Dritat, dokumentet për të përfituar kompensim
Janë 15 milionë dollarë, që ISSH ndan në vit në formë rimbursimi pas heqjes së fashës. Pensionistët që marrin 1288 lekë çdo muaj
Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron skemën e përfitimit nga kompensimi i energjisë elektrike. Fondi 15 milionë USD, si merret shtesa 1288 lekë/ muaj
Më shumë se 130 mijë pensionistë në të gjithë vendin janë pjesë e skemës së rimbursimit të dritave.
Një shifër kjo, që sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ka ardhur në rritje vit pas viti. Nga të dhënat e këtij institucioni rezulton që çdo vit dalin nga arka 15 milionë dollarë, të cilat shkojnë për të mbuluar efektet e kësaj skeme që ka nisur të aplikohet që nga viti 2015, kohë kur qeveria hoqi fashën për konsumimin deri në 300 kilovatë orë. Por për shkak të kostos së lartë që shkakton në buxhet, është fshirë mundësia për zgjerim të kategorive përfituesve.
RIMBURSIMI Janë 648 lekë, që pensionistët kryefamiljarë marrin çdo muaj në formë rimbursimi për dritat pas heqjes së fashës. Por ky nuk është i vetmi përfitim. Në total, vlera e kompensimit për pensionistët shkon 1288 lekë në muaj, kjo pasi ndër vite janë miratuar disa vendime për kompensimin e energjisë elektrike. Mbi bazën e vendimit të parë aplikohet shtesa prej 500 lekësh, me vendimin e dytë 140 lekë dhe mbi bazën e vendimit të fundit aplikohet shtesa prej 648 lekësh, duke e çuar në total 1288 lekë masën e përfitimit për pensionistët. Por ky përfitim është edhe më i lartë për pensionistët, që kanë dalë në pension para 2015- ës, për të cilët aplikohet edhe një kompensim tjetër me vlerë 350 lekë, duke e çuar në 1988 lekë vlerën e rimbursimit. ISSH- ja bën me dije se për të përfituar shtesën pensionistët duhet të aplikojnë pranë drejtorive rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Veç formularit, ata duhet të dorëzojnë një fotokopje të kartës së identitetit, kopje e kontratës me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë në emrin e vet, kopje e librezës ose faturës së likuiduar që vërteton që e paguajnë energjinë e konsumuar, si edhe certifikatë familjare për të vërtetuar që janë kryefamiljarë të vetëm ose kanë persona të tjerë të familjes në moshë pune. Për aplikimet afati është i limituar, çka do të thotë se pensionistët mund të paraqiten në çdo kohë për të dorëzuar dosjen me dokumentet që kërkohen. Gazeta boton sot formularin e aplikimit, për ata të cilët dalin rishtazi në pension dhe plotësojnë kushtet për të përfituar.
KUSHTET Për të përfituar kompensimin e dritave, duhet që pensionisti të jetë kryefamiljar, të jetë i vetëm ose pjesëtarët e tjerë të familjes të jenë pensionistë ( bashkëshorti/ ja) ose të jenë të papunë punëkërkues. Pra, duhet që të mos ketë asnjë person në punë. Për këtë duhet të paraqesë certifikatën familjare ku janë të shënuar pjesëtarët e familjes. Në rastin kur janë dy pensionistë, pra, burrë e grua, kompensimin e përfiton vetëm njëri prej tyre. Kjo, pasi dokumenti tjetër që duhet është libreza e dritave në emër të aplikuesit për të marrë kompensimin. Por edhe nëse përfituesi plotëson kriteret, kompensimi nuk përfitohet nëse nuk ka konsum të energjisë elektrike dhe paguhet vetëm tarifa fikse e shërbimit.
FONDI Janë më shumë se 10 milionë lekë të rinj, që ndahen çdo muaj nga ISSH- ja për të mbuluar efektet financiare që sjell skema e kompensimit të dritave te pensionistët. Ndërkohë që, çdo vit nga arka e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dalin rreth 15 milionë dollarë për rimbursimin e kësaj kategorie, pa përfshirë këtu kategoritë e tjera, që po ashtu janë pjesë e skemës së rimbursimit. Së fundmi, në radhët e përfituesve janë përfshirë edhe pensionistët në fshat dhe të gjithë ata që trajtohen me pension social. Nisur nga kostoja e lartë që rëndon në buxhet, nuk parashikohet zgjerim i mëtejshëm i kategorive përfituese. Skema për kompensimin e dritave ka nisur të aplikohet që prej vitit 2015, atëherë kur qeveria vendosi të heqë fashën për konsumimin deri në 300 kilovatë orë. Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike u pasua nga vendimi i rimbursimit të kategorive në nevojë, përfshirë këtu edhe pensionistët që zënë edhe peshën më të madhe në skemë.