I dogji makinën biznesmenit të mobilierisë, zbulohet nga kamerat
SARANDE – Një i ri nga Tepelena është arrestuar nga Policia e Sarandës si autori i djegies së makinës së një biznesmeni. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së premtes, ku makina tip “Range Rover” e Resul Memës u përfshi nga flakët. Autori i dyshuar, tashmë i arrestuar nga Policia, është i riu Ylli Kola, 25 vjeç, nga fshati Toç i Tepelenës. Mësohet se ai është identifikuar nga kamerat e sigurisë në momentin që bleu benzinën pranë një pikë karburanti, për të djegur më pas makinën e biznesmenit. “Specialistët e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, pas hetimeve të kryera në lidhje me djegien e automjetit ‘ Range Rover’ në Lagjen nr. 4, më datë 02.08.2019, kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, shtetasin Y. K., 25 vjeç, banues në fshatin Toç, Tepelenë. 25- vjeçari nga Tepelena dyshohet se për motive të dobëta i ka vënë zjarrin me lëndë djegëse automjetit në pronësi të shtetasit Q. Gj.”, bëhet e ditur nga Policia. Ende nuk dihet shkaku, por dyshohet që 25- vjeçari të ketë qenë i paguar nga dikush tjetër për të kryer veprën e djegies së mjetit të pronarit të prodhimit të mobilieve në Sarandë. Burime konfidenciale bëjnë me fije se 25- vjeçari Ylli Kola njihet si person me precedentë të mëparshëm penalë. Vetë i riu gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e Policisë ka mohuar që të jetë ai autori i zjarrvënies. Kola është shprehur se benzinën e ka blerë për një motor që kishte në përdorim. Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ndërkohë që po punohet për të siguruar prova të tjera për të dëshmuar autorësinë e 25- vjeçarit në këtë ngjarje, pasi ai ka lënë dhe bidonin me të cilin bleu benzinë në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, Policia ka sekuestruar dhe kamerat e sigurisë, ku tregohet momenti i zjarrvënies në automjetin e biznesmenit, por fushëpamja nuk lejon identifikimin e autorit. Zyrtarisht, makina rezulton e regjistruar me emrin Qirjako Gjini, 50 vjeç, pasi këtë emër biznesmeni nga Saranda ka mbajtur gjatë kohës që ka qenë emigrant në Greqi. Në momentin e ngjarjes, makina ishte parkuar pranë stadiumit dhe nga flakët është djegur pjesërisht. sh. d