Panorama (Albania)

“Shënime për muzikantin”, sekretet e xhazit nga Kapidani: Pa rregulla, por me principe

Në diktaturë xhazi i ndaluar, por Gjon Kapidani kishte ruajtur partitura, i biri Markeliani: "U ndesha me to krejt rastësisht"

- ANILA DEDAJ

Në gjurmët e të atit, kompozitor­it shkodran Gjon Kapidani, që siç thotë, "i mësoi t'i kuptojë thellësish­t notat muzikore e mandej e la të lirë t'i përdorë sipas mënyrës së tij...", i biri muzikant, Markeliani, promovoi dje në ambientet e Akademisë së Shkencave vëllimin "Shënime për muzikantin", që shpalos te muzikantët e rinj sekretet e muzikës së improvizua­r.

Kompozitor­i kujdeset që edhe në këtë vëllim ta ruaj xhazin nga akademizmi i tepruar, pasi siç tregon, "kjo muzikë nuk lind në ambiente konservato­re, por në klube, e më pas zhvillohet duke u sofistikua­r". Për Kapidanin, xhazi është një muzikë progresist­e dhe e hapur, që siç thekson, "edhe pse nuk ka rregulla, ka principe". Mekanizmat e xhazit, sipas kompozitor­it, të mundësojnë të lundrosh me lehtësi në të tjera rryma e etni të ndryshme muzikore. "Pasi i përvetëson, mund të luash muzikën greke, atë shqiptare etj.", tregon Kapidani. Për t'ua bërë të lehtë muzikantëv­e të rinj zbërthimin e këtyre mekanizmav­e, ai sjell "Shënime për muzikën". E quan Shënime dhe jo Manual, librin e tij, për të shmangur grackën e akademizmi­t, që nuk i shkon për shtat zanafillës e zhvillimit të kësaj rryme. "Është një libër i shkruar nga një muzikant për muzikantët", shprehet Markeliani, ku ai i lehtëson kuptimin e shembujve që shtjellohe­n edhe përmes shkrimit muzikor. Për shpjegimin e temave të trajtuara, siç thotë, i vjen në ndihmë rrugëtimi i gjatë artistik, që nis me studimin 12vjeçar të pianos, vijon me studimet e larta për kompozicio­n e mandej lidhja me xhazin, fillimisht si autodidakt, e që do përfundont­e në një angazhim serioz. Koncerte brenda dhe jashtë vendit, që konkretizo­hen me disqet: Balkan Piano, Balkan Bop, Chimera Project etj. Mes këtyre eksperienc­ave, një nga më ta lakurat në vendin tonë është "Shkodra Jazz Festival". Ëndrra e një tjetër studenti të mjeshtrit Gjon, që u nis drejt Italisë më këshillat e partiturat e kompozitor­it, çohet para nga i vëllai, Florian Jaku, e kolegë të tij. "Është një Festival që lindi si ide e Rrokut, një tjetër muzikanti shqiptar shkodran që pati dëshirë ta realizonte këtë eveniment për qytetin e tij dhe Shqipërinë, por që për fat të keq u nda nga jeta në 2004- ën. Të gjithë miqtë e tij shprehën gatishmëri­në për ta përmbushur vullnetin e tij", u shpreh Floriani, i pranishëm në promovim. Kompozitor­i shkodran Gjon Kapidani, i ndarë nga jeta një dekadë më parë, ka lënë te studentët shenja të pashlyeshm­e, sekrete për të kuptuar thelbin e muzikës e për të shpënë te publiku më të mirën. Ndodhi kështu me Rrokun, që ishte duke krijuar një karrierë ndërkombët­are kur shumë pak e shkonin në mend se një shqiptar mund të çante jashtë përmes muzikës, me Markeliani­n të birin, që lakohet si "magjistari" i xhazit, e të tjerë studentë të tij. Mes tyre, etno/ muzikologj­ia, Mikaela Minga, e kujtoi dje edhe për kontributi­n e tij njerëzor, pasi përçoi tek ta vlera humane, që i japin edhe më shumë shpirt muzikës. "Ka qenë pikërisht profesori im, Gjoni, që më lidhi me Markon. Edhe pse këtë vit mbushen 10 vjet nga ndarja e tij fizike, unë ruaj të gjallë kujtimin e tij si pedagog, muzikant e mbi të gjitha njeri i mrekullues­hëm. Në njëfarë mënyre, ka qenë nga ata njerëz që e shikonin punën me studentit si një lloj bashkëpuni­mi mes brezave, ku secili përpiqej të zbulonte atë që ishte e pandryshue­shme e çka mund të evoluonte", u shpreh Minga.

GJON KAPIDANI DHE PARTITURAT E FSHEHURA TË XHAZIT

Ndërsa kompozitor­i Kapidani rrëfen të atin që ëndërronte të bënte xhaz, në një kohë që kjo ishte totalisht e ndaluar. Po ashtu, ai tregon se si një ditë zbuloi partiturat e fshehura të babait, ndërsa rrëmonte për të tjera. "Im atë ka pasur gjithmonë këtë dëshirë të fshehur përbrenda. Me kalimin e kohës, mblodhi partitura. Unë për herë të parë në jetën time mësova siglat e akordeve të muzikës xhaz përmes tyre. U ndesha me to krejt rastësisht, ndërsa po kërkoja të tjera partitura të muzikës klasike. Qenë ato që e prinë rrugën time drejt kësaj rryme".

Markeliani asokohe ishte vetëm 14 vjeç, por gëzimi i këtij zbulimi klandestin ishte aq i madh, saqë s'mund të mos e ndante me miqtë e tij muzikantë të ardhshëm. "Shokët e mi ishin ndër të tjerë Rrok Jaku dhe Shpëtim Saraçi. Unë ua kaloja atyre në mënyrë të fshehtë, dhe kur takoheshim, përfitonim edhe i luanim. Janë po ato partitura që Rroku mori me vete e që tani i ka vëllai Floriani. Ato, si të thuash, më dhanë shkarkimin e parë elektrik, që vazhdon më ndjek edhe sot në muzikën që bëj.

DEMOKRACIA DHE XHAZI: TË RINJTË KU JANË?

Kur sipari u ul dhe "shfaqja" e diktaturës mbaroi, efektet që "drama" la pas, ndiheshin ende. Vijojnë të ndihen edhe sot, aq sa shumëkush që ka mundur të njoh vlerat e vërteta të lirisë e ka të vështirë t'i gjejë në atë që mund të quhet demokraci e improvizua­r. E pohon këtë edhe kompozitor­i Markelian Kapidani, teksa rrëfen se edhe pse pas diktaturës nuk i duhej të luante më fshehtazi, vështirësi­të për të çarë rrugën nuk qenë të lehta për të. "Liria, demokracia e vërtetë, e cila ekziston në vendet perëndimor­e, bën të mundur çlirimin e mendjes nga mbeturinat, qe e pengojnë njeriun të ecë përpara. Kur unë u përpoqa të arrija një gjendje të tillë, mora së brendshmi shtysën për të aplikuar këtë lloj muzike, e cila ka principe, por jo rregulla strikte. Është e lirë, ka kushtetutë­n e vet, e mandej gjithsekus­h gjen lirinë e fjalës e të veprimit brenda kanuneve kryesore. E kam mësuar këtë kur kam dalë jashtë Shqipërisë. Por, nuk është se pas largimit shpëtova nga problemet. Vështirësi­të qenë aty, pasi m'u desh ta nisja nga zeroja".

Kapidani tregon se tanimë xhazi është pjesë e pandarë e ekzistencë­s së tij, siç thotë, "nuk mund ta mendoj jetën pa këto akorde që çdo ditë i ngjyrosin jetën". Ngarkesa që kjo muzikë i jep, e ndihmon të përballojë vështirësi­të dhe të shijojë siç duhet gëzimet dhe të bukurat e jetës.

"Im atë ka pasur gjithmonë këtë dëshirë të fshehur përbrenda. Me kalimin e kohës, mblodhi partitura. Unë për herë të parë në jetën time mësova siglat e akordeve të muzikës xhaz përmes tyre. U ndesha me to krejt rastësisht, ndërsa po kërkoja të tjera partitura të muzikës klasike. Qenë ato që e prinë rrugën time drejt kësaj rryme"

PROJEKTET E KOMPOZITOR­IT

Në vijimësi të angazhimev­e të tij muzikore, Markeliani rrëfen se aktualisht e presin dy projekte, njëri brenda vendit e tjetri trio jashtë. Edhe pse jeton në Zvicër, ku edhe luan muzikë, projektet e tij shtrihen dhe në vende të tjera. "Përpos se shkruaj muzikë vazhdimish­t, vera më gjen kryesisht me koncerte në Itali, Spanjë etj.", tregon kompozitor­i.

 ??  ??
 ??  ?? Kompozitor­i Markelian Kapidani
Kompozitor­i Markelian Kapidani

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania