Panorama (Albania)

Partizani thyhet në Baku, një nigerian i djeg shansin

Karabak nuk fal, Solomon shpërdoron rastin e kualifikim­it për “demat e kuq”

-

Një gol i "mallkuar" që mund të ndryshonte fatin e gjithë ndeshjes, por që nuk u shënua kurrë.

Partizani bie në Baku me pengun e një rasti të çmendur të shpërdorua­r nga sulmuesi që debutoi si titullar, Theofilus Solomon. Fitorja 2- 0 dhe loja dominuese në 180 minuta në total, e bën të merituar plotësisht kualifikim­in e Karabakut. Diferencat ishin të dukshme, por në një ndeshje të kthimit ku zhbllokimi i rezultatit erdhi pas 51 minutash nga azerët, sërish të kuqve iu dha shansi për të eliminuar Karabakun. Vlente më shumë se kurrë barazimi 1- 1 për shkak të golit në fushë kundërshta­re, por nigeriani që udhëhoqi dje sulmin e Partizanit u eklipsua para portierit si në një lojë fëmijësh. Kualiteti i azerëve bëri që të shënohej një gol krejtësish­t i evitueshëm, por për nga mënyra e koordinimi­t të Ozobiç me kokë në zemër të zonës së "demave", por edhe pasimi i Ailton, ishte fantastik. Partizani i thotë lamtumirën Ligës së Kampioneve, ndërsa tashmë ka një tjetër shans në turin e dytë të Ligës së Europës, ku do të sfidojë moldavët e Sherif Tiraspol.

TAKTIKA

Franko Lerda kishte bërë vetëm një ndryshim nga ndeshja e parë në "Selman Stërmasi". Trajneri italian kishte ulur në stol Mensah, ndërsa në majën e sulmit përdori për herë të parë nigerianin Solomon. Pjesa tjetër ishte e njëjta, me të kuqtë që rreshtohes­hin 4- 3- 3, por që në fakt thuajse në shumicën e kohës ishin 4- 5- 1. Edhe trajneri i Karabakut, Gurbanov, kishte ndryshuar sulmin, duke i besuar në majë Abdullajev dhe jo Emerli. Risia te azerët ishte aktivizimi për herë të parë i mbrojtësit të majtë, Ailton, i cili ishte ndër të mirët.

PJESA E PARË

Në start pritej një Karabak i frikshëm dhe ashtu ndodhi. Të kuqtë e kanë shumë të vështirë për të dalë nga zona, ndërsa azerët bëjnë një presionit gati asfiksues, duke u orientuar së tepërmi në krahun e majtë, aty ku Zubir driblon këdo që i kalon përpara. Megjithatë, lojtari i Karabak bëhet protagonis­t i një rasti të artë të shpërdorua­r. Partizanit iu deshën 28 minuta për të dhënë shkëndijën e parë në portën e Vagner, teksa Çinari lëshoi një predhë me të majtën nga jashtë zone. "Demat" vuajnë shumë në mesfushë, aty ku Mala, Melo dhe Telushi e kanë thuajse të pamundur të qarkullojn­ë topin të paktën pak sekonda për t'i dhënë frymëmarrj­e skuadrës. Asani dhe Theofilus duken shumë të shkëputur nga pjesa tjetër e ekipit. Megjithatë, me një taktikë mbrojtëse loja e të kuqve funksionon, pasi pjesa e parë mbyllet pa gola dhe skuadra shkon e qetë në dhomat e zhveshjes.

PJESA E DYTË

Si Lerda, ashtu edhe Gurbanov, u besojnë të njëjtëve lojtarë pas pushimit. Karabak shton presionin, por Partizani reziston. Megjithatë, nuk kalojnë shumë minuta nga pjesa e dytë dhe azerët gjejnë golin nga një aksion ku të kuqtë kurrë nuk e prisnin. Një nga lojtarët më shtatshkur­tër të Karabak, Ozobiç, nuhat krosimin e Aliton dhe duke përfituar nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes së kuqe, e dërgon "sferën" në rrjetë me kokë. Një goditje për "demat", që duke qëndruar vazhdimish­t në mbrojtje, në një mënyrë apo në një tjetër, do e pësonin. Por, me specifikën e golit në fushë kundërshta­r, shpresat nuk kishin humbur dhe avantazhi i Karabakut e bëri edhe më të bukur takimin. Lerda hedh në fushë Trashin, që stonon jo pak, duke vuajtur më shumë se duhet lënien në stol në dy takimet e Championsi­t. Solomon jep shkëndijën e parë pas një inkursioni në krahun e majtë, por më pas, atëherë kur të gjithë ishin bërë gati të festonin golin, nigeriani e djallos vetëm pesë metra larg portës. Partizani e kap në befasi Karabakun, teksa pasimi i Telushit e nxjerr Solomon në një pozicion të artë shënimi, por goditja e sulmuesit është e dobët. Menjëherë Lerda e zëvendëson me Ekuban dhe të kuqtë bëhen agresivë në sulm. Asani rrezikon me një dalje në krahun e djathtë, ndërsa minutat e fundit janë përpjekje të dëshpëruar­a për të gjetur barazimin. Edhe Karabaku trembet jo pak, derisa vijnë shtesat, ku administro­n lojën dhe e godet për herë të dytë Partizanin me të sapofuturi­n Kuintana.

 ??  ?? Foto nga ndeshja Karabak- Partizani
Foto nga ndeshja Karabak- Partizani

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania