"Pakica që nuk njohin rrotacion, por vetëm PPP", zbardhet letra e Metës për Ruçin
Presidenti: Po rrëzohet sistemi
Presidenti Meta i ktheu dje përgjigje letrës së Kuvendit të Shqipërisë, dërguar më 19 korrik për dekretet. Në përgjigjen e tij ndaj kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit, Presidenti Meta nuk heziton të kërkojë ndihmën e tij që, siç thotë kreu i shtetit: “Të ndihmoni Kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish- komuniste, atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare proatlantike dhe proeuropiane e vendit tonë”. Pak pasi bëri publike letrën zyrtare që i është kthyer nga Presidenca si përgjigje Kuvendit të Shqipërisë, kreu i shtetit, Ilir Meta, ka sqaruar arsyen pse e bëri këtë. “E bëj publike këtë letër pasi çështjet e ngritura janë publike dhe natyrisht që kërkojnë zgjidhje të përgjegjshme nga të gjithë ne, gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe respektimit të ligjshmërisë në vend, në respekt të parimit të ndarjes dhe balancës të pushteteve, por edhe detyrimit të pashmangshëm për bashkëpunim ndërinstitucional vetëm në interes të vendit dhe qytetarëve tanë”, sqaron kreu i shtetit në një postim në rrjetet sociale. “Ndaj është koha tani e jo më vonë për t’i hequr pushtetin e paligjshëm kësaj pakice dhe për t’u rikthyer sovranitetin e marrë tinëzisht qytetarëve shqiptarë dhe rivendosur parlamentari zmin në Kuvendin e Shqipërisë. Vetëm kësaj pakice, që nuk njeh rotacion, por njeh vetëm PPP me të gjitha qeveritë, i intereson kjo krizë e përgjithshme që ka rrëzuar të gjithë sistemin e llogaridhënies në vend si në nivel qendror edhe vendor. Kjo nuk do të thotë se në Kuvend nuk ka deputetë të përgjegjshëm dhe të shqetësuar për çfarë po ndodh, ashtu siç dihet se kontributi i tyre është bërë dhe më i vështirë pas djegies në bllok të mandateve nga opozita, një akt për të cilin Kryetari i Kuvendit, zoti Ruçi, e di si askush tjetër mendimin tim, ashtu siç i di më mirë se kushdo përpjekjet e mia për rikthimin e saj në Kuvend në fillim të dhjetorit të kaluar”, thekson më tej sqarimi i Presidentit Meta.
Vetëm kësaj pakice, që nuk njeh rotacion, por njeh vetëm PPP me të gjitha qeveritë, i intereson kjo krizë e përgjithshme që ka rrëzuar të gjithë sistemin e llogaridhënies në vend si në nivel qendror edhe vendor.