Panorama (Albania)

Gazetaria humb mjeshtrin e saj, dëshira e Baxhakut për t’iu rikthyer reportazhe­ve të tij

Fjalët e gazetarit në intervistë­n e fundit: Jam ndier më mirë, jo ku natyra ka qenë e bukur, por atje ku njerëzit kanë qenë të bukur

- ANILA DEDAJ

“Shpresat janë tek ata shpirtra të lirë, që duan të udhëtojnë e të rrëfejnë. Gazetaria s’është gjë tjetër veçse të tregosh.

Pra, është ideja njerëzore për të rrëfyer eksperienc­ën, ajo që na bën gazetarë”. Pak muaj më parë, teksa kishte mbledhur pranë vetes gazetarë të rinj e mjeshtër të zanatit për t’i rënë kambanës dhe të kujtonte nevojën për të mbajtur gjallë zhanrin e reportazhi­t, me dashamirës­inë e një njeriu me shpirt të madh, Fatos Baxhaku do ta rrëfente kështu mjeshtërin­ë e penës së shkruar. Të paktë ata që e dinin vuajtjen e sëmundjen e tij, që e ndau nga jeta pasditen e djeshme në moshën 55- vjeçare nga miq, kolegë, dashamirës e familjarët. “Prej disa kohësh, kolegu ynë i dashur përballej në heshtje sizifi me sëmundjen e rêndë, duke zgjedhur dhe preferuar që kapitullin e fundit të betejës fatale ta vijonte me heshtjen e vet fisnike të modestisë dhe larg zhurmës. Fatosi zgjodhi ta mbante për vete këtë ikje të parakohshm­e, duke i lënë në provën e vështirë të ikjes së parakohshm­e, të gjithë miqtë dhe kolegët e tij”, shkruan Unioni i Gazetarëve Shqiptarë për kolegun e tyre, duke e konsiderua­r si një ndër profesioni­stët e rrallë të gazetarisë bashkëkoho­re shqiptare. E vështirë për t’u besuar largimi i një prej zërave më të fuqishëm, që diti të flasë për vende e histori, duke shfletuar më parë shpirtra njerëzorë, plagët e gëzimet e tyre. Si rrallëkush, pas afro 3 dekadash rrëfim gazetaresk, fliste me kaq entuziazëm për punën e tij, me një mallëngjim që i lexohej, ndoshta nga pamundësia për të dhënë më shumë. “Edhe për të marrë”, do ndërhynte mjeshtri me siguri. “Kam përjetuar lodhjen duke u kënaqur. Asnjë punë nuk duhet marrë me siklet, për shembull të fillosh e të stresohesh se duhet të shkosh në mal. Në qoftë se brenda punës gjen kënaqësinë dhe për këtë duhet të kesh pak fat dhe këmbëngulj­e, atëherë sigurisht që do të dalë një punë e bukur. Sepse, atë kënaqësi që t’i ndien, atë përvojë të kënaqshme që ti ke, e reflekton mandej në atë që i përçon publikut”, rrëfente mjeshtri në intervistë­n e tij të fundit për median e shkruar.

E vështirë për t’u pranuar nga miqtë e tij, se gazetari që rrëfeu aspektin më njerëzor të gazetarisë nuk do të jetë më mes nesh. “Kur je larg, lajme të tilla të vijnë gjithnjë si të pamundura – sidomos për njerëz si Tos Baxhaku, pa të cilët s’e përfytyron dot Tiranën”, shkruan shkrimtari Ardian Vehbiu. E kujton përherë të rrethuar “nga shokë e miq pa hesap”, sepse Baxhaku ishte i tillë, dinte të gjente urën e komunikimi­t me këdo, pa bërë dallime, duke e njohur dhe pranuar tjetrin. “Më dukej sikur ashtu ishte mësuar të lumturohej – kish arritur cakun e urtësisë. Njeri fisnik, sytë i vezullonin inteligjen­cë, heshtja mençuri. Shkrimet ia gjeja gjithnjë një model për një gazetari të dëshiruar, por në rrezik zhdukjeje”, rrëfen Vehbiu.

Rrezikun për zbehjen e një rrëfimi të sinqertë gazetaresk e për lënien mënjanë të reportazhi­t e ndjente dhe vetë mjeshtri, i cili e shpjegonte kështu nevojën për të mbajtur gjallë këtë zhanër: “Jam i bindur se neve na duhet reportazhi. Kjo, sepse njerëzit janë qenie sociale, që kanë nevojë të dinë, por edhe të rrëfejnë. Duan të komunikojn­ë. Dhe mënyra më e mirë për të komunikuar me njerëzit është reportazhi”. Të rrëfyerit, sipas tij, ishte diçka që vinte së brendshmi, një dhunti e mbartur që prej fëmijërisë. Tabloja e talentit plotësohej nga ambienti ku rritesh, nga rrethi shoqëror e mbi të gjitha, nga leximi. “Reportazhi është shumë i lidhur me leximin: Me leximin e historisë, të librave të udhëtimeve, me gjeografin­ë. Mandej duhet të jesh një amator i udhëtimeve, jo të gjithë e kanë këtë dëshirë. Kështu që, ka disa veti që e dallojnë gazetarin e mirëfilltë, ku përfshihet edhe aftësia për t’u çuditur. Aftësia për të dalluar të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara. Po kështu, të qenit kurioz edhe kur je në një moshë të madhe. Jo çdo njeri i ka këto veti”, rrëfente mjeshtri në 13 mars të këtij viti, i ulur në pragun e një librarie, me cigaren e lënë mënjanë e me ton të qetë e dashamirës.

I sinqertë në rrëfimet e tij, ato gazetaresk­e e në bisedat e thjeshta. Siç tregon miku i tij, Bajram Peçi, me të cilin ka ndarë fragmente nga rrugëtimi në gazetari edhe jetë, Baxhaku nuk mund të ishte ndryshe, veçse gazetar i lirë dhe i pandikuar nga politika. Publicisti tregon se si Baxhaku përdori me intuitë dijet e tij, jo vetëm në shtypin e shkruar, por edhe për krijimin e një cikli të tërë dokumentar­ësh. “Dokumentar­ë, pas të cilëve shpalosen hapësirat e botës njerëzore e ato të natyrës shqiptare, nga Veriu në Jug. Fatosi kishte disa kohë ( vjetët e fundit) që punonte me një grup kineastësh, si Dritan Huqi, Xhosli, Dash Balla etj., që bashkëpuno­nin në përgatitje­n e një cikli dokumentar­ësh, si ‘ Lumenjtë’, ‘ Filatelia’, Paraja dhe numizmatik­a’, ‘ Nishanet e shtetit- Medaljet e Dekoratat’, ‘ Flamuri i Kombit’ etj., të cilat sot janë fond i vyer i TVSH- së. Të gjitha këto krijime kanë si skenarist Fatosin. Ato, si dokumentar­ë, përshkruhe­n historikis­ht me natyrën skrupuloze. I ndjeri ishte edhe shumë origjinal në skenarët që përgatiste. E vërteta dhe besueshmër­ia në krijimtari mbështetej prej tij në gjurmimin dhe dokumentim­in e përmbajtje­s së tyre. Ishte në kulmin e punës dhe krijimtari­së. Fati nuk deshi, iku, duke lënë në dëshpërim familjen dhe gjithë ne, shoqëria e tij. Na la të pikëlluar e të tronditur të gjithë ne që punuam me të”, shkruan ndër të tjera Peçi. Punët e Baxhakut janë të bukura dhe i rezistojnë kohës, sepse u bënë me zemër. E kishte të vështirë t’i veçonte. Buzëqeshte para një ngacmimi të tillë e përgjigjej plot fisnikëri: “Prindi i ka të gjithë fëmijët si gishtat e dorës. Por jam ndier më mirë, jo atje ku natyra ka qenë e bukur, por atje ku njerëzit kanë qenë të bukur”, do të rrëfente Baxhaku. “PËR T’U NJOHUR

MES VEDIT” Shqipërisë ia mësoi si rrallëkush të fshehtat, dhimbjet, copëzat e përjetuara të lumturisë. U ul me popullin gju më gju, sepse siç theksonte vetë Fatos Baxhaku: “Ne kemi nevojë për t’u njohur mes vedit”. Rrugëtimi i periferisë në qendër dhe e anasjella ishte thelbësore për të. “Kjo njohje është shumë e rëndësishm­e. Pra, duke parë që ndryshimet mes nesh janë në dialekt, në fe ndonjëherë, në nivel kulturor, në zanatet që bëjmë, shumë herë harrojmë se kemi më tepër gjëra që na lidhin sesa na ndajnë. Shqipëria do të ishte një vend shumë herë më i mbarë nëse ne do ta njihnim shumë mirë njëri- tjetrin. Pra, ky është edhe motivi, jo vetëm mediatik, jo vetëm i kënaqësisë që të jep reportazhi, por edhe i funksionit shoqëror”, tregonte mjeshtri. Vetëm katër muaj më parë, kur e pyesim se ç’reportazh mund t’i kishte mbetur i parealizua­r, ai u përgjigj: “Në të gjithë Shqipërinë i kam mbuluar të gjitha krahinat. Dua t’u rikthehem, sepse tani ka kaluar më shumë se 20 vjet që bëj këtë punë. Dhe njëherazi do të kisha dëshirë të shikoja ndryshimet. Dua të shikoj ata që kanë qenë fëmijë atëherë, t’i shikoj tani si prindër, pse jo. Kjo do të më intrigonte, që t’u rikthehesh­a ndryshimev­e në disa prej vendeve ku kam qenë. E di që janë të shumta, sepse në kohën tonë ka pasur shumë varfëri, mungesë transporti, mungesë shëndeti. Tanimë ka shumë gjëra që kanë ecur shumë përpara. Jo nga qeveritë, por nga dëshira e pamat e njerëzve për të ecur përpara”.

 ??  ?? Gazetari, publicisti dhe historiani Fatos Baxhaku
Gazetari, publicisti dhe historiani Fatos Baxhaku

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania