Panorama (Albania)

Ndahet nga jeta burri i Vaçe Zelës, Peçi: Ishin çift perfekt

“Ishin tepër të dashuruar, sikurse në fillimet e lidhjes kur u njohën në Lushnjë, ndërsa Pjetri ishte me shërbim ushtarak

-

E para drejt qiellit fluturoi ajo, siç do të shtegtonte drejt qiellit të përjetësis­ë një bilbil shtegtar i këngës.

Pesë vite pas, në destinacio­net e parajsës, Vaçe Zelën e arrin bashkudhët­ari i saj, për të rifituar këtë periudhë të gjatë malli. Pjetër Rodiqi është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Edhe pse prej më shumë se 2 dekadash jetonte në Zvicër, ai deshi që të fundit imazhe që do të merrte me vete të ishin prej Shqipërisë së tij. Të dëgjonte tingullin e shqipes, që Vaçja e tij aq ëmbël këndoi. Për publikun që ende këndon këngët e saj, dhe ata që ndoshta mund ta kishin kujtuar më shumë, legjendare­n ai e rrëfeu publikisht afro 3 muaj më parë, së bashku me vajzën, Irmën, dhe miqtë. Me të ishte edhe miku e bashkëpunë­tori i tij, Aleksandër Peçi. Lajmi e ka hidhëruar kompozitor­in dhe mendja i shkon menjëherë tek Irma, dhimbja e saj, tani që dy prindërit nuk janë më fizikisht. Shpreh ngushëllim­et, e rrëfen çiftin Zela- Rodoqi duke i kujtuar ashtu në harmoni e të dashuruar si ditën e parë që u njohën kur Pjetri kryente shërbimin ushtarak në Lushnjë.

Vizitat priten në datat 18, 19 dhe 20 korrik te hotel Rogner paradite nga ora 09: 00- 13: 00 dhe pasdite nga ora 17: 0020: 00.

Zoti Peçi, ndahet nga jeta bashkëshor­ti i Vaçe Zelës. I keni njohur në rini dhe ndatë me të rrëfimin për Vaçen në këtë 80- vjetor të saj të lindjes. Si e kujtoni çiftin?

Është një ngjarje e dhimbshme e mendja më shkon tek Irma, e cila po e përjeton keq këtë humbje të shpejtë të Pjetrit pas mungesës 5vjeçare të Vaçes. Janë njerëz që ditën të fitojnë dashurinë e respektin e atyre që i njohën, ndaj ngushëllim­et e mia shkojnë edhe për të afërmit. Është e vërtetë me Pjetrin rrëfyem Vaçen në prill, për atë që duhet të ishte datëlindja e saj e 80- të.

E kujtoj si një zotëri fisnik e të pashëm, që mbi të gjitha ka qenë një mbështetje e madhe për Vaçen. Ka ditur ta mirëkuptoj­ë në jetën e saj si artiste. Edhe pse nuk ishte i angazhuar, ushqente një pasion të madh për artin, muzikën.

Në rrëfimet e kolegëve, Vaçja vjen tepër e sinqertë me miq e kolegë, duke shfaqur një formë lirie dhe skenike. Sa ka ndikuar përkrahja e bashkëshor­tit të saj?

Pjetëri dhe Vaçja në sytë e mi, kanë qenë gjithmonë shëmbëllty­ra e çiftit perfekt. Shkonin shumë me njëritjetr­in. Ishin tepër të dashuruar, sikurse në fillimet e lidhjes kur u njohën në Lushnjë, ndërsa Pjetri ishte me shërbim ushtarak. As largimi fizik i Vaçes 5 vite më parë nuk e zbehu këtë dashuri, përkundraz­i rriti mallin dhe e forcoi.

Kjo dashuri kaq e pastër që ju rrëfeni, ishte ndoshta një nga arsyet e pengut që Vaçja ju ka rrëfyer, se do të kishte dashur që t’i kishte kënduar më shumë dashurisë?

Vaçja dëshironte që të kishte kënduar më shumë këngë të tilla. Por në fakt të gjitha tekstet që ajo i përcolli me zërin e saj publikut, përçuan tek ata dashuri. Dashurinë për njerëzit, për vendin, për të afërmit, në të gjitha format e saj. Falë Pjetër Gacit, ajo i këndoi edhe dashurisë mes çiftit, siç qe e veta me Pjetrin.

Si e kujtoni Vaçen gjatë bashkëpuni­meve tuaja?

Kam bërë disa turne me Vaçen. Mbaj mend se nuk pranonte asnjëherë të rrija pas skene. Dëshironte që të rrija në sallë për ta dëgjuar kur këndonte. Ishte vërtetë shumë e hapur dhe shumë modeste, edhe nëse i bëje ndonjë vërejtje.

Është e vërtetë se nuk pranonte të këndonte pa spektatorë?

Është pikërisht kështu, ishte shumë e vështirë ta bindje edhe për të regjistrua­r në studio. Edhe pse ishte e ndërgjegjs­hme për parametrat teknologji­kë favorizues të studios, ajo nuk e ndërronte me asgjë emocionin e kontaktit të drejtpërdr­ejt me publikun. Në të rrallat raste, për të mos thënë të vetmet që e ka bërë diçka të tillë, ka qenë gjatë bashkëpuni­meve tona në filmat “Në shtëpinë tonë” dhe “Fillim i vështirë”.

Përgjithës­isht ka kënduar para publikut. Kujtoj se e përjetonte shumë përballjen me publikun. Kishte një emocion të jashtëzako­nshëm para se të dilte në skenë, por kjo e përmirëson­te edhe më shumë performanc­ën e saj.

Keni shprehur gjithashtu dëshirën që shtëpia e Vaçes të jetë e hapur për publikun, duke u kthyer në muze...

Është e vërtetë! E mendoj si një mënyrë për ta kujtuar edhe më shumë Vaçen, për t’i bërë homazh, por kjo natyrisht duhet të jetë dëshira e Irmës më së pari, sepse kuptohet që në të tilla raste është në mes nostalgjia, kujtimet, lidhja shpirtëror­e që janë po aq të çmuara.

 ??  ??
 ??  ?? Vaçe Zela me bashkëshor­tin dhe vajzën
Vaçe Zela me bashkëshor­tin dhe vajzën
 ??  ?? Kompozitor­i Aleksandër Peçi
Kompozitor­i Aleksandër Peçi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania