Panorama (Albania)

Patrulla e Përgjithsh­me në Polici, shpallen 500 fituesit

Konkursi me shkrim u zhvillua në dy faza, publikohen rezultatet

-

Përfundoi mbrëmë testimi me shkrim i 2120 kandidatëv­e për kursin e Patrullës së Përgjithsh­me në Shkollën e Policisë, duke u shpallur edhe 500 fituesit.

Kësaj here, Policia e Shtetit nuk kishte përcaktuar limit pikësh për t'u kualifikua­r për në fazën e dytë të konkursit, që është testi fizik. Fitues u shpallën ata që kishin grumbullua­r më shumë pikë, sipas rendit zbritës. Duke u nisur nga eksperienc­at e viteve të kaluara, kur limiti për t'u shpallur fitues ishte grumbullim­i i 70 pikëve, nga 100 që përmbante testi, në listat e para që u publikuan nga Akademia e Sigurisë, rezultonte të ishin fitues vetëm 3 kandidatë. Por pasi u interesuam në Drejtorinë e Përgjithsh­me të Policisë, mësuam se këtë vit, nuk ishte përcaktuar prag dhe fitues u shpallën ata që kishin dhënë më shumë përgjigje të sakta, në testin me 100 pyetje. Nisur nga ky rregull i ri, pritet që përfundimi i tri fazave të konkursit të zgjasë më shumë se zakonisht. Pasi jo të gjithë nga 500 kandidatët fitues mund të kalojnë edhe fazën e dytë, testin fizik, pa llogaritur atë të tretë, që është kontrolli shëndetëso­r e psikologji­k. Në këto kushte, në rast se një nga fituesit e testit me shkrim ngel në testin fizik apo në fazën e fundit, në garë futet kandidati tjetër, sipas rendit zbritës në listën me pikë, që u publikua dje nga Akademia e Sigurisë.

TESTIMI Testimi me shkrim për 2120 të rinj që kanë aplikuar për t'u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, nisi dje më grumbullim­in para Pallatit të Kongreseve në orën 07: 30. Drejtori i Kolegjit Policor, Ylli Vasili, kishte shpjeguar një ditë para konkursit të gjitha procedurat e fazës së parë të testimit për Patrullë të Përgjithsh­me. Vasili tha se Policia e Shtetit, më datë 3 korrik, hapi aplikimet për 500 vende, për Patrullë të Përgjithsh­me. Thirrjes së Policisë për t'u bërë pjesë e saj iu përgjigjën 2120 të rinj e të reja nga gjithë vendi. Për t'u ardhur në ndihmë shumë atyre, të cilët nuk i përmbushni­n dot të gjitha kriteret deri në datën 3 gusht, Policia e shtyu afatin e aplikimeve deri më datën 15 gusht. Pas përfundimi­t të afatit të aplikimit, u bë verifikimi i dokumentac­ionit, u shpallën listat dhe u njoftuan të gjithë aplikantët për datën dhe vendin e zhvillimit të fazës së parë të konkurrimi­t, atë të testimit me shkrim. Testimi dje u zhvillua në dy faza, për shkak të numrit të lartë të kandidatëv­e. Në fazën e parë u testuan aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier. Ndërsa në fazën e dytë, ata të Gjirokastr­ës, Vlorës, Elbasanit, Korçës, Lezhës, Shkodrës, Kukësit e Dibrës, për të cilët testimi zgjati deri në orët e mbrëmjes.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania