Panorama (Albania)

Parkimet me koncesion për 15 vjet, pushohet hetimi për Shpëtim Gjikën

-

Dha me koncesion parkimet me pagesë, pushohet çështja për ish- kryebashki­akun Shpëtim Gjika. Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka pushuar hetimet për ndjekjen penale ndaj Shpëtim Gjikës, i cili akuzohej për shpërdorim detyre lidhur me dhënien me koncesion të vendeve të parkimit në qytetin bregdetar. Ky koncesion ishte dhënë për një afat prej 15 vitesh. Bashkë me Gjikën të akuzuar ishin dhe 7 ish- zyrtarë të tjerë të Bashkisë Vlorë. Vendimi për pushimin e çështjes është dhënë nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, ndërkohë që Prokuroria e Vlorës pritet të ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit. Shqyrtimi i çështjes ishte në proces që prej shkurtit, kur Prokuroria dërgoi dosjen për gjykim, ndërkohë vendimi është bërë publik mesditën e së hënës. Përveç Gjikës dhe nënkryetar­it Ardian Musta, në hetim ishin dhe Ilir Banushi, Arben Beqiraj, Taulla Zanaj, Gentian Sherifaj, Merita Mema dhe Pero Thanasko. Këta persona kanë firmosur dhënien me koncesion të vendeve të parkimit në 24 rrugë të qytetit me një afat prej 15 vitesh për kompaninë "TrisPark". Koncesioni nga hetimet rezultoi se ishte dhënë pas kërkesës së paraqitur nga vetë kompania, e cila dyshohet se ka dhënë ryshfet për ish- zyrtarët. Kontrata u firmos në mars të vitit 2015, pak para zhvillimit të zgjedhjeve lokale, ku Gjika në fund të mandatit nuk u rikandidua nga Partia Socialiste. Ndërkohë, të gjithë shkeljet e pretenduar­a i kanë vuajtur qytetarët e Vlorës. Në kontratë parashikoh­ej që në rast të prishjes së kontratës, Bashkia e Vlorës do të duhej t'i paguajë kompanisë një shumë prej 20 milionë dollarësh. Por, një gjë e tillë konsideroh­et si dëm ekonomik nga ana e Prokuroris­ë së Vlorës. Kompania "TrisPark", aktualisht, e ka pezulluar shërbimin pasi pretendon se bashkia ka ndërprerë kontratën në mënyrë të njëanshme. Çështjen e ka kaluar në Gjykatë, ku kërkon një dëmshpërbl­im prej 50 milionë eurosh. Në nisje të hetimeve, vetë ish- kryebashki­aku Shpëtim Gjika deklaronte se nuk mund të cilësohej vepër penale përderisa nuk kishte dëm ekonomik. Kompania aplikonte një tarifë prej 50 lekësh për një vend parkimi për një orë, ndërsa gjoba në rast të mospagesës shkonte deri në 4500 lekë të rinj. Aplikimi i vendeve të parkimit me pagesë nisi në qershor të vitit 2016, fillimisht si një fazë testuese nga kompania. Por, kjo gjë solli reagimin e qytetarëve, duke e cilësuar abuzive tarifën e vendosur.

 ??  ?? Shpëtim Gjika
Shpëtim Gjika

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania