Panorama (Albania)

Shqipëria drejt zhdukjes, në 2100 mbetemi vetëm 1 milion

-

Në fillim të këtij viti ishte raporti i INSTAT, statistika­t e të cilit konfirmuan rënien drastike të numrit të lindjeve. Dje ishte OKB që bëri parashikim­in më të kobshëm, Shqipëria në fund të shekullit mund të arrijë në 1 milion banorë. Në muajin mars, analiza e "Monitor", pas raportit të INSTAT, tregonte se gjatë vitit 2018 shtesa natyrore e popullsisë ishte 7130 persona, niveli më i ulët, së paku që nga viti 1948, pak vite pas përfundimi­t të Luftës së Dytë Botërore. "Por të dhënat më të hershme, por jo të grupuara, vit pas viti tregojnë se Shqipëria ka shtesën natyrore të popullsisë në nivelin më të ulët që nga viti 1923, pasi shtesa e popullsisë përgjatë viteve 1923- 1945, sipas të dhënave zyrtare, ishte mesatarish­t mbi 18 mijë persona në vit. Gjatë vitit 2018 lindën 28.934 foshnje, duke pësuar një rënie prej 6,3 % krahasuar me një vit më parë. Për herë të parë numri i foshnjave të lindura ra nën nivelin 30 mijë. Numri i vdekjeve në 2018- n ishte 21.804 persona, duke pësuar një rënie prej 1,9 %, krahasuar me një vit më parë. Shtesa natyrore është përkeqësua­r, pasi rënia e lindjeve ishte më e lartë se rënia e vdekjeve. Në vitin 1990, viti i parë i tranzicion­it, shtesa natyrore e popullsisë ishte gati 64 mijë persona, ose rreth 5300 fëmijë në muaj. 28 vjet më pas, ky tregues ka rënë me 9 herë, duke arritur në vetëm 594 persona në muaj".

OKB

Në raportin e OKB- së, Shqipëria është vendi që do të ketë tkurrjen më të madhe të popullsisë në botë deri në fund të shekullit. Sipas "Top Channel", në fund të këtij shekulli popullsia e Shqipërisë do të rrudhet në vetëm 1 milion banorë, me një rënie prej 62 për qind krahasuar me shifrën aktuale. "Kjo është rënia më e madhe në botë, e cila e projekton kombin shqiptar sa një lagje e një qyteti të zakonshëm europian. Sipas OKB- së, nga 5 shtetet që pritet të kenë rënien më të madhe të popullsisë në 80 vitet e ardhshme, 4 gjenden në Ballkan. Më konkretish­t, në vendin e dytë, shteti që do të pësojë uljen më të madhe të popullsisë është Serbia me 52 për qind, ndërsa në vendin e tretë dhe të katërt Moldavia dhe Bosnja, ku popullsia pritet të tkurret me 50 për qind deri në fund të këtij shekulli. Shteti që mbyll pesëshen e vendeve më krizën më të thellë demografik­e është Bullgaria, për të cilën OKB parashikon se do të humbasë 48 për qind të popullsisë deri në vitin 2100. Këto janë projeksion­et, sipas skenarit bazë, i cili ka probabilit­etin më të lartë për t'u realizuar. Paralelish­t, OKB ka llogaritur projeksion­et edhe sipas një skenari me negativ, i cili bazohet në një rënie më të shpejtë të lindshmëri­së. Rezultatet për këtë variant janë edhe më alarmante, duke e parashikua­r rrudhjen e popullsisë së Shqipërisë në vetëm 500 mijë banorë në fund të shekullit. Një projeksion fatal, që praktikish­t e projekton Shqipërinë drejt zhdukjes".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania