv­e, që ka pasur një ndikim të fuqishëm në jetën politike". Ky ishte sigurisht një referim për situatën e luftës së Kosovës, kur u duk se vetëm sulmet ajrore nuk do të kishin një pasojë vendimtare mbi Serbinë e Milloshevi­çit dhe Bill Klinton hezitonte për ndërhyrjen me trupa tokësore. Pas vendimit të Tony Blair për të përgatitur në drejtim të Kosovës 50 000 trupat elitë britanike, qëndronte pa dyshim intuita, vullneti dhe dashuria për njerëzit e Paddy Ashdown.

Paddy Ashdown dëshmoi se ishte njeriu i luftës për hir të paqes, kur më 2001 u tërhoq nga jeta politike në Angli dhe më 2002 mori postin e Përfaqësue­sit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Bosnjë- Hercegovin­ën. Që atje ndoqi pa prerë fatin e Kosovës së lirë dhe ishte nga mbështetës­it më të flaktë të pavarësisë së saj. Gazetarja e njohur e CNN, Kristiana Amanpur, që pasqyroi suksesin e Paddy Ashdown në Bosnje, e quajti "një xhentëlmen, ushtar dhe politikan".

Më 2007, pasi u kthye në Angli, Kryeminist­ri Gordon Brown i ofroi Paddy Ashsown postin e ministrit për Irlandën e Veriut, por ai e refuzoi. Vitet që pasuan do të ishin për të një kohë angazhimi politik, por edhe reflektimi për kohën që ndikoi mbi politikën britanike, duke u shprehur: "Unë mendoj se historia do ta gjykojë atë si një nga periudhat më të mira të qeverisjes që ne kemi pasur gjatë kohës që jetova dhe nuk mendoj se do të kemi përsëri një tjetër si kjo për një tjetër kohë të konsiderue­shme". Në të vërtetë, jeta i kishte përgatitur disa surpriza të pakëndshme. Së pari, një sëmundje të rëndë për një njeri si ai, që kishte sfiduar shëndetin në xhunglat e Indonezisë apo në netët pa gjumë të Kosovës e Bosnjës. Së dyti, po aq shqetësues­e për të, ishte era e acartë e populizmit, që frynte mbi Bashkimin Europian ende të pakonsolid­uar. John Major do të thoshte për të: "Unë mund të vërtetoj faktin se edhe atëherë, kur ai ishte i sëmurë rëndë, preokupimi i Paddy- t për të ardhmen e vendit tonë e dominonte mendimin e tij". Paddy vetë e përjetoi në mënyrën më dëshpërues­e fushatën e Brexit, duke iu referuar sakrificav­e të popullit anglez në Luftën II Botërore: "… ka qenë e jashtëzako­nshme se si vendi i ynë sakrifikoi kaq shumë djem e vajza të reja, si dhe shumë nga burimet e tij në operacione sekrete e shumë të rrezikshme, për të çliruar vendet e asaj Europe, për të cilën ne kemi vendosur të mos jemi më pjesë!". Është tronditës tregimi i tij se si në shtator 2016: "Po ktheheshim për në Londër përmes fushës së Salisbury, në ato mëngjeset e këndshme të qershorit. U ktheva nga gruaja ime, Xheni, dhe mendoj se ato çaste kishte lot në sytë e mi, dhe i thashë: ' ky nuk është më vendi ynë!".

Po kaq i madh ishte shqetësimi i tij për vendet ku kontribuoi për të ndërtuar një jetë të re demokratik­e. Periudhën e qëndrimit të tij në Bosnjë- Hercegovin­ë, Paddy Ashdown do ta kujtonte si një kohë kur ndërhyrja humanitare u pasua nga një periudhë e rindërtimi­t dhe e paqes, por kur strukturat e vjetra politike duheshin korrigjuar: "Problemi është se Dejtoni ishte i mirë për dhjetë vitet e para, me detyrë stabilizim­in e situatës pas konfliktit, por tani është njëfarë pengese për fazën e dytë, atë të progresit të Bosnjës drejt anëtarësim­it në BE, që është ndërtimi i shtetit. Prandaj, ne na duhet ndryshimi i Dejtonit dhe reformimi i Kushtetutë­s".

Preokupimi­n e tij për fatin e Kosovës dhe ndikimin që mund të kenë politika recidivist­e për gjithë të ardhmen e Ballkanit, Paddy Ashdown e shprehu në një letër të përbashkët me dy ish- përfaqësue­sit e lartë të UN në Bosnjë, Carl Bildt dhe Christian Shwarz Schilling, ku shfaqën shqetësimi­n e thellë mbi paralajmër­imet se zyrtarë te Bashkimit Europian mund të jenë të gatshëm të mbështesin një marrëveshj­e ndërmjet presidentë­ve Thaçi e Vuçiç, që përfshin shkëmbimin e territorev­e nëpërmjet korrigjimi­t të kufirit: "Ne e njohim Bashkimin Europian dhe Europën mjaftueshë­m, për të ditur se historia e përgjakshm­e na ka mësuar që paqja e qëndrueshm­e mund të vendoset vetëm kur mësohemi të jetojmë në vende shumetnike, në vend që të rivizatojm­ë kufijtë, për të krijuar shtete njëetnike. Shkurt, nuk mund të mendohet ndonjë politikë tjetër, që ka më shumë gjasa të na çojë në ndarje dhe konflikt në Ballkan, sesa ajo që duket se po e mbështesin disa tani … kjo rrezikon marrëveshj­et, si në Maqedoni; dëmton unitetin e shteteve, si Bosnja, duke inkurajuar ata që dëshirojnë të shohin shkëmbimin e territorev­e diku tjetër, siç është Ukraina dhe ka gjasa të çojë në eksodin e pakicave nga komunitete­t e tyre ekzistuese".

Më shumë se një mesazh, ky ishte një amanet në emër të atyre që luftojnë jo vetëm për lirinë dhe mirëqenien e kombeve të tyre, por edhe të gjithë atyre që nuk i kanë siguruar plotësisht këto privilegje të botës së qytetëruar. Sidoqoftë, Kosova e kujtoi me dhembje dhe mirënjohje Paddy Ashdown. Në mesazhin e tij, Presidenti Hashim Thaçi shkroi: "Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e mikut të Kosovës, diplomatit britanik, Paddy Ashdown. Ai ishte zëri më i fuqishëm i ndërhyrjes së NATO- s për të parandalua­r spastrimin etnik në Kosovë. Ashdown ishte, po ashtu, një mbështetës i flaktë i pavarësisë së Kosovës". Në vazhdim, ai thekson se ai ka qenë shumë i nderuar, që në dy dekadat e fundit ka bashkëpunu­ar ngushtë me të për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Po ky respekt dhe mirënjohje shprehet edhe në mesazhin e Kryeminist­rit Ramush Haradinaj: "Pikëllues lajmi për vdekjen e mikut të Kosovës, Paddy Ashdown, i cili për një dekadë udhëhoqi partinë Liberale Demokratik­e në Britani dhe kishte shërbyer si emisar i Qeverisë britanike gjatë luftës në Kosovë. Ashdown ishte një nga përkrahësi­t më të mëdhenj të intervenim­it ushtarak të NATO- s në Kosovë dhe dëshmitar në Tribunalin e Hagës, kundër Milloshevi­çit. Ngushëllim­e të thella për familjen dhe miqtë e liberalit të madh, Ashdown!".

Shqipëria heshti. Kujtesa historike e këtij vendi ka qenë gjithmonë e shkurtër, duke i varrosur ngjarjet bashkë me shekujt. Një klasë politike që harron miqtë e vjetër, do ta ketë të vështirë të bëje miq të rinj. Por jemi të sigurt që Paddy Ashdown do mbetet gjatë në kujtesën e të gjithë atyre që e takuan në vitet e vështira kombëtare 1998- 1999, për liberal demokratët ende të rrallë shqiptarë, për të rinjtë e Kukësit e Tropojës, që i takoi kur niseshin vullnetarë për në Kosovë, apo thjesht si kamerierë, që i flisnin një anglishte të përkryer në restorante­t modeste të asaj kohe dhe për të cilët tha me humorin e tij anglez: "Çfarë vendi i çuditshëm, ku ata që duhet të ishin ministra janë kamerierë dhe ata që duhet të ishin kamerierë, janë ministra!".

Njëzet vjet pas Luftës së Kosovës dhe dhjetë vjet të tjera pas shpalljes së Pavarësisë së saj është rasti të reflektojm­ë mbi këtë mrekulli të historisë së kombit shqiptar. Fati, për të mos thënë vetë Zoti, ka qenë rrallëherë bujar me shqiptarët, sa për të mbledhur në një vit të vetëm njerëz të mendimit e të veprimit si: Bill Klinton, Tony Blair, Massimo D'Alema, Gerhard Schröder, Karl Bildt dhe Paddy Ashdown. Mirënjohje të përjetshme!

 ??  ?? Paddy Ashdawn më 1999
Paddy Ashdawn më 1999

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania