Panorama (Albania)

Ia dolëm të kemi dhe Akademinë e Shkencave që duam

- AGRON GJEKMARKAJ

Projekti më i ndershëm i Edi Ramës dukej ai që pat shpallur dikur plot nerv e nxitim për t’i vënë drynin Akademisë së Shkencave. Por dyshimet e shumta që u hodhën poshtë e përpjetë se mos e bënte këtë për ta shndërruar shtëpinë e mbretit Zog bujtinë ose akçihane, ia ndalën dorën dhe ai sikur po mendohej për reformimin e saj. Akademikët, të cilët shumë shpresa e mejtime patën tjerrur rreth Edi Ramës, u zemërthyen, ndonjërit desh i ra plasja. Plot ëndrra ishin ata në vjeshtën e vitit 2013. E mendonin atë dimër që po hynte ndanë vatrës, ku flakë e prushit ndrinte, teksa Rilindësi i ri i shtinte dru zjarrit, u piqte gështenja, u hidhte ndonjë putir kumel apo vere, në ndonjë rast velenxa supeve të motnuara e ata flisnin për pritmin e Shqipërisë, teksa djali mbante shënim. Por jo vetëm këtë s’e bëri, por i kërcënoi se do t’u hiqte koromanen.

Si kështu? - mërmërisni­n. Evlati tënë po na bën këtë?! Hapu dhe, ku je rrufe që nuk bie, luteshin me mjekrën që iu dridhej. Por Kryeminist­ri ynë, i cili është hokatar i madh, paskësh bërë shaka me baballarët e Atmes. I la të dergjen e të përpëliten ca vjet, që t’i gëzonte tani dhe ata ditët e pasme t’i kalonin plot shend. U dërgoi kryetar Skënder Ethem Gjinushin, më mirë ku do të gjenin?! Nga zonë e parë operative, i lidhur mish e shpirt me komunizmin pa vepër, fiks siç i ka hije kryetarllë­kut dhe akademizmë­s. As Enveri nuk do t’ua gjente zemrën kësisoj. Presidenti nuk e dekretoi, po punë e madhe, “ligjet tona do na ndalojnë ne të shkulim zakonet prapanike” dhe etërit mblidhen dhe Skëndon e njohin për kryetar pa fermanin e Ilir Metës. Në këtë vend, një deklaratë e Ermonelës vlen ku e ku më shumë se Kushtetuta! Tani vendos partia për të gjitha. Gojët e liga le të thonë se Akademia e Shkencave është një shaka ideologjik­e, me shërbëtor të diktaturës, që intelektua­lë si Aurel Plasari s’kanë çfarë bëjnë aty, me gjind pa vepër e pa asnjë ndikim në opinionin ndërkombët­ar po e po, por as në vendin tonë zulmëmadh, që mblidhen e bëjnë folklor, qoka e shpërblime njëri- tjetrit, që qenkëshin qesharake si shumë gjëra të tjera në këtë vend, por tani partia dhe biri i tyre me ligj ua çoi nderin në vend, që aman falë i kjoshim Zotit. Prof. Artan Fuga rreket t’iu bëjë krahasime, reformime, statute, t’u flasë për Avrupin dhe standardet europiane në shkencë. Kot e ka se nuk e thyen kurrë unitetin e çeliktë Akademi- parti- popull. Me këtë Akademi dhe Akademi vatani do të bënet, shkenca do mbrothëton­et, do të dalë në selamet krejt siç doli me Rilindjen dhe Edi Ramën. Së shpejti Akademia do këtë anëtaret e vet të rinj, Ulsiun, Blerinën, Klotildën, Ogertën dhe “Nepin”. Ia dolëm të kemi Akademinë që duam pas Shqipërisë që deshëm. Edi Rama i bën endrrat realitet dhe realitetin Akademi.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania