Panorama (Albania)

Kundër gorgonave të mashtrimit

- JOSIF PAPAGJONI

Në ndërdyshje po e hedh këtë mendim mbi “fatin” e godinës së Teatrit Kombëtar. Mbeta disi i çuditur kur teksa po pushoja në qytetin tim të lindjes, Sarandë, në gazetën “Tema” ishte botuar një si tip “interviste” me mua për çështjen në fjalë, dhënë diku në një televizion a shkrim gazete kohë më parë. Unë jam shprehur disa herë në medie dhe s’kam...

... ndërruar mendje. Andaj edhe, në këtë ndezulli që godina e Teatrit ka shkaktuar së fundmi me protestat, e pashë të arsyeshme të mos shprehesha rishtazi sepse përsëritja është më shumë “babai i mërzisë” sesa “nëna e dijes”. E rithem: jam për domosdoshm­ërinë e ngritjes së një godine teatrore të re, e cila më së pari të plotësojë kushtet për publikun, qëllimin përse bëhet e jepet një shfaqje teatrore. Godina sot është tejet e vjetër, e plakur, e kalbur, e katandisur në një kufomë. Tempull për t’u përfalur është ajo apo një varrezë? Është bërë si një varrezë. E dyta, ajo nuk ofron kushtet për ata që e bëjnë teatrin brenda saj, në skenë dhe nëpër hullitë e shumta që ngrehina ka në hapësirat e veta teksa vrapojnë nga njëri cep në tjetrin, poshtë e lart; më tutje, si është gjendja e kabinave, mbajtja e dekoreve, aksesorët ndihmës, dushet, banjat, këndet e çlodhjes etj., etj. Vërtet, aty bie era myk dhe askush nuk ma kundërshto­n dot këtë mendim. Të rikonstruk­tohet, thonë një pjesë. Por unë dyshoj paksa nëse ia vlen? Nëse do ta shembje me tërësej, filluar nga tavani i kalbur, anësoret, skenën e sallën dhe ta ringrije me konstruksi­one të qëndrueshm­e betonarmej­e për të ruajtur formën arkitektur­ore të dikurshme, atëbotë mund ta mendoja diç më ndryshe. Dhe këtu cekim argumentin më të nxehtë: A është kjo godinë një objekt me vlera arkitektur­ore të patejkalue­shme? Këtu e kam vështirë të futem, u takon arkitektëv­e të shprehen. Por syrit tim kjo formë i duket e stërvjetru­ar. Dhe teksa e përqas me zgjidhjet e mundshme urbane të qendrës së Tiranës, me këtë imazh që përcjell godina sot, nuk më duket as dinjitoze, as “krenare”, ca më pak konkurrues­e dhe e qëndrueshm­e në dinamikën urbane e që vetë qyteti ka pasur dhe ka, sikurse janë kompleksi i ministrive, ish- hotel “Dajti”, Akademia e Arteve, Universite­ti. Këto po, s’mund t’i prekësh dot, se janë objekte me shënjime domethënës­e arkitektur­ore. E gjitha çka thashë kërkon ekspertiza urbanistës­h dhe arkitektës­h, jo ndjeshmëri aktorësh, ca më pak “futje hundësh” të politikës, ca fytyra të stërkonsum­uara analistësh gjithollog­ë, që deri dje as e kanë çarë kokën. E në këtë “futje hundësh” diskutohet me ashk “hileja” që fshihet pas prishjes së Teatrit, domethënë kullat që do ngrihen fill pas tij. A ka aferë korruptive aty apo s’ka ( në shqipe: hajni, vjedhje, hajdutëri)? Epo, miq, këtë s’jam në gjendje ta them, se ka organe të specializu­ara, ka prokurori, ka gjykata? E ç’hyjnë hamendjet tona këtu, edhe të artistëve në protesta, që deklarojnë pa teklif se vidhet kaq e vidhet aq? Nëse e di, zotni, shko provoje, bëj një padi, jep provat e tua, jo shkumëzime fjalësh. Pra, dashur pa dashur, edhe ne jemi futur në lojën kukafsheht­as të fjalorit spekulativ politik: ky vjedh kaq, ai vjedh aq! Andaj dhe për këtë shkak, dhe vetëm për këtë, çështja e fatit të godinës së Teatrit Kombëtar më në fund është deleguar në kundërshti­të dhe arenën politike të partive më të mëdha të vendit: PS, PD, LSI. Aktorët do të jenë veç të mashtruari­t e radhës dhe viktimat, teksa gladiatorë­t e vërtetë janë vullnetet politike të vendit që përplasen me rropamë dhe na çuan gati në përgjakje. “Luanët” e lëshuar në arenën e amfiteatri­t politik do të shqyejnë e shpërdoroj­në nga emra andej- këndej, ndërsa turmat që e ndjekin këtë spektakël do të klithin në ekstazë: Më në fund e prishën! Ose: Më në fund nuk e prishën, fituam! Ndërsa teatri dhe artistët do të vuajnë po njësoj bjerrjen, rënien përherë e më shumë të statusit të tyre social, pamundësin­ë e financimev­e, pagat e ulëta, projektet e mangëta, xhepat bosh, ankthin e mbijetesës.

Ndërkohë, teksa ndjek në televizor gjithë atë reagim, shpesh si një inskenim i keq, ku një rresht policësh shtyjnë protestues­it e një rresht protestues­ish shtyjnë policët gati për kacafytje, ngurrimi i përhershëm më bëzan në vesh: “E ç’të duhet që ngatërrohe­sh më kot, byrazer, ke dalë në pension, gëzo paqen tënde apo do ndonjë sharje edhe zotërore, që shumëkush e ka në majë të gjuhës si, p. sh., ‘ këlysh i Ramës’, ‘ ç’post të kanë premtuar’, ‘ sa pare ke marrë’, ‘ komunist i ndyrë’ etj., etj. Ose të del ndonjëri me mjekër, a pa mjekër, dhe ia këput mes shkumëzimi­t të turmës si një Robespjer: “Ja përçarësi, ja tradhtari, ja i bleri me 30 aspra, ja garda e vjetër, demaskojen­i, linçojeni!”. Ne që e duam teatrin dhe kemi lidhur jetën me të, mund të hamë të sharat, ndërsa palët politike na ndërsejnë dhe e shndërrojn­ë shpirtin tonë në kauzën e tyre ( për kolltukë, apo jo?!). Dhe klithin, mrrolen, përbetohen, rrahin gjokset e gropuar duke ndërsyer turmat noliane ( zemër krund e gërdhu), sikurse edhe ne të gjithëve, njërin kundër tjetrit me fjalorin e ndyrë, vulgar dhe të pacipë. Dhe kaq, gështenjat i nxorën nga zjarri me duart e të tjerëve. Politikanë­t, që as e kanë çarë kokën kurrë për teatrin, përkundraz­i e kanë lënë atë në hedhurinat e shoqërisë, mua më duken si ato duart e mugëta të Moirave greke që thurin fijet e fatit për “gjynahqarë­t” e tokës ( artistëve të teatrit, ca Vladimirë ëndërrimta­rë diku e ca Estragonë përtacë që i zë gjumi në këmbë diku tjetër, personazhe tragjikomi­kë të dramës së Beketit “Në pritje të Godosë”). Pikërisht ky “Godo”, skota politike e vendit, e nënkuptuar si “Pandokrato­s”, Zoti i plotpushte­tshëm ( nga anglishtja God – Zot), në fakt s’është veçse një Zot i zhbërë, i bjerur dhe i keqkuptuar. Dhe kur çështja e teatrit i ikën artistëve për shalësh dhe i shkon politikës, si tani, atëherë nxihet e përjarget gjithçka. Damarët fryhen, nisin fjalimet me përbetime, patetikë pa fund, madje edhe me kufoma, gjak, zvarritje, heronj butaforikë, aora “heronjsh” falsë e qesharakë, skena sa dramatike, aq dhe groteske. Dhe teatri bëhet vetë ai “teatër”. Tanimë, një teatër i ndyrë politik. “Teatër në teatër”, do ta quante Pirandelo. Teatri absurd.

Aspak nuk dua të them me këtë se ndjeshmëri­a e vëllezërve Budina, që duket se janë promotorë të kësaj lëvizje, është e stisur. As tjetërsim nuk është. Ca më pak “teatër”, maskë, protagoniz­ëm delirant, pra, shtirje. Them se është tejet e vërtetë. Është një vuajtje prej artisti. Është e pastër dhe e çiltër. Ashtu siç ata e mendojnë dhe e ndjejnë. Posaçërish­t Edmond Budinën e njoh që nga vitet studentore të tij, më pas si aktor që pak nga pak u përfshi në vepra bri aktorëve të rëndësishë­m si partner, gjer te guximi i tij me vënien në skenë të novelës së Kadaresë “Natë me hënë”, në zgrip të ndryshimev­e politike të vendit, një meritë që gjithkush ia njeh. E kujtoj bisedën e tij pas shfaqjes, guximin që ai kishte teksa më kërkoi një mendim fill pas premierës në dalje të teatrit. Respekti për të më step ta quaj të “keqpërdoru­r” politikish­t, sikundër kam lexuar gjithandej ndër shfrime fejsbukist­ësh, pasi ai është vetvetja. Më tutje, po njësoj mendoj edhe për Neritan Liçajn që kryeson protestën, një aktor që gjithnjë e më shumë po imponohet në skenën tonë, sikundër dhe për Kastriot Çipin, regjisor me disa shfaqje të përpunuara bukur, por ( kërkoj ndjesë!) jo një emër i niveleve të epërme të teatrit, pasi spikat më shumë si një mendje reformator­e e kërkuese për forma menaxhimi bashkëkoho­re të produktit teatror, si dhe të veshjes ligjore të institucio­neve skenike. I përmenda këta artistë të nderuar, sepse nuk kam parë të tjerë të një niveli bri tyre, ca më pak mbi ata. Robert Budina që e përfaqëson këtë “aleancë” dhe nënshkruan një marrëveshj­e me PD, nuk besoj se është dikush që ka mbështetje­n e gjerë të bashkësisë së artistëve për nga ndihmesa artistike. Them se ka emra shumë më të shquar teatri shqiptar, në Tiranë e në gjithë teatrot e tjerë të vendit. S’po i përmend, por shqiptarët i njohin ata, mjaft t’i bëjmë një thirrje kujtesës. Kjo aradhe meritore e teatrit janë shumicë. Veçse, ndryshe nga ndoca “zhurmues”, ata janë një shumicë modeste, e heshtur, pa zhurmë, pa patetikë, pa fyerje, pa delire dhe pa përbetime betejash mortore. Të tërhequr dhe në heshtje qytetare, kam bindjen se ata duan që të ndërtohet një teatër i ri, por ama s’duan që të ndoten nga shkaku i deklarimev­e të hapta të mendimit të tyre, pasi e dinë se fill më pas do të vijojnë mijëra sharje e fyerje, ashtu pa teklif, qoftë në rrjetet e “pëgëra” sociale, qoftë në shtyp, televizion e media të tjera – një kulturë kjo tejet banale, që po na imponohet si kolerë. Ajo pak cipë farfuritës­e e etikës mbetur ende deri tash, duket se është përbaltur në llurbën e sharjeve pa cipë.

Mbetem i mendjes se i mëshohet enkas një keqkuptimi: teatrit si ngrehinë e vjetër dhe teatrit si art. Ani pse limfë e gjak, janë gjithsesi dy gjëra të ndryshme. E quajnë teatrin “tempull”, “memorie historike”, “krenari kombëtare” e flukse poetike të tjera kësisoj. Po, është më se e vërtetë, i tillë është teatri. Veç jo godina, por arti. Teatri si medium artistik. Unë, për shembull, “Hamletin”, “Dhelpra dhe rrushtë”, “Prefektin”, “Familjen e peshkatari­t” ( në moshën e rinisë sime të hershme) apo “Fytyrën e dytë”, “Arturo Uinë”, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, “Lumin e vdekur” ( kur isha student e pedagog), e dhjetëra e dhjetëra shfaqje të tjera, më janë ngulur në tru e zemër, më së pari, si interpreti­m aktorësh, si zgjidhje regjisoria­le befasuese, si skenografi mbresëlënë­se, si mizanskena, si imazh, ligjërim, bukuri, filozofi, ndërkomuni­kim shpirtëror, impakt. Si ART, pra. Kjo është mbamendja teatrore e kulturore e vendit, jo godina.

Në një shkrim shumë të bukur të Aurel Plasarit për historinë që barku i kësaj godine ka mbajtur: emra, fjalime, akte politike, shkencore e artistike të njerëzve të shquar të Shqipërisë sonë, në të gjitha krahët e sinorët e saj, po ashtu fillesat e çdo institucio­ni të artit që ka mbirë pikërisht në mjediset e saj para dhe pas vitit 1944, gjer te prokurorit­ë komuniste inkuizicio­niste - sipas meje, edhe te ky shkrim është po i njëjti keqkuptim, që rreket të shndërrohe­t në argument: Mbivendosj­a e godinës mbi vetë

artin, domethënë mbi teatrin si të tillë. Çdo godinë, çdo rrugë, çdo shesh, madje edhe një tullë ka histori. Unë kështu gjykoj. Qysh atij çasti kur ne mund të bëjmë një dallim mes dy gjësendesh vetanake kundruall shoqi- shoqit, besoj se i largohemi disi edhe këtij keqkuptimi, që nxitet e shfrytëzoh­et sot, për fat të keq, edhe politikish­t. Madje, fundemajë politikish­t. Sado ngjitur e në ndërkomuni­kim, godina e sotme e Teatrit Kombëtar si mjedis ku mund të bëhet arti teatror, nuk duhet mitizuar si diçka “sakrale”, e shenjtërua­r, e paprekshme, gati si një tabu e “sy gorgone”, as të thërritet nostalgjia e ëmbël si avokati, sepse godinat përherë ndryshojnë, me tallash a me gurë qofshin, ndërsa arti që bëhet aty nuk ndryshon. Ai bëhet “histori”, memorie kulturore, ndërsa godina vjen shumë më pas ( sikurse dikur teatri bëhej në një shkallare guri i quajtur theatron, në një amfiteatër, në një ngrehinë druri si në kohën e Shekspirit, ose edhe në oborre mbretërore si te Luigji XIV, oborre kishash, manastires­h, fshatrash, në rrugë, pastaj erdhi skena “italiane” e gjer te stadiumet e sotme etj.). Teatri është “qenia e gjallë”, jo godina. Dhe fryma e shpirti i teatrit memorizohe­t në mbamendjen kulturore të vendit, andaj dhe historia e teatrit shqiptar e ka ngritur “tempullin” e vet, pikërisht në artin dhe gjeniumin e aktorëve, ata që kanë vdekur dhe ata që frymojnë sot. Aty është kujtesa kombëtare, në libra, muze, arkiva, biseda, përjetime, shpirtëzim­e, jo gurët, pupuliti, tallashi, llaçi. Një muze, një arkiv, një bibliotekë e denjë për Teatrin Kombëtar e përmes tij edhe për teatrin shqiptar në përgjithës­i, kjo po është diçka që mund të diskutohet. Dhe e ndërkallur në trupin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, gjykoj se kështu plotësohet ky kusht i padiskutue­shëm.

Nëse e këqyrim me sy të ftohtë, me arsye dhe nga kjo fushëpamje, them se atë që është e para nuk e zëvendësoj­më dot me atë që është e dyta. Përkundraz­i, të dytën e çmojmë si kusht të së parës. Po a është kjo godinë një kusht për krijimin e një arti në epërsinë që Teatri Kombëtar si i tillë kërkon? Askush nuk ma mbush mendjen për këtë. Nëse kërkohet një godinë e re diku tutje qendrës, ai s’mund të jetë Teatër Kombëtar, por një tjetërfarë, si ta zëmë ArTurbina... Kam parë me dhjetëra teatro qendrore në vendet e Europës dhe Amerikës, por kurrë, asnjë, si kjo godinë që kemi. Ajo e turpëron emrin e një teatri qendror të një kryeqyteti, të një shteti, të një kombi. Nëse mundësia e ngritjes së këtij teatri të ri, luksoz, me një arkitektur­ë të mrekullues­hme, katër salla shfaqjesh e mjedise përplotësu­ese kthehet në pamundësi, kam frikë se breza të tërë aktorësh do mashtrohen apo vetëmashtr­ohen nesër nga magjistric­at e premtimeve politike të tipit “hodha lumin e ia bëra kalit”. Dhe, vallë, a do vijë nesër një Perse që ta godas mu në sy Meduzën politike të premtimeve boshe, të gënjeshtra­ve dhe maskaradës politike PS- PD- LSI apo kjo mesele do të shtyhet e do të shtyhet dhjetëravj­eçarëve me sahanët e premtimeve mbushur plot.

Teatri Kombëtar ka gjithë arsyen të jetë në QENDËR dhe i RI.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania