Panorama (Albania)

Padrejtësi­të e vetingut në Polici

-

Vetingu në Polici do të bëhet. Kundërshta­rët e tij, skeptikët apo edhe përkrahësi­t do të kenë mundësinë të shohin mekanizmin gjigant të futet në punë. Me shpresën e një produkti të pranueshëm dhe të vlefshëm për të gjithë. Edhe për skeptikët dhe ata që e kundërshto­jnë. Pritshmëri­a është e madhe, por jo hapat e deritanish­ëm. Aq më pak, fryma e tij e paekuilibr­uar.

Nga njoftimet e fundit të bëra në media, duket se Ministria e Brendshme ose më saktë Bordi i Përzgjedhj­es është bërë gati të fillojë nga puna, pasi ka publikuar listën e Komisionit të Jashtëm të Vetingut. Sipas ligjit të njohur nga publiku i gjerë si “vetingu në Polici”, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i sapoformua­r, është maja e diamantit të të gjithë procesit, sepse filtri i tij do të qartësojë figurën për rreth treqind drejtues të lartë të Policisë, Gardës dhe SHÇBA- së. Nga skanimi i të treqindtëv­e do të dalin pjesëtarët e komisionev­e të tjera, që do të kalojnë në formë kaskade në filtër dy nivelet e mbetura të Policisë, ato të mesëm dhe të ulët.

Lista e anëtarëve të Komisionit të Jashtëm së bashku me listën përfundimt­are të Sekretaria­tit Teknik u publikua në websit- in e Ministrisë së Brendshme dhe nuk u shoqërua nga ndonjë dalje publike e drejtuesve të lartë të Ministrisë së Brendshme. Operacioni nuk është i vogël dhe publiku i gjerë ka kaq kohë që pret. Ministra e zëvendësmi­nistra kanë dalë hera- herës t’i bëjnë jo vetëm jehonë procesit, por edhe të sqarojnë funksionim­in e tij. Por fillimi i procesit kaloi pa zhurmë. Cicërimat e “Twitter”- ave ministrorë heshtën. Vetëm njëri këndoi, por në gjuhën angleze. Po përse?

Lista e anëtarëve të përzgjedhu­r të Komisionit të Jashtëm është publikuar në datën 11.02.2019, fiks në krah të rubrikës “Programi i Transparen­cës së Ministrisë së Brendshme”. Por për rastin konkret nuk bëhet fjalë për transparen­cë. Nuk bëhet fjalë për ballafaqim ndërmjet asaj çfarë thotë ligji dhe veprimeve të kryera nga qeverisja e Ministrisë së Brendshme, në zbatim të tij. “Twitter”- i në gjuhën angleze njoftoi plot gëzim mbarë botën për procesin. Por nuk pati kënaqësinë që në gjuhën shqipe t’i drejtohej publikut të gjerë, përfitues i procesit, se përse lista e Komisionit të Jashtëm u afishua plot 9 muaj me vonesë. Kryefjala e ligjit të vetingut në Polici mbetet fjala “transparen­cë”. Thuajse në çdo nen ku parashikoh­en hapat që do të hidhen për procesin, del në pah zotimi solemn për transparen­cë. Por askush nuk foli se përse gjithë kjo vonesë. Jemi përballë shkeljeve të afateve ligjore të një ligji. Dhe jo të një ligji dosido. Bëhet fjalë për një proces që zotohet të bëjë pastrim në radhët e tri institucio­neve të rëndësishm­e dhe më masivet në numër, të japë drejtësi për gjendjen që do të konstatojë dhe të jetë i tejdukshëm nga të gjithë. Vonesa e treguar, shkelja e afateve ligjore, mungesa e shpjegimev­e publike për të nuk të lënë shteg të mendosh pozitivish­t.

Në nenin 11, ligji parashikon­te që dhjetë ditë pas hyrjes në fuqi të tij, Bordi Përzgjedhë­s të publikonte thirrjen për paraqitjen e shprehjeve së interesit lidhur me pozicionet e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit. Dhe në datën 15 prill 2018, kështu u veprua. Ligji kërkonte që më pas, afati i dorëzimit të dokumentev­e të ishte 15 dite. Pra, aplikantët duhet të kishin përfunduar veprimet e aplikimit deri në datën 30 prill 2018. Dhe në përfundim të afatit të publikohej lista e tyre. Dhe lista u publikua. Afati tjetër, ai i seleksioni­mit të kandidatëv­e, u parashikua për shtatë ditë dhe në përfundim të tij të paraqitej po ashtu publikisht, lista përfundimt­are e anëtarëve. Pra, data e parashikua­r për krijimin e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit do të ishte 7 maj 2018.

Por kjo listë, që shënon krijimin e Ko- misionit të Jashtëm të Vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë, u bë reale në datën 11 shkurt 2019 në websit- in e Ministrisë së Brendshme në shqip dhe në “Twitter”- in e njërit prej zëvendësmi­nistrave në anglisht. Plot 10 muaj me vonesë.

Fillimi i punës së Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, për fat të keq nuk përbën përfundimi­n e zgjidhjes së një ngërçi, por fillimin e një vështirësi­e tjetër. Akoma më delikate dhe që rrezikon realisht të komprometo­jë rëndë besueshmër­inë e tij. Neni 68 i ligjit në fjalë parashikon mbylljen e procesit brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e tij. Pra, nëse do të llogarisni­m datën 5 prill si ditën e hyrjes në fuqi, efektet e ligjit duhet të përfundojn­ë brenda datës 5 prill 2020. Pra, mbeten ende rreth 13 muaj. Kjo nuk është serioze. Një proces, i cili me ligj parashikoh­et të kryhet për 24 muaj, nuk ka as shansin më të vogël të kryhet i besueshëm, i thellë, i plotë, i ndershëm për 13 muaj. Ai do të kryhet nxitimthi, sipërfaqës­or dhe klientelis­t.

Dikush, duke e parë çështjen më me pozitivite­t, do të thoshte se procesi i përzgjedhj­es së anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit mund të ketë pasur vështirësi­të e tij, ndaj dhe afatet nuk janë respektuar. Ky argument nuk qëndron sepse nga njëra anë afatet janë shkelur shumë thellë dhe nga ana tjetër nuk ka pasur transparen­cë. Nuk ka pasur deklarime publike të përgjegjës­ve të procesit për t’i shpjeguar publikut vështirësi­të. Megjithëse afatet ligjore mbeten ligjore dhe nuk duhen shkelur. Ndërkohë, është edhe një faktor tjetër që dëshmon se problemet e krijimit të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit nuk kanë pasur vështirësi objektive. Kjo, edhe për faktin se dy Vendimet e Këshillit të Ministrave të parashikua­ra në nenin 66 të ligjit nuk u hartuan brenda afateve të përcaktuar­a, një muaj pas hyrjes në fuqi të tij, pra në 5 maj 2018. Ato u hartuan shumë më vonë. Kush i pengoi?

Përsëri dikush tjetër mund të mendojë se nuk ka ndonjë arsye për paragjykim. Sepse harku kohor prej 24 muajsh i shtrirjes së realizimit të procesit mund të zgjidhet nëpërmjet ndonjë ndryshimi ligjor, që mundëson zgjatjen e afatit. Teknikisht është mëse e mundur, por moralisht do të ishte shumë e ulët. E ulët, pasi në gjithë këtë proces, i vetmi afat që është zbatuar dhe me çmimin e shumë e shumë vuajtjeve dhe streseve, është ajo e dorëzimit të dokumentac­ionit nga ana e punonjësve të Policisë. Mjaft të rikujtohen këtu momentet e tensionit, shqetësimi­t që iu desh armatës së tyre për të siguruar dokumentac­ionin e nevojshëm në një kohë rekord. Për të plotësuar kërkesat e formularëv­e që në njëfarë mënyre kërkonin formalizim­in e gjithë jetës dhe punës së tyre të mëparshme dhe të familjeve të tyre. Edhe kur ishin brenda radhëve të Policisë, ashtu edhe kur ishin jashtë radhëve të saj, duke punuar në të bardhë e në të zezë, brenda dhe jashtë vendit. Afati duhej respektuar. Sepse ligji, në mënyrën më të padrejtë të mundshme, parashikon­te sanksion për mosrespekt­imin e afateve të dorëzimit nga ana e policëve. Përjashtim­in automatiki­sht nga puna. Padrejtësi kjo, e ngritur ligjërisht në piedestal. Tipike për hartuesit neobllokme­në të sotëm dhe aleatëve të tyre në këtë ligj. Përgjegjës­it e procesit nuk e respektuan afatin. Sepse për ta nuk ka ndëshkim ligjor. Për policët po. Kjo nuk është drejtësi. Është teknikë ligjore tipike e byroistëve të bllokut dhe e pinjollëve të tyre. Për të njëjtin faj, ligji dënon vegjëlinë, por jo byroistët e rinj. Sido që të zhvillohet, vetingu tashmë është jo vetëm i komproment­uar nga shkelja e afateve, por edhe i damkosur nga padrejtësi­a që i është bërë armatës së punonjësve të Policisë, duke e vënë atë në pozita ligjore diskriminu­ese, aspak të barabarta me klasën që i sundon në vend që t’i udhëheqë. * Ish- drejtor në Policinë e Shtetit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania