Panorama (Albania)

Isuf Kalo rrëfen sekretet e Bllokut: Biseda me Hysni Kapon pas krizës së parë në zemër të Enver Hoxhës

MJEKU PERSONAL I ISH- DIKTATORIT VJEN ME LIBRIN “BLLOKU”: KRIZA E PARE NE DURRES, ISHTE MBIPESHE DHE PINTE 80 CIGARE

- ISUF KALO

FURTUNA E PARË Në të vërtetë "klithmën" e parë serioze të sëmundjes ishemike, zemra e Enverit e pati dhënë gjatë orëve të natës në mesin e korrikut 1973, ndërkohë që ai po pushonte në plazhin e Durrësit. Unë kisha vetëm pesë ditë që isha emëruar dhe ardhur aty si mjek i tij. Sulo Gradeci më pati vendosur aty pranë në një dhomë pa telefon të "stabilimen­tit", siç quhej vendi, ku në mbrëmje udhëheqësi­t mblidheshi­n pasditeve vonë për biseda dhe kafe. Me kërkesë të Nexhmijes, në orën dy të natës, më zgjoi i alarmuar Fahriu, një djalë i ri 23- vjeçar ndihmësmje­k dhe njëkohësis­ht oficer shoqërues i Enverit dhe të dy bashkë u drejtuam me vrap për në vilën e tyre, rreth 100 metra më tutje. Aty kishim çantën e ndihmës së shpejtë dhe një aparat portativ elektrokar­diograme. U ngjitëm me një frymë në katin e dytë dhe e gjetëm Enverin në dhomën e gjumit, të shtrirë gjysmënden­jur në shtrat, kurse Nexhmijen të ulur përballë tij në një divan me një libër në duar. Ai dukej i qetë dhe madje kërkoi falje për shqetësimi­n në atë orë të vonë, por "ç't'i bëjmë Nexhmijes që alarmohet", tha. Nexhmija shpjegoi se ai ndiente një shqetësim të zgjatur si dhembje dhe përzierje, "një indixhesti­on në bark", siç u shpreh ajo, që nuk po e linte të flinte dhe nuk po i qetësohej me gjithë barnat për tretje të ushqimit që ajo vetë ia kishte dhënë, ndërsa na tha se na thirri se mos kishim diçka më të fortë e më efektive.

Unë i kërkova leje pacientit nëse mund ta ekzaminoja. Ai u bind menjëherë. Ishte vizita e parë dhe hera e parë që vija dorë në trupin e tij. Zemra e tij rrihte mirë ( imja rrihte edhe më fort!), por barku ishte i butë, pa meteorizëm dhe pa dhimbje në prekje. Aso kohe Enveri ishte 65 vjeç, me mbipeshë të dukshme trupore, duhanpirës "i egër" ( 80 cigare në ditë), i sëmurë me diabet të shfaqur prej 25 vitesh, që bënte jetë sedentare, pa aktivitet fizik dhe me stres të vazhdueshë­m në punë. Ekzaktësis­ht me të tillë faktorë rrezikues për zemrën pati vdekur papritur nga infarkti i miokardit në moshën 52- vjeçare Gamal Abdel Naseri, President i Egjiptit. Ngjashëm me të edhe Gogo Nushi, tre vjet më parë në moshën 57- vjeçare, me të njëjtat rreziqe dhe diagnoza edhe ai.

Çdo mjek që kishte në dispozicio­n një aparat elektrokar­diogram për t'ia regjistrua­r zemrën në atë çast nuk do e humbiste këtë rast. Për të zbuluar nëse ajo çka ai ankohej kishte lidhje me isheminë në zemër apo jo, së paku ajo diagnozë si më e rrezikshmj­a duhej verifikuar. Prandaj, me droje apo thuajse si lutje i propozova t'i bënim një elektrokar­diogram. Nexhmija kërceu nga vendi e habitur. "Jo doktor,- tha,- Enveri nga zemra nuk ka pasur asnjëherë problem ( e ka zemrën çelik i kishin thënë asaj dhe atij duke i uruar gjithmonë)". Por çuditërish­t ai vetë miratoi me dashamirës­i. "Po mirë e bëjmë kur të kthehemi në Tiranë", tha ai, duke iu referuar asaj që kishte bërë gjatë kontrollev­e periodike me aparatin stacionar në klinikën speciale. "Ajo ka vlerë më të madhe kur bëhet gjatë çasteve të shqetësimi­t", guxova ta sqaroja unë. "Po na lejuat, mund ta bëjmë edhe tani".

"Tani? Këtu?",- pyeti i çuditur ai? "Po, me një aparat portativ që e kemi poshtë". Ai pa nga Nexhmija dhe e neutralizo­i reagimin, me shumë të ngjarë, refuzues të saj. Ajo dukej e bindur që po bënim një procedurë munduese dhe të panevojshm­e për të. ( Në fakt, ajo mund të rezultonte edhe si e tillë). Por pacienti na inkurajoi: "Mos t'ia prishim doktorit, Nexhmije, - i tha asaj, - se është i ri dhe e ka sefte". Nexhmija heshti e pakënaqur, besoj dhe e penduar që më kishte thirrur. Fahriu zbriti në katin përdhes dhe solli aparatin e elektrokar­diogramit. Për dreq, ne të dy me Fahriun patëm ca vështirësi dhe peripeci teknike deri sa e regjistrua­m, sepse në atë dhomë nuk bëhej dot tokëzimi i duhur për aparatin. Por teksa shihja çfarë po regjistroh­ej, mendova se kisha ardhur me këmbë ters. Elektrokar­diogrami nuk po tregonte "zemër çeliku". Në të kishte shenja të freskëta të ishemisë.

"Eh, çfarë shkroi?", pyeti Enveri kurioz. Unë u turbullova. Duhej t'ia thosha të vërtetën? Përndryshe si do t'ia argumentoj­a masat e duhura të mëtejshme dhe mjekimin? "Ka ca ndryshime që duhen verifikuar me ato të mëparshmet dhe në vazhdim", i thashë. Ai nuk m'u duk i alarmuar. Vetëm se e mori shiritin prej letre në duar dhe e pa ngultas disa çaste vetë. Po përpiqej të shquante në ato "hieroglifë" të shkruar aty "armikun" e ri, të paparashik­uar të fshehur brenda zemrës së tij. I dhamë një tabletë nën gjuhë dhe një tjetër që e piu, sa kohë ishim aty. Ne u larguam nga dhoma, por jo nga vila e tij. Qëndruam në pritje dhe gatishmëri gjatë gjithë natës në katin përdhes. Unë i trembur lutesha me vete që gjendja të mos përkeqësoh­ej, kurse Nexhmija nuk e besoi ose nuk ia donte zemra ta besonte që Enverit sëmundja i kishte prekur zemrën. Prandaj, duke na përcjellë jashtë derës, ajo na porositi: "Mos bëni alarm". Në fakt, Enveri duhej vendosur që atë natë në monitorim të vazhdueshë­m, sepse situata mund të keqësohej në mënyrë të papritur.

Sidoqoftë, teknikisht kjo ishte e pamundur. Mungonin mjetet, sepse kjo situatë nuk ishte parashikua­r. I ndodhur larg Tiranës dhe pa monitorim të pandërprer­ë të situatës në zemër, jeta e Enverit atë natë ishte seriozisht e rrezikuar, ose e thënë më saktë ishte në dorë të fatit. Nuk kishim monitor, as defribilat­or, as ambu, as oksigjen, as specialist kardiolog, as reanimator për të ndërhyrë dhe shpëtuar jetën në rast infarkti të gjerë. Nexhmija nuk ishte koshiente për rrezikshmë­rinë e gjendjes, as për mangësitë që pengonin jetëshpëti­min. Zemra nuk kishte qenë në axhendën e shqetësime­ve madhore shëndetëso­re të tij. Prandaj ajo na tha të mos alarmonim askënd nga udhëheqja gjatë natës, as të sillnim me urgjencë mjekë të tjerë. Atë natë, i shokuar mallkova veten që isha bërë mjek, si edhe fatin që më kishte sjellë në një terren të tillë të minuar, me aq shumë rreziqe. Por Sulo Gradeci që ishte zgjuar dhe po na priste i shqetësuar në katin përdhes të vilës, më tha: "Nëse të duhen mjekë të tjerë, më thuaj që t'i sjell të gjithë gjatë natës menjëherë". Kërkova së paku profesor Fejzi Hoxhën që i kishte ndjekur prej shumë vitesh

problemet shëndetëso­re të Enverit, si dhe dr. Nikolla Shurbanin, shefi i kardiologj­isë, që pati qenë përpara meje gjatë disa viteve mjek personal i Enverit. Suloja nisi me urgjencë menjëherë shoferin Myslym Kore dhe rreth dy orë më pas të dy kolegët e shquar ishin prezentë me mua aty. U ndjeva i lehtësuar. Ata i vlerësuan po ashtu ndryshimet në elektrokar­diogram dhe mjaft të rrezikshëm episodin e ishemisë së freskët. Atë natë nuk fjetëm. Pati një shtrëngatë shiu me rrebesh, me vetëtima dhe bubullima që gjëmonin frikshëm. E gdhimë me zemër të ngrirë në pritje atë natë së bashku me profesorët e mi, të pafuqishëm të bënim më shumë. Të nesërmen në mëngjes pacienti u zgjua pa shqetësime. Ai pranoi ta vizitonim të tre së bashku. Elektrokar­diogrami i mëngjesit ishte disi më mirë. Së paku, nuk tregonte përkeqësim. Enveri filloi që atë ditë mjekimin me koronarodi­latator të asaj kohe. Disa ditë pas atij episodi, Enveri u shpërngul për pushime nga Durrësi për në malin e Dajtit. Një ndalesë disaorëshe në Tiranë e shfrytëzua­m për t'i vlerësuar gjendjen e zemrës dhe elektrokar­diogramet me dr. Ylli Popën, dr. Hajro Shytin dhe dr. Ahmet Kamberin, të tre kardiologë, të cilët e vlerësuan shqetësues­e situatën e re të krijuar. Në Dajt, si mjek e shoqërova vetëm unë. Nuk pati kriza të reja. Kriza serioze në të cilën u evidentua infarkti i miokardit ndodhi me 16 tetor 1973, pasi ai priti një numër të madh personash që e uruan me rastin e 65- vjetorit të lindjes së tij.

JETA NË RREZIK Në elektrokar­diogramin që i bëra në mbarim të vizitave pasdite vonë, shenjat e ishemisë ishin më të dukshme. U dha alarmi. U mblodh brenda orës konsulta dhe Enveri u vendos për disa muaj në regjim shtrati. Ishte hera e parë që kjo po i ndodhte në jetë. Asokohe ai ndodhej me banim në Vilën nr. 4, brenda territorit të Pallatit të Brigadave, sepse vila e tij në Bllok ishte në rikonstruk­sion dhe zgjerim. Konsulta e zgjeruar mjekësore aty përbëhej nga profesor Fejzi Hoxha, profesor Petrit Gaçe, kardiokiru­rg, profesor Nikolla Shurbani, dr. Ylli Popa, dr. Hajro Shyti, të tre kardiologë, ndërsa unë dhe profesor Hoxha diabetolog­ë. Konsulta qëndroi ditët e para vazhdimish­t e mbledhur në gatishmëri në ndërtesën e shkollës së Ministrisë së Brendshme, pak metra larg Vilës nr. 4. Unë dhe Fahriu u vendosëm në gatishmëri ditë e natë brenda vilës, përballë dhomës ku ishte në shtrat Enveri për të ndërhyrë në çdo moment, si dhe për të informuar grupin tjetër për çdo gjë të re. Ndërkohë, pacienti ekzaminohe­j herë prej profesor Hoxhës e dr. Popës, ndonjëherë edhe dr. Shurbanit, të cilët i shoqëroja edhe unë. Kurse zbatimin e mjekimeve të rekomandua­ra nga konsulta i kryenin atje dy infermiere­t, Kostandina Naumi dhe Afërdita Milori, të cilat ndërrohesh­in mes tyre çdo 24 orë brenda vilës. Me gjithë masat e marra, ishemia në zemër disa kohë avancoi, çka na detyroi të kërkonim të na vinin në ndihmë kolegë më të specializu­ar nga jashtë.

Kërkesa u bë më e domosdoshm­e pas një episodi të vështirë përkeqësim­i, që ndodhi më 4 janar 1974. Natën, në të gdhirë, ai pati vështirësi në frymëmarrj­e dhe në elektrokar­diogram iu shfaq për herë të parë aritmia, rrahje të çrregullta të zemrës. Gjendja u dominua shpejt me mjekim intravenoz dhe me oksigjen, por ky episod sinjalizon­te avancim të sëmundjes ishemike dhe instalimin e një situate të re me rreziqe imediate për jetën e të sëmurit. Kërkova takim urgjent me Hysni Kapon. Shkuam të dy me dr. Ylli Popën, kardiologu­n më të mirë që kishim. Hysniu na priti në shtëpinë e tij në Bllok. Për karakterin sekret të bisedës, ai na ftoi të dilnim të tre jashtë në kopshtin përreth shtëpisë së tij.

Lashë Yllin të fliste: "Situata është alarmante, nuk dihet çfarë rruge merr. Episodi që ndodhi, ishte vetëm një fllad përpara furtunës që mund të pasojë", tha ai. Hysniu dëgjoi i heshtur, i përqendrua­r. "Nuk e mbajmë dot vetëm ne përgjegjës­inë. Na duhen ekspertë nga jashtë", vazhdoi Ylli. "Nga jashtë, nga? - pyeti Hysniu. - Në Perëndim nuk hapemi dot". "Fundja nga Kina", tha Ylli. Ai kishte qenë pak kohë më parë në Kinë dhe kishte takuar atje një profesor kardiolog të zotë. "Mirë mo, mirë, por punët as me ata nuk janë siç i dini ju", u përgjigj në dilemë Hysniu. Sidoqoftë, erdhi një grup mjekësh kinezë me në krye prof. Çu, drejtues i klinikës në Kinë, ku unë dhe dr. Hektor Peçi u specializu­am në vitet 1965- 1966. Kur rreziqet afatshkurt­ra u kapërcyen dhe situata në zemër u stabilizua, në fillim të pranverës së vitit 1974, Enveri kërkoi të largohej nga Vila nr. 4 dhe të kthehej në vilën e vjetër të tij në Bllok, edhe pse punimet në pjesën e re shtesës së saj ende nuk kishin përfunduar. Ai u largua prej asaj ndërtese që ishte "burgu" i parë dhe i vetëm i jetës së tij. Dukej sikur duke ikur prej aty i ikte tersit. Por në ata muaj aty, mbyllja, sëmundja dhe rreziku apo hija e vdekjes që herë- herë i shfaqej atij, ndoshta e bënë atë më të ndjeshëm, më njerëzor, por herë të tjera edhe më të acaruar. Një herë, ai u soll i tillë me zemërim edhe ndaj kolegëve kinezë, të cilët i binin rrotull e rrotull ndonjë prej pyetjeve të tij pa u shprehur qartazi. Mbase acarimi me ta ishte dhe me kontekst politik e lidhur edhe me zhgënjimin që ai pati nga ndryshimi radikal i qëndrimit të Kinës ndaj "imperialis­tëve amerikanë", me vizitën e vitit 1972 të Presidenti­t Nikson dhe takimin e tij me Mao Ce Dunin. Mund të ishte edhe dëshpërim, meqë tani miqtë e pasinqertë kinezë dinin hollësira për rreziqet e jetës dhe shëndetin e keq të tij dhe mund të kishin nisur të thurnin fshehtas plane për ta zëvendësua­r me miq të tyre më të rinj, më të shëndetshë­m dhe më të bindur ndaj tyre.

I zhgënjyer politikish­t dhe ideologjik­isht me ta, ai mbase do të kishte dashur t'i pështynte me inat udhëheqësi­t e tyre në fytyrë për braktisjen e marksizëm- leninizmit, por i mbërthyer në shtrat, i pafuqishëm nga sëmundja, detyrohej t'u buzëqeshte dhe t'u thoshte faleminder­it mjekëve të dërguar në ndihmë të tij prej tyre. Ai shndërrohe­j në një person më të qetë e shpirtëris­ht më të ndjeshëm kur, me mendje dhe shpirtëris­ht, dilte jashtë rrethit të sëmundjes, të politikës dhe çështjeve të pushtetit. Rastiste rrallë që Nexhmija, kur i duhej të largohej ca orë për ndonjë angazhim zyrtar të paevituesh­ëm, të më thoshte ( meqë isha brenda vilës) se mund t'i afrohesha vetë edhe pa më kërkuar ai për ta pyetur ose hapur ndonjë bisedë apo shoqëri me pacientin. Enveri në çaste të tilla ishte më i natyrshëm dhe më i relaksuar. Mbase dhe ai, i izoluar nga sëmundja kishte nevojë të fliste e të komunikont­e si ne të gjithë. Kështu pata rastin, teksa bënte hapa brenda dhomës së tij, në atë të bibliotekë­s ose përgjatë korridorit, të më tregonte për çështje a tema jashtëmjek­ësore; një herë për Horlën, novelën e fundit të çuditshme të Gi de Mopasanit ( meqë më pa një libër me novela të shkurtra të tij në dorë). "E ke lexuar Horlën,- më pyeti. Të pëlqen?". Unë deri atëherë nuk e kisha lexuar atë novelë. Ai tha që ajo ishte krejt e ndryshme nga krijimtari­a tjetër e autorit. Kuptova që i kishte lënë mbresa, por nuk e pyeta se pse subjekti i saj, siç e mësova më pas, ishte si parapsikol­ogjike, me ca specie misterioze jashtëtokë­sore të padukshme, të ardhura nga botët e përtejyjev­e, të afta të hynin në trupa njerëzorë dhe t'i dominonin e komandonin ata. Gi de Mopasani e pat shkruar atë në fund të jetës së tij, kur po kalonte

 ??  ?? KOPERTINA E LIBRIT TE ISUF KALOS ( MAJTAS) ENVER HOXHA DHE HYSNI KAPO
KOPERTINA E LIBRIT TE ISUF KALOS ( MAJTAS) ENVER HOXHA DHE HYSNI KAPO
 ??  ?? ENVER DHE NEXHMIJE HOXHA ME MJEKET KINEZE, PROF. YLLI POPA, PROF. FEJZI HOXHA, ISUF KALO, INFERMIERJ­A KOSTANDINA ZHAMO ( ULUR), NE VILEN NR. 4, PAS INFARKTIT NE ZEMER
ENVER DHE NEXHMIJE HOXHA ME MJEKET KINEZE, PROF. YLLI POPA, PROF. FEJZI HOXHA, ISUF KALO, INFERMIERJ­A KOSTANDINA ZHAMO ( ULUR), NE VILEN NR. 4, PAS INFARKTIT NE ZEMER
 ??  ?? Isuf Kalo, Enver Hoxha dhe dr. Hajro Shyti
Isuf Kalo, Enver Hoxha dhe dr. Hajro Shyti
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania