Panorama (Albania)

S’i dha para, i biri godet me sëpatë në kokë të atin

-

LUSHNJE - Nuk i dha para, djali godet me sëpatë në kokë të atin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës në qytetin e Lushnjës. Dritan Veliu, banues në lagjen “Xhevdet Nepravisht­a”, ka debatuar ashpër me babain e tij dhe shkak për këtë ishte kërkesa për t’i dhënë para. 30- vjeçari i papunë kishte vazhdimshi­t një kërkesë të tillë për të atin pensionist, i cili këtë herë refuzoi t’ia plotësonte. Kjo ka bërë që mes tyre të nisë një sherr që për pak sa nuk përfundoi në mënyrë tragjike. I riu në gjaknxehtë­si e sipër ka marrë në sëpatë dhe ka goditur 67- vjeçarin, Kujtim Veliu, në kokë. Kanë qenë fqinjët ata që kanë lajmëruar Policinë, pasi kanë dëgjuar ulërimat që vinin nga apartament­i i familjes Veliu. Agresori, Dritan Veliu, në momentin që dëgjoi fenelinën e Policisë, tentoi që të largohej me vrap, por u prangos nga efektivët që u vunë menjëherë në ndjekje të tij. Ndërkohë, mësohet se 67vjeçari, Veliu, pasi mori ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Lushnjës është dërguar për mjekim të specializu­ar në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi goditja më sëpatë në pjesën e ballit i ka shkaktuar atij dëmtim të rëndë në kokë. Policia e Lushnjës bën me dije se i arrestuari është person me precedent penal. Dritan Veliu edhe më parë është arrestuar për dhunë në familje, ku për këtë akuzë është dënuar dhe me burg. Madje, edhe në rastin e parë, viktimë e dhunës së tij ka qenë sërish babai i tij. Këtë herë dënimi për të pritet të jetë më i rëndë jo vetëm për shkak të përsëritje­s dhe plagosjes së rëndë, por edhe për faktin se 67- vjeçari në momentin e ngjarjes ishte me urdhër mbrojtjeje të lëshuar nga Gjykata e Lushnjës. Fqinjët e familjes tregojnë se autori i ngjarjes njihej si person problemati­k. “Nuk dimë pse e mbante në shtëpi atë djalë. Ai njihej si natyrë problemati­ke, madje e kishte rrahur edhe herë të tjera të atin. Nuk punonte dhe i kërkonte para Kujtimit”, shprehet Lutfiu, një prej fqinjëve. Ndërkohë, edhe një tjetër tregon se Kujtimi ishte i respektuar, por ka pasur shumë probleme në familje dhe ishte i vetmi që kujdesej për të gjithë. “Kujtimi është njeri zotëri në këtë pallat dhe në të gjithë lagjen tonë. I biri është problemati­k. Ka qenë një vit i dënuar për sherr dhe me duket se për rrahjen e të atit. Nuk punonte, por edhe kur gjente punë, nuk sillte para në shtëpi. Vetëm merrte nga ata. Kujtimi ka shumë halle. Ai kujdesej për të gjithë. Ai ka gruan dhe vajzën të sëmura”, tregon një tjetër banor i lagjes.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania