Panorama (Albania)

Llambi Blido, piktori që solli popartin dhe ruajti veprën e Trebeshinë­s

“Bën pjesë në të paktët artistë, i cili diti ta ruajë me kujdes talentin pa bërë kompromise”

- BESIM TULA*

0,2 TË QINDTAT E LLAMBI BLIDOS

Vepra “Vajza në pultin e komandimit” ishte në grupin e veprave, që u përzgjodhë­n për t’u ekspozuar në “Dokumenta 14” në Athinë dhe në Kassel, prill- shtator 2017.

Në sallën e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku është ekspozuar vepra e piktorit Llambi Blido “Vajza në pultin e komandimit”( 1971), në mënyrë të menjëhersh­me sytë drejtohen tek ajo dhe kjo ndodh instinktiv­isht. Ndjesia nuk të lë kohë që të arsyetosh psenë. Është e tëra e ndritshme. Veprat rreth e rrotull të duken pak më të shuara dhe të koloruara zona- zona. Autori ka qenë vetëm 32 vjeç, moshë ku dëshira për aventurën e madhe të artit është e fortë. Një vepër me intensitet kompozicio­nal, dekorativi­tet koloristik dhe mbi të gjitha, me një pamje që ishte e ndryshme nga veprat e dala nga shkolla jonë e pikturës. “Vajza në pultin e komandimit” e Llambi Blidos sillte për herë të parë në artin tonë tendenca të popartit si shkronjat, numrat, vijat që konstrukto­jnë makinerinë apo levat e komandës. Këto pjesë grafike janë të realizuara me ngjyrë dhe krijojnë një ritmikë.

Një krijim, veçanërish­t në pikturën e shkallës se lartë, është si një organizëm i gjallë. Ai është unik dhe çdo pjesë i përgjigjet së tërës. Të argumentoj­më pak më thellë: çdo qenie në formimin vizual është e përbërë nga një pafundësi harqesh. ( Vija e drejtë është krijuar nga njeriu). Me këto harqe formohet syri, hunda, vetulla, trupi, gjymtyrët… si dhe çdo gjallesë etj.. Me këtë arsyetim en bloc, njerëzit duhet të ishin njëlloj. Një lëvizje e vogël në këndin apo dimensioni­n e formës harkore lind ndryshimin apo karakterin. Ky motiv plastik zbatohet në mënyrë harmonike në të gjithë pjesët e qenies. Po kështu, edhe një pikturë duhet të ketë në thelb esencën e së veçantës. Në qoftë se themi jeshilja e kësaj vepre, ajo nuk duhet t’i ngjajë në asnjë mënyrë një jeshileje të një vepre tjetër. Ky qëndrim lejon që pikturat mund dhe të ekspozohen afër pa u sikletosur se mos i prishin punë njëra- tjetrës, ashtu si një grup njerëzish që janë të ndryshëm. Ku është sekreti i kësaj vepre që të sugjestion­on me pamjen e saj të ndryshme?

“… Në krijimin e veprës së artit janë dy procese: fillimisht zotërimi i ideve, të cilat dalin nga imagjinata, pastaj transporti­mi i tyre në krijimin artistik. Këto dy etapa janë të rëndësishm­e për njëra- tjetrën, por pushteti i ideve mbetet kushtëzimi për realizimin e tyre. Këtu lind origjina. Fuqia e ideve është një veprimtari e pastër e shpirtit, që mund ta përshkruaj­më si një ‘ jetë të mendjes’. Ky produkt i krijimeve artistike mund të na njohë me psikikën tonë. Ajo mund të na mësojë gjëra të vërteta, por nuk mund të na ndriçojë aspak mbi origjinën e veprës së artit. Atëherë, çfarë është ajo? Origjina, e cila është dhe problemi kryesor, përmbledh shkakun e prezencës së veprës së artit. Në qoftë se pyetësori ndjek rrugën e shkakut siç duhet ndjekur në të vërtetë, nuk duhet asnjëherë të nisemi nga vepra e artit, por nga mënyra se si del në dritë ky produkt artistik. Objekt i artit rezulton gjithmonë ‘ një punë e lidhur me shpirtin’ nga ana e artistit…” ( Heidegger “De l’originë de l’oeuvre d’art”, Versioni i 1931-‘ 32, edicion dygjuhësh, fq. 2- 3).

Veçanësia e kësaj vepre ka të bëjë me të vërtetën, e cila ka dy pamje: ajo e jashtme, d. m. th sugjestion­imi i artistit ndaj realitetit dhe e dyta themelorja, të cilën dhe vetë autori nuk mund ta shpjegojë qartë lidhet me të dhënat e natyrës ( talenti), që të jep karakter dhe të bën të veçantë. E dyta zotëron mbi të parën, prandaj dhe vepra e tij është dukshëm vetjake. Bën pjesë në të paktët artistë, i cili diti ta ruajë me kujdes talentin pa bërë kompromise.

Tabloja perceptohe­t menjëherë. Nuk ka zona shumë të rëndësishm­e dhe të tjera të dorës së dytë e të tretë. Ajo tingëllon si një e tërë. Secila pjesë ka një zë të vetin. Në rregullin e përvetësim­it nga syri është ruajtur shkallëzim­i, ku kryesorja është në vendin e saj, të tjerat janë shumë afër. Loja zhvillohet në hapësira të afërta. Plani i parë dhe thellësia shpalosen njëherësh me ndryshime të vogla. Secila ngjyrë ka maksimumin e zërit pa dëmtuar ngjyrat pranë. Liria për të arritur atje ku synonte autori iu realizua nga dematerial­izimi i objekteve. Çdo problem koloristik është i pavarur nga materiali. Ai arrin të realizojë këtë kusht tërësisht dhe njëkohësis­ht të ketë shfrytëzim­in e ngjyrave të kundërta. Tingujve të tyre artisti nuk dëshiron t’iu humbin as 0,2 të qindtat e forcës si në çdo veprimtari tjetër, ku duhet të arrish maksimumin: në vrapim, not, gjuajtje, në ndërhyrjet kirurgjika­le në tru, në rritjen e shpejtësis­ë etj., etj., ku kufiri i mundësive matet me të qindtat. Ngjyrat e tij janë të ndjeshme. Mund të dëmtohen dhe nga ndërhyrje të vogla. Ja një fakt profesiona­l. Përdorimi i penelit nga artistët është vetjak. Disa i pastrojnë në fund të seancës, disa të tjerë i vendosin në ujë që të mos thahen dhe të ruajnë elasticite­tin deri në seancën e ardhshme. Ndryshe nga të gjithë, Llambi i pastron me shumë kujdes, me diluent gjatë procesit, që dhe thërrmija të ngjyrës së mëparshme të mos ndikonin në tingullin e zërit të ngjyrës pasardhëse, duke rrezikuar ekuilibrat.

Pse vepra “Vajza në pultin e komandimit”? Pa asnjë dyshim, vepra e parë me elemente të popartit në pikturën tonë. Ajo sjell disa risi: E para, ideja. Një grua e re që të duket sikur e ke parë diku, qëndron drejt me një shikim të vëmendshëm përpara. Është mjaft serioze. Nuk të kujton mjedisin tonë të fabrikave, por një laborator të huaj. Ishin vitet kur diçka lëvizi në modernitet­in e prodhimit. ( Ëndrrën e çdo të riu për përparimin autori e përkthente vizualisht me këto imazhe). Vijat grafike, numrat dhe teksti, krijojnë një marrëdhëni­e të re me plastikat përreth. Mbas profesor A. Buzës, ky solli një ndjesi koloristik­e krejt vetjake. Tabloja ka dhe një zgjidhje të urtë kompozicio­nale. Figura është zënë pak nga teksti dhe që të dyja këto imazhe formojnë një dhe perceptohe­n të parët. Gjurma e penelit është e qetë dhe e sigurt. ( Kazimir Malevich me veprën e tij “E bardhë mbi të bardhë” solli një erë të re në koloristik­ë, duke arritur në tingujt më të lartë të ngjyrave të qarta). Te Llambi ngjyrat e qarta janë ndjesi të brendshme vetjake. Atyre iu jep lirinë e dëshiruar, duke mos u mbyllur me materien. Në tablo të mëvonshme ai përdor dhe kontrastin tonal me ndërhyrje të fuqishme.

Krijimet e tij shiheshin me sy të dyshimtë nga pushteti, i cili e kuptonte që me këto vepra nuk ishte i tij dhe nuk e lanë të hapte ekspozitë deri mbas viteve ‘ 90.

EPILOG Në sajë të kurajës se Llambit Blidos, ne kemi të ruajtur veprën e Kasëm Trebeshinë­s, të cilën ai e strehoi para se ta fusnin në burg shkrimtari­n, për të mos rënë ajo në duart e Sigurimit. Po qe se do të merrej vesh prej tyre, imagjinoni dorën e çeliktë të dënimit së bashku me fisin, siç ishte zakoni. Në sajë të këtij veprimi, sot e kemi atë të plotë. (* Piktor)

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ?? PIKTORI LLAMBI BLIDO
PIKTORI LLAMBI BLIDO

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania