Panorama (Albania)

Mark Frroku: Vëllai im nuk mund të kthehet më në Shqipëri

- ETLEVA DELIA Mark Frroku

Gjykata e Apelit në Hagë ka refuzuar ekstradimi­n e Arben Frrokut në Shqipëri me argumentin se i rrezikohet jeta, pasi dënimi është dhënë me ndikim politik.

Vendimi në favor të Frrokut u dha dje dhe është i formës së prerë. Në Shqipëri ai është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për vrasjen e ish- kryekomisa­rit Dritan Lamaj. Sipas Gjykatës së Hagës, dënimi i dhënë në Shqipëri është dhënë bazuar mbi motive politike, duke shtuar se Frrokut i rrezikohet jeta në vendin e tij. Për këtë arsye ai nuk do të ekstradohe­t, edhe pse gjykatat shtetërore të Holandës kishin vendosur për ekstradimi­n e tij. Arben Frroku është dënuar nga Gjykata e Apelit me burg përjetë për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2013. Pas një kalvari gjyqësor, në prill të vitit 2015 Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pasi doli nga qelia, Frroku u largua nga Shqipëria ditën që Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë dhe vendosi dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Ndalimi i Arben Frrokut në Holandë është bërë fillimisht më 6 mars të vitit 2016, kur është thirrur në Zyrat e Emigracion­it në Amsterdam, për të verifikuar dokumentet e identifiki­mit. Pasi është bërë një verifikim paraprak ai është lënë i lirë, por gjatë gjithë kohës, derisa u arrestua më 28 prill të atij viti, është mbajtur nën mbikëqyrje dhe të gjitha lëvizjet e tij në Holandë kanë qenë të kontrollua­ra. Kjo, për arsye sepse autoritete­t vendëse kanë pasur dyshime në lidhje me pasaportën që ai kishte paraqitur në Zyrat e Emigracion­it. Policia shqiptare konfirmoi arrestimin në atë kohë dhe tha se Ministria e Drejtësisë kishte nisur procedurat e ekstradimi­t, që tashmë nuk do të ndodhë.

Gjykata e Hagës ka vendosur në favor të Arben Frrokut, duke mos e lejuar ekstradimi­n në Shqipëri, por ai tashmë është i detyruar që të qëndrojë atje. Vëllai i tij, ishdeputet­i Mark Frroku, tha dje për gazetën "Panorama" se ishin 3 arsye pse Gjykata vendosi që Arben Frroku të mos ekstradohe­j. E para, sepse i rrezikohet jeta, e dyta sepse është dënuar me burgim të përjetshëm dhe e treta sepse ky vendim është marrë i ndikuar politikish­t.

Gjykata e Apelit në Hagë vendosi që vëllai juaj, Arben Frroku, të mos ekstradohe­j në Shqipëri. Cili ishte arsyetimi i Gjykatës?

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Hagës, në fakt edhe ai i shkallës së Parë, ishte i mbështetur në 3 komponentë. E para lidhej me faktin se ndaj tij ishte dhënë një burgim i përjetshëm në Shqipëri, që në disa vende të Bashkimit Europian nuk ekziston. E dyta ka të bëjë me jetën e tij, që Gjykata çmon se i rrezikohet në vendin e tij dhe e treta, që është më e rëndësishm­e, të cilën unë e kam thënë edhe më parë dhe do vazhdoj ta them, është fakti se vendimi nga Gjykata në Tiranës është dhënë i motivuar politikish­t.

Ndërkohë, gjykatat e Holandës kishin vendosur që të ekstradohe­j?

Po, gjykatat e shtetit holandez kishin dhënë ekstradim. Ato kanë një tjetër sistem. Vendimi i dhënë tani është i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Hagë. Kjo gjykatë ka pezulluar të gjitha vendimet e shtetit holandez dhe ka marrë në dorë gjykimin e tij. Shkallën e Parë e ka fituar dhe sot fitoi edhe Shkallën e Dytë, që tashmë është një vendim i formës së prerë. Vendimin e Shkallës së Parë, që në fakt ishte i njëjtë me atë që u dha sot, e kishte apeluar prokurori.

Edhe Shkalla e Parë kishte dhënë të njëjtin arsyetim?

Po, po. Të njëjtë me arsyetimin që dha Apeli.

Arben Frroku është përfaqësua­r atje nga ndonjë avokat i huaj?

Po, është përfaqësua­r nga dy avokatë holandezë. Një burrë dhe një grua. Para një muaji isha vetë aty dhe mora pjesë në gjyq. Isha në sallë dhe kanë qenë prezentë të dy avokatët e Arbenit.

Pas këtij vendimi, a është liruar Arben Frroku?

Jo, ende nuk është liruar.

Nëse jeni në dijeni, si

procedurë, sa mund të zgjasë çështja e lirimit të tij?

Çështja e lirimit mund të zgjasë aq sa zgjat masa e arrestit. Ai ka pasur një masë arresti 30 ditë.

Ku ka qëndruar gjatë kësaj kohe?

Ka qenë në dy vende të ndryshme. Fillimisht ka qëndruar në një vend 2 vjet e 9 muaj, ndërsa së fundmi ishte në një vend tjetër, ku qëndroi 3 muaj.

Pas këtij vendimi, Arben Frroku do të qëndrojë atje?

Po, në Holandë i lirë.

Po familja?

Patjetër që po. Ai nuk lejohet që të hyjë vetëm në Shqipëri. Kjo është politika shqiptare. Dy orë pas ngjarjes, politika ka dalë dhe e ka bërë vrasës vëllain tim. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Po tashmë e ka dhënë përgjigjen Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Hagë.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania