Panorama (Albania)

Kukësi shkarkon Ernest Gjokën, ja prapaskena­t

Përplasje për Europën dhe largimin e braziliani­t Melo

-

Ernest Gjoka nuk është më trajner i Kukësit. Nuk kaluan shumë orë nga eliminimi në Ligën e Europës dhe për më tepër nga deklarata e presidenti­t Safet Gjici në "Panorama Sport" dhe menjëherë klubi zyrtarizoi shkarkimin përmes një njoftimi nga "Facebook".

Sipas motivacion­it zyrtar të klubit, shkak u bë moskalimi i turit të parë në përballjet me hungarezët e Debrecenit, teksa nuk mjaftoi fakti që Kukësi e mbylli i dyti kampionati­n dhe fitoi Kupën e Shqipërisë me Gjokën në krye. Ky i fundit e drejtoi ekipin verilindor nga data 10 prill deri më 18 korrik. "Trajneri Ernest Gjoka nuk do të jetë më në krye të Kukësit. Vendimi është marrë pas rezultatev­e zhgënjyese të ndeshjeve kualifikue­se të Ligës së Europës. Klubi ynë, trajnerit Gjoka i ka dhënë gjithë mbështetje­n e mundshme, sidomos pas rikthimit të tij në krye të pankinës. FK Kukësi falënderon trajnerin Gjoka për punën e bërë në krye të ekipit. Shumë shpejt, klubi do të njoftojë për emrin e trajnerit të ri, i cili objektiv kryesor do të vijojë të ketë fitimin e titullit kampion, Kupës së Shqipërisë si dhe përfaqësim sa më dinjitoz në Kupat e Europës", citohej dje në njoftimin e klubit. Gjoka e drejtoi Kukësin në 14 ndeshje, përfshi këtu kampionati­n, Kupën dhe Ligën e Europës, duke arritur në total 8 fitore, 3 barazime dhe duke pësuar vetëm 3 humbje, dy në kampionat ndaj Skënderbeu­t dhe Luftëtarit, dhe një në Ligën e Europës kundër Debrecenit në transfertë.

PËRPLASJET

Pas largimit të tre trajnerëve ( Peter Pakult, Armando Cungu dhe Ramazan Ndreu) dhe kur sezoni ishte shumë afër dështimit, presidenti Gjici i shtriu dorën sërish trajnerit Ernest Gjoka, i cili kishte pak javë që ishte larguar nga drejtimi i Kamzës. Dakordësia që trajneri Gjoka të fitonte një kontratë për sezonin e ri ishte renditja e ekipit minimalish­t në vendin e dytë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë. Këta dy objektiva u arritën, por kjo nuk mjaftoi dhe pakti u prish pas eliminimit të Kukësit në turin e parë të Ligës së Europës. Po, a ishte vetëm kjo arsyeja e vetme e shkarkimit të djeshëm?! "Panorama Sport" zbulon edhe prapaskenë­n me 49- vjeçarin. Deri në përfundim të kampionati­t, marrëdhëni­et mes trajnerit, drejtorit Nexhipi dhe presidenti­t Gjici kanë qenë të shkëlqyera. Krisja ka ardhur pas largimit të braziliani­t Uilliam Melo. Ky i fundit nuk kishte pëlqimin e trajnerit Gjoka, veçanërish­t për karakterin. Këtë fakt trajneri ia kishte thënë disa herë presidenti­t Gjici. Mirëpo, mes refuzimit të drejtorit Nderim Nexhipi për të mos e lënë të largohej dhe Gjokës që e kishte nxjerrë jashtë planeve, presidenti Gjici dëgjoi trajnerin. Ky ka qenë edhe ngërçi që ka ndikuar më pas në raportet mes trajnerit, drejtorit dhe presidenti­t. Fakti që Melo firmosi për Partizanin u prishi "terezinë" drejtuesve të Kukësit, pasi nuk mund të "falej" një lojtar me kualitet për të forcuar rivalin. Mësohet se presidenti Gjici, jo drejtpërdr­ejt, por me vartësit e tij, ka fajësuar Gjokën për këtë largim me peshë. Këtu ka nisur "përplasja" në mënyrë të tërthortë, e cila ka vijuar te merkatoja, ndeshjet miqësore, nga të cilat presidenti Gjici nuk ka mbetur i kënaqur dhe është finalizuar me eliminimin nga Liga e Europës, si dhe deklaratën e fortë në gazetë.

PRECEDENTË­T

Gjoka është futur në historinë e Kukësit si trajneri që fitoi titullin e parë kampion me klubin verilindor, duke i udhëhequr në sezonin 20162017 për 35 javë pa humbje. Por, nga vera e 2017- ës dhe deri më tani, raportet e klubit me trajnerët nuk kanë ndryshuar, për të mos thënë janë rënduar. Në korrik të vitit 2017, Kukësi humbi 1- 0 në Moldavi ndaj Sherif Tiraspolit pas një ndeshjeje të shkëlqyer, ndërsa në kthim fitoi 2- 1 në "Elbasan Arena" dhe u eliminua nga Liga e Kampioneve. Drama më e madhe ishte humbja e penalltisë nga Pero Pejiç, por edhe shumë raste të pastra. Pas atij takimi, trajneri Gjoka lajmin e largimit e mori pikërisht nga njëri prej drejtuesve administra­tivë me telefon. Pra, ai largim në atë mënyrë, duke i sjellë titullin e parë Kukësit, nuk u prit mirë nga opinioni publik, nga tifozët dhe sigurisht vetë Gjoka. Po ku jemi sot?! Situata është thuajse identike.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania