Topalli sulmon Bashën: Shkodrën ia le Valdrinit
Reagon PD: E promovove ti Valdrinin në poste drejtuese
Ish- nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, reagoi dje pas rastit "Pjetri", duke akuzuar kreun demokrat, Lulzim Basha, se ia la Shkodrën të lirë socialistëve duke mos marrë pjesë në zgjedhje. "Koha vetëm po konfirmon atë që unë besoj dhe kam përsëritur vazhdimisht, se Edi Rama dhe Lulzim Basha mbajnë reciprokisht njëri- tjetrin, dhe ndajnë interesa të mëdha mes tyre. Edi Rama e çoi Valdrinin në Shkodër, por mandatin për Kryetar Bashkie të Shkodrës ia dhe ti, Lul, me bojkotin e zgjedhjeve. Po të kishte një kandidat të djathtë, Valdrini as në ëndërr nuk shihte karrigen e Kryetarit të Bashkisë. Ti e fyeve Shkodrën njëlloj si Rama. Mbi të gjitha, je tepër i vonuar në luftën kundër krimit. Në Shkodër, qytetarët prej disa muajsh, tregojnë për dyshimet e thella të së kaluarës të komprometuar të Valdrinit. Por ti për muaj nuk fole. Ashtu siç nuk fole për vite për Mark Frrokun e kompaninë e tij. Ti, Lul, nuk mbulon dot shpartallimin që i bëre PD- së me vendimet tuaja personale antidemokratike, që i more vetëm për të mbrojtur karrigen tënde. Po të mos ishte Lulzim Basha, sot Shkodra e shumë bashki të tjera nuk do binin në duart e PS- së e krimit", shprehet zonja Topalli. Sipas saj, djegia e mandateve ishte goditja më e madhe për opozitën. "Djegia e mandateve nga LB ishte një kambanë e fortë për ata që kanë minimumin e përgjegjësisë mbi rrezikun që sjell papërgjegjësia e një njeriu, që nuk e vret ndërgjegjja për asgjë. Në vitin 1946, i pushkatuan deputet e opozitës, por mandatet nuk i tradhtuan", shkruan zonja Topalli. I menjëhershëm ka qenë reagimi nga Partia Demokratike e Shkodrës, që i kujton ishnënkryetares së PD- së se ka qenë ajo që e ka emëruar Valdrin Pjetrin në poste drejtuese, gjatë qeverisjes së PD- së. "Sa herë Rama është në pozitë të vështirë, shfaqet Jozefina Topalli duke sulmuar demokratët dhe kryetarin Basha! Rastësi apo shërbim ndaj Ramës, këtë e gjykojnë vetë qytetarët e Shkodrës dhe të Shqipërisë! Çudia është se s'kishte asnjë fjalë për Valdrinin, si trafikant i dënuar droge! Asnjë fjalë për Ramën që përdhosi dinjitetin e qytetarëve të Shkodrës me kandidatin e dënuar për trafik droge! Me gjasa është kujtuar, që duke injoruar kontributin e çdo demokrati të ndershëm, gjatë kohës që qeveriste PD- ja, për hatër të Luigjit, babait të Valdrinit dhe mikut të saj, e promovoje Valdrinin në poste drejtuese, edhe pse pa asnjë kontribut në Partinë Demokratike. Koha kur interesi i demokratëve nëpërkëmbej për interesa personale, ka marrë fund! Këtë duhet ta kuptojë edhe znj. Topalli!", thuhet në reagimin e PD- së Shkodër.